Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
ZHDÚKUR (i, e) mb. 1. Që nuk është më i gjallë, që është shuar nga faqja e dheut, që është shfarosur. Lule (bimë) e zhdukur. Nënlloj i zhdukur. Vullkan i zhdukur. Sende të zhdukura. Qytetërim i zhdukur. Tigri Javan u shpall i zhdukur. Dialekti istrian është një dialekt i zhdukur i gjuhës shqipe. Mendtë e mia atje mbenë, / Qenkej Çajupi i bukur, / Lule më lule një flutur, / Nëpër sheshe i padukur e i zhdukur!
2. Që nuk shfaqet më asgjëkundi a që nuk dihet se ku është; i humbur. Shokët e zhdukur. Njeri i zhdukur (drejt.) njeri që mungon në vendbanimin e tij për më shumë se një vit pa dhënë asnjë lajm. Tash dy vjet i zhdukur, i zhbërë, i harruar, nuk e njihte më askush në katund. U mendua si i zhdukur në det.
✱Sin.: i shuar, i shfarosur, i humbur, i harruar, i zhbërë, i likuiduar.
ZHDÚKUR,~I (i) m. sh. ~, ~IT (të) Ai që nuk është më gjallë a nuk gjendet më; ai që është shuar nga faqja e dheut, që është shfarosur a që ka munguar për një kohë të gjatë; ai që është shpallur i zhdukur. I zhdukuri la një mal me halle. Kërkonin të zhdukurit. Nuk e gjetën dot të zhdukurin. I zhdukuri dhe i vdekuri njëlloj janë. (fj. u.).
ZHDUK vep., ~A, ~UR kal. 1. Bëj që të mos jetojë a të mos jetë më, e shuaj krejtësisht, e shfaros, e asgjësoj; bëj që të mos duket më në faqe të dheut. Zhduk mikrobet. E zhdukën fare. E zhdukën fizikisht. - S’mundesh me e zhduk aq lehtë atë burrë, pa e rrezikue veten. - E zhdukën me farë e me fis Kolën. Zhdukën gjithçka. I zhduku të gjitha shenjat. Zjarri e zhduku bimësinë.
2. fig. Bëj që një dukuri të mos jetë më a të mos shfaqet më, i jap fund një shfaqjeje a diçkaje tjetër. Zhdukën të keqen. Luftojnë për të zhdukur të metat. Tek hyri dredhia, u zhduk miqësia. (fj. u.).
✱Sin.: asgjësoj, shfaros, shuaj, çrrënjos, faroj, gropos, zhbëj, zhbij, fshij, shporr, përzë, dëboj, flak.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë