Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
ZBÚTUR (i, e) mb. 1. Që është bërë i butë në të prekur; që i është hequr ashpërsia; që është bërë si brumë, zakonisht duke u njomur me ujë, i zbrujtur (për një gjë të fortë a të thatë); që është bërë i butë duke u nxehur në zjarr (për metalet etj.); kund. i ashpër. Lëkurë e zbutur. Tokë e zbutur. Bukë e zbutur. Zift (dyllë) i zbutur. Sustë e zbutur. Dardhat e zbutura vijnë pak si të nxira, po nuk janë të kalbura.
2. Që është bërë më i këndshëm e më i pëlqyeshëm për veshin a për syrin; që është bërë i shtruar e i ëmbël, që s'ka më vrazhdësi; kund. i ashpër. Dritë e zbutur. Ngjyra të zbutura. Nota të zbutura. Me zë të zbutur.
3. Që është zbutur (për kafshët e egra); që është përmirësuar me anë të shartimit (për bimët); kund. i egër. Kafshë e zbutur. Tigër (majmun) i zbutur. Një lloj i zbutur i ujkut. Bualli i zbutur i ujit. Një anëtar i zbutur i familjes së kuajve. Pemë e zbutur.
4. fig. Që është bërë i urtë, i shtruar e i bindur (për njerëzit); që është qetësuar; që është bërë dashamirës; kund. i egër. Qëndrim i zbutur. Vështrim i zbutur. Ishte pak më i zbutur. Doli më i zbutur nga mbledhja. Dukesh më i zbutur së më parë.
5. Që i është ulur pjerrësia; që është bërë më i sheshtë (për kodrat, tokat etj.). Kodra të zbutura. E tatëpjetë e zbutur. Djerre të zbutura.
6. fig. Që i ka rënë vrulli e forca e mëparshme, që nuk është më i egërsuar. Det i zbutur. Mot i zbutur.
7. Që i është ulur grada e fortësia, që është bërë më i butë (për pijet alkoolike); që i është hequr një pjesë e kripërave minerale (për ujin); kund. i fortë. Raki (uzo) e zbutur. Ujë i zbutur.
✱Sin.: i butë, i butësuar, i zbrujtur, i brumëzuar, i brydhët, i njomur, i qullur, i lagur, i lagshtë, i mbrydhët, i dyllëçitur, i ndulkët, i squllët, i urtësuar, i fashitur, i tutëluar, i fishkur.
ZBUT (ZBUS) vep., ~A, ~UR kal. 1. E bëj të butë në të prekur, i heq ashpërsinë; e bëj më të butë një gjë të fortë a të thatë, zakonisht duke e njomur me një lëng, e bëj si brumë, e zbruj; e bëj të butë një metal a diçka tjetër, duke e nxehur në zjarr, që të përpunohet lehtë; kund. ashpërsoj. Zbut pëlhurën (shajakun, lëkurët). Zbut bukën (koret) në qumësht. Zbut llaçin. Shiu e zbuti tokën (dheun). Zbut me nxehtësi. Zbut dyllin në zjarr. Zbut telin. Kremi ta zbut lëkurën. Qumështi ia zbuti fytin. Ia zbuti plagën me melhem. Vaji zbut armën. (fj. u.).
2. E bëj pak të butë e të njomë duke e spërkatur me ujë; spërkat. I zbuti rrobat para se t'i hekuroste. E zbuti duhanin, pastaj e griu. Pa i zbutur petët me ujë.
3. E bëj më të këndshëm e më të pëlqyeshëm për veshin a për syrin; e bëj të shtruar e të ëmbël, i heq vrazhdësinë; ia ul forcën, e bëj më pak të ashpër; kund. ashpërsoj. Zbut zërin. Zbut dritën. Zbut ngjyrat. Zbut zhurmat. Zbut tonet. - Nuk ka për ta zbutur gjuhën ky njeri!
4. fig. I ul forcën diçkaje; e bëj më pak të ashpër; pakësoj dallimet ndërmjet gjërave të ndryshme; kund. ashpërsoj. E zbuti muhabetin. Ia zbuti zemërimin (inatin). I zbuti grindjet (mosmarrëveshjet). E zbuti kritikën (dënimin). Zbut dhembjen (hidhërimin, shqetësimin, ankthin). Zbut shpërpjesëtimet (dallimet). E zbuti qëndrimin ndaj më të rinjve. Zbut vendimin. Zbut masat parandaluese. Për të zbutur dhembjet përdoret gjethja e mëllagës. I zbuti rregullat kundër ndotjes nga metani. Fundjava “zbut” javën përvëluese.
5. E kthej nga gjendja e egër në gjendje të butë, e bëj shtëpiak që t'i shërbejë njeriut, e mësoj që të rritet e të jetojë bashkë me njeriun (për kafshët e egra); e bëj të butë një dru të egër, duke e shartuar; kund. egërsoj. Zbutën kafshët e egra. E zbuti ariun (tigrin). Zbut kumbullën (dardhën, mollën). Druja zbut derrin. (fj. u.).
6. E bëj të urtë, të shtruar e të dashur, e bëj të arsyeshëm e të bindur; i heq zemërimin, e qetësoj, e bëj dashamirës; kund. egërsoj. E zbuti shokun. Është zbutur fare. E zbuti me fjalë të mira. Atë s'e zbut gjë. Kalin e zbutim edhe me thupër, njeriun e zbutim me fjalë. (fj. u.). Fjala e ëmbël thërret miq, ajo zbut e pajton armiq. (fj. u.).
7. E bëj më pak të pjerrët; e bëj të ketë një sipërfaqe më të sheshtë, e sheshoj. Zbut rrugën (pjerrësinë, faqen e kodrës). I zbutën tokat djerr. Kjo rrugë dhish e zbut pak shpatin e malit për t’u ngjitur.
8. vet. v. III E bën më të ngrohtë, e bën më pak të ashpër, e bën më të mirë (për kohën, për klimën etj.); kund. ashpërsoj. Shiu e ka zbutur kohën. Pyjet e zbutin klimën.
9. Ia ul gradën, ia ul fortësinë duke i futur ujë, e bëj më të butë (për pijet alkoolike); ia heq një pjesë të kripërave minerale (për ujin); kund. forcoj. Zbut rakinë (uzon, verën). Zbut ujin.
✱Sin.: butësoj, zbruj, brumëzoj, brydh, zbrumoj, qull, qulltoj, squll, lëngëzoj, bëltuç, dyllëçit, tutëloj, fashit, qetësoj, urtësoj, urtoj, rrumbullakos, shuaj, porrit.
♦ Ia zbuti *brinjët (dikujt) keq. Ia zbuti *kurrizin (shpinën) (dikujt) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë