Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
ZGJÚA, ZGJÓI m. sh. ZGJÓJE, ZGJÓJET 1. Arkë e posaçme a kosh ku mbahen bletët dhe ku këto bëjnë e vendosin mjaltin; koshere. Zgjua modern (primitiv). Zgjua bletësh. - Zgjojet i bëjmë edhe me thupra, po më të mira janë prej dërrase.
2. zool. Tërësia e bletëve që rrinë në një arkë të tillë; bletë. I iku një zgjua. Gumëzhijnë si zgjua. U shtua zgjoi.
✱Sin.: koshere, korube, lëmë, qengjë, bletë.
♦ Zgjua (koshere) bletësh vend me shumë njerëz, që hyjnë e dalin, që lëvizin e bëjnë zhurmë.
ZGJOJ vep. ZGJÓVA, ZGJÚAR kal. 1. Bëj që t'i dalë gjumi dikujt që fle, i nxjerr gjumin, e ngre nga gjumi, përmend. E zgjoi nga gjumi. I zgjoi boria. E zgjoi herët. - Pse s'më zgjove? - Zgjoje, se fjeti shumë! Mezi e zgjova. Djalli fle, ti vete e zgjon. (fj. u.). Mos zgjo qenin që fle. (fj. u.). Pula bën vezën, kakaris e zgjon mëhallën, pela bën mushkën dhe nuk ndihet fare. (fj. u.).
2. fig. Bëj që dikush të dalë nga një gjendje ku i janë shkëputur a dobësuar lidhjet me realitetin, e bëj të kuptojë gjendjen e vërtetë; e sjell në vete. E zgjoi nga iluzionet (nga ëndrrat). Zilja e telefonit e zgjoi nga kujtimet e fëmijërisë. Nga mendimet më zgjoi një e trokitur në xham.
3. fig. Bëj që të gjallërohet e të lulëzojë; e ripërtërij (natyrën etj.); bëj që të gjallërohet e të vihet në lëvizje (një qendër banimi a pune etj.). Pranvera e zgjoi natyrën. Ngjarjet e fundit e zgjuan sindikatën.
4. fig. E bëj të vetëdijshëm për diçka, e bëj që t'i kuptojë drejt çështjet, e sqaroj; e bëj të zgjuar dikë, i holloj mendjen. E zgjoi popullin. Ky fjalim i zgjoi njerëzit. E ka zgjuar shkolla. - Të tjerët, nëse duan, le t’i zgjojnë djemtë e tyre e t’i dërgojnë në male për të luftuar.
5. fig. Vë në veprim, e nxit diçka; ngjall. I zgjon imagjinatën. I zgjoi ndjenjat (dëshirën, kureshtjen). I zgjoi oreksin (lakminë). Zgjoi energji të mëdha. Zgjoi vetëdijen. I zgjoi kujtime të vjetra. Zgjoi dyshime. Po zgjonte kundërshtrimin ndaj regjimit. Përpiqet të zgjojë ndërgjegjet e dremitura të njerëzve.
✱Sin.: shpërgjum, ngre, çoj, përmend, gjallëroj, lulëzoj, përtërij, sqaroj, ndërgjegjësoj, nxis, ngjall, ringjall.
ZGJÚAR ndajf. 1. Me sy hapur, pa fjetur, pa e zënë gjumi, shpërgjumshëm. Rri zgjuar. E priste zgjuar. E gjeti zgjuar. - Zgjuar tërë natën, unë i ziu, s'më lanë qentë të mbyll sy.2.…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZGJÚAR (i, e) mb. 1. Që nuk e ka zënë ende gjumi; që i ka dalë gjumi; që nuk fle; kund. i fjetur. - Ende i zgjuar ti? Je për punë nesër. 2. fig. Që është i hollë e i shkathët nga m…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZGJÚARSÍ,~A f. Të qenët i zgjuar, vetia e atij që është i zgjuar; mençuri, mendjemprehtësi; kund. budallallëk. Zgjuarsi natyrore (e lindur, e jashtëzakonshme). Zgjuarsia e popullit…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZGJÚATH,~I m., mjek. 1. Zgjonjë.2. Thuath, lulëz.
Shfaq përkufizimin e plotë →ZGJÚES,~E mb. 1. edhe fig. I zgjimit, që të zgjon, që lidhet me zgjimin. Sinjal (tingull, telefon) zgjues. Efekt zgjues. Çekan zgjues. Thirrje zgjuese. Dridhje zgjuese. Vetëtimë zg…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZGJUMTH,~I m. sh. ~, ~IT arb. 1. Bar për gjumë, gjumës, gjumëdhënës. I dha zgjumthin e fjeti.2. si mb. Sipas kuptimit të emrit.
Shfaq përkufizimin e plotë →ZGJUR,~i m. sh. ~A, ~AT krahin. Zgjua bletësh.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë