Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
ZINXHÍR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Varg rrathësh prej metali të shkuar radhazi njëri tek tjetri; varg hallkash a pjesësh të njëllojta prej metali, të kapura njëra me tjetrën, që përdoret për të mbërthyer, për të lidhur etj. Zinxhir floriri. Zinxhiri i qenit. Zinxhiri i kamastrës. Zinxhiri i biçikletës. Zinxhiri i tankut (i traktorit). Zinxhiri i çelësave (i thikës). Zinxhiri i çantës (i trikos). Hallkat e zinxhirit. Qen zinxhiri qen që kafshon dhe që mbahet i lidhur me zinxhir. I ngatërruar mes zinxhirësh. E lidhi me zinxhir. E këputi zinxhirin. Iu prish zinxhiri. I vuri zinxhir të ri. E mori një zinxhir që ta lidhte kuçedrën, po ajo e këputi dhe e hodhi tutje. (folk.). Zinxhirët e florinjtë janë më të rëndë. (fj. u.). Qeni që leh në zinxhir, nuk të nduk. (fj. u.). Dhëndri është zinxhiri i arit. (fj. u.). Dy të urtë s’e këpusin as perin, dy të marrë s’i mban zinxhiri. (fj. u.).
2. Vargor, verigë. Në zinxhir varnin kusinë në vatër.
3. fig., vet. sh. Sundim i egër; diçka që të mban të lidhur e të mbërthyer, pranga. Zinxhirët e kanunit. Zinxhirët e robërisë (e skllavërisë). Tiranët e shkopit dhe të zinxhirit. I këputën (i flakën) zinxhirët. U çliruan nga zinxhirët. I hodhën zinxhirët (dikujt) e arrestuan, i vunë prangat. Farkëton zinxhirët përgatit robërimin. Më mirë i ligur e i lirë se i shëndoshë e me zinxhirë. (fj. u.).
4. Varg elementesh të njëjta e të lidhura njëri pas tjetrit; gjithçka që është si një varg i pandërprerë. Zinxhiri nervor (mjek.). Zinxhir atomesh (fiz.). Zinxhiri malor skandinav. Zinxhir ishujsh. Zinxhiri i përcjellësve. Zinxhir ushqimor. Zinxhir restorantesh. Zinxhir i shitjeve (i furnizimeve). Zinxhiri i valles. Zinxhiri i shtyllave. Rakia vë (mban) zinxhir është raki e fortë (formohet një varg flluskash të vogla rreth grykës së shishes kur tundet). E prishi ndjeshëm zinxhirin jetësor.
5. usht. Formacion luftëtarësh të vendosur në një largësi të caktuar njëri përkrah tjetrit. Zinxhiri i skuadrës (i kompanisë). Zinxhiri komandues. Formacioni zinxhir.
6. fig. Varg i pandërprerë dukurish, ngjarjesh, mendimesh, veprimesh etj., që vijnë si rrjedhim logjik i njëri-tjetrit, lidhen njëri me tjetrin ose janë vijim i njëri-tjetrit. Zinxhir urimesh. Zinxhiri i fakteve (i ngjarjeve, i shkaqeve). Zinxhir këngësh me përmbajtje lirike. Zinxhiri i veprimeve. Ka një zinxhir rrugëdaljesh. Zinxhir besimesh. Zinxhiri i pakëputshëm i historisë kombëtare.
✱Sin.: pranga, hekura, varg, sundim.
♦ Dredh (tund) zinxhirin (dikush) rri kot, e kalon kohën kot; tund shaminë; tund (luan) derën; numëron qimet e postiqes; vret (numëron) miza; bën baltë; trazon baltën me shkop; kërcet gishtërinjtë; rruan vezë. Këput zinxhirin (zinxhirët) (dikush). 1. Është bërë i rrëmbyer, nuk e kontrollon a nuk e përmban veten sa duhet; s’pyet shumë për të tjerët, i jep shumë liri vetes. 2. Shpëton me forcë nga një dhunë a nga një shtrëngim prej dikujt; thyen (këput) prangat; thyen (këput) vargonjtë; këput hallkën. *Qen i lëshuar nga zinxhiri.
ZINXHÍR mb. Që vijnë a që ndodhin varg njëri pas tjetrit; që përbëhet nga veprime, procese etj. të lidhura varg njëri pas tjetrit; i pandërprerë. Aksione zinxhir. Metoda (sistemi) zinxhir. Reaksion zinxhir (kim.) reaksion i vijueshëm, ku elementet që dalin nga një zbërthim mund të hyjnë përsëri në veprim me elementet fillestare. Qëndisje zinxhir qëndisje e thjeshtë, që bëhet në trajtë të hallkave të një zinxhiri.
ZINXHIRÓR,~E mb. Që ndodh a vjen në mënyrë zinxhir. Lidhje zinxhirore. Në themel të fabrikës përdori hark zinxhiror për herë të parë. Reaksionet bërthamore zinxhirore. Ky reagim zi…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZINXHÍRTË (i, e) mb. 1. Që është prej zinxhiri, që është me zinxhir, në trajtë zinxhiri. Rrip i zinxhirtë. Mburojë me formë të zinxhirtë.2. fig. Që vijnë a që ndodhin varg njëri pa…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë