Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
ZBARDH vep., ~A, ~UR 1. kal. E bëj diçka krejt të bardhë, duke e lyer me gëlqere, me bojë të bardhë etj.; e mbuloj me diçka të bardhë, e vesh me një shtresë të bardhë. kund. nxij. Zbardh shtëpinë (muret, tavanin) me gëlqere. Dëbora e zbardhi vendin (malin, fushën). Zbardhi fytyrën me pudër. E zbardhën nusen e lyen nusen me pudër, me krem etj. për ta zbukuruar.
2. kal. E bëj të bardhë diçka, duke i hequr ngjyrën që ka pasur, çngjyros; e bëj diçka fare të bardhë, më të bardhë se ç'është; e pastroj, e laj (për rroba të bardha që janë fëlliqur). Zbardh pëlhurën (çarçafët, këmishën, leshin). Zbardh sheqerin (kripën). E ka zbardhur dielli.
3. kal. I heq shtresën e sipërme diçkaje dhe e bëj të ndritshme, duke e larë, duke e fërkuar etj.; zhvesh (misrin, orizin etj.). Zbardh argjendin. Zdrukth për të zbardhur. Dhia e zbardhi pemën. Zbardh misrin (orizin).
4. kal. E ndriçoj, i jap dritë, ndrit. Drita (agu) zbardhi majat. Llamba e zbardhi dhomën.
5. kal. I nxjerr thinjat dikujt, e thinj. E ka zbardhur pleqëria. Vitet ia zbardhën flokët. Hallet e zbardhën para kohe. Më zbardhën vuajtjet.
6. fig., kal. I jap nder e lavdi, e nderoj, e nxjerr faqebardhë; e ndrit; e bëj më të lumtur. Ia zbardhi faqen (fytyrën) babait (familjes, shkollës). Na i zbardhën armët. I zbardhi jetën. Ajo e zbardhi atë shtëpi. - Lëre, se e zbardhe! (iron.). Punët e mira ta zbardhin jetën. (fj. u.). Bariu na zbardh faqen, barku na nxin faqen. (fj. u.). Kafja është e zezë, po të zbardh faqen. (fj. u.).
7. kal. Rishkruaj qartë e me kujdes diçka që e kam shkruar më përpara shpejt e shpejt, jo qartë e me korrigjime, hedh në të pastër. Ka dhjetë fletë për të zbardhur.
8. jokal., vet. v. III Zbardhoj2. Zbardh dëbora (pambuku). Zbardhin malet. Zbardh shtëpia.
9. jokal., vet. v. III Agon, gdhin (edhe fig.). Zbardhi drita. Sapo zbardhi. Sa të zbardhë. Zbardhi dita e re. Nga lindja nisi të zbardhte.
10. fig., kal. E ndriçoj, e bëj të qartë e të kuptueshme për të gjithë diçka të vështirë a të errët; jap shpjegime më të hollësishme për diçka që mbahet sekret; sqaroj; e bëj të njohur. Zbardhi të vërtetën. E zbardhi skemën e re të pensioneve. Zbardh detaje nga takimi me diasporën. Zbardh agjendën e takimit. Zbardhi listat e kandidatëve. Zbardh mesazhet e koduar.
11. zyrt., kal. E nxjerr të plotë e të shkruar një vendim a një dokument tjetër, pasi është arsyetuar mbi bazën e duhur ligjore. Kushtetuesja zbardhi vendimin. Zbardh marrëveshjen (rezolutën).
12. drejt., kal. E zbuloj; e rindërtoj duke e zbuluar plotësisht diçka; e nxjerr në shesh. Policia zbardhi ngjarjen e rëndë. Zbardhi skemën e mashtrimit.
✱Sin.: zbardhoj, bardh, lëbardh, argjendoj, përmiell, gëlqeros, zbërdhyl, çngjyros, pastroj, laj, zhvesh, ndriçoj, sqaroj, ndris.
♦ M’i zbardhi *ditët (dikush). Zbardh *dhëmbët (dikush) keq. Ia zbardhi *faqen (dikujt). Ia zbardhi *fytyrën (dikujt). Ia zbardhi *jetën (dikujt). Zbardhi *sytë (dikush) mospërf.
ZBARDH vep., ~A, ~UR 1. kal. E bëj diçka krejt të bardhë, duke e lyer me gëlqere, me bojë të bardhë etj.; e mbuloj me diçka të bardhë, e vesh me një shtresë të bardhë. kund. nxij. …
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBARDHÉC,~I m. 1. Lëng si qumësht e me shije të hidhur i disa bimëve. Kishte mbushur një kupë me zbardhec.2. Helm për vrasjen e kafshëve, që dëmtojnë të mbjellat. Zbardhec minjsh.
Shfaq përkufizimin e plotë →►ZBÁRDH/EM jovep. ~A (u), ~UR 1. vetv. Më dalin thinjat, thinjem; kund. nxihet. Është zbardhur krejt. - Sa shpejt u zbardh! Hana, kur ndërrohet, skuqet- njeriu, kur plaket, zbardhe…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBARDHÍM,~I m. 1. Veprimi kur zbardh diçka; bërja e diçkaje krejt të bardhë duke e lyer me gëlqere, me bojë të bardhë etj., a duke e mbuluar a veshur me një shtresë të bardhë. Zbar…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBÁRDHJ/E,~A f. 1. Veprimi kur zbardh diçka; zbardhimi i diçkaje. Zbardhja e mureve me gëlqere. Zbardhja e orizit. Zbardhja e flokëve. Zbardhje natyrale e dhëmbëve. Xhel për zbardh…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBARDH/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Zbardh1-4, 8. Zbardhoi muret me gëlqere. Dëbora e zbardhoi fushën. Zbardhojnë misrin. Do ta laj, do ta zbardhoj, / Në sepet do ta lëshoj! (folk.)…
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBARDHÓK,~U m., sh. ~Ë, ~ËT bot. Zhardhok. Zbardhoku i patates. Zbardhok i trashë.
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBARDHÚK,~E mb. Bardhulin.
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBARDHÚL vep., ~A, ~UR kal. Zbërdhul.
Shfaq përkufizimin e plotë →ZBÁRDHÇ,~I m. 1. Bardhësi, ngjyra e bardhë. Binte në sy zbardhçi i mureve.2. bot. Zbardhulinë.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë