Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
►VÍSHEM jovep., VÉSHA (u), ~VESHÚR 1. vetv. Vë një petk në trup, mbështillem a mbulohem me një rrobë të qepur duke futur në të krahët, këmbët e shtatin; kund. zhvishem. Vishet bukur. Vishet lehtë (trashë). U veshën shqiptarisht. U vesh nuse. Vishet me të leshta. U vesh si ushtar. U vesh si për festë (si për dasmë). U vesh si për dimër. Vishem e mbathem. U vesh me të zeza (me rroba të zeza) filloi të mbante zi, ra në zi.
2. bised., vetv. Nis një detyrë a futem në një punë, e cila ka një veshje karakteristike, hyj, bëhem. U vesh ushtar shkoi të kryejë shërbimin ushtarak. U vesh polic.
3. vet. v. III Mbulohet a mbështillet me një shtresë që nuk lë të duket ç'ka nën të; mbulohet me bar, me gjethe, me gjelbërim etj.; mbushet. Syri iu vesh me një cipë. M'u veshën sytë nga lotët. U vesh xhami. M'u veshën syzet. U veshën livadhet. Lugina u vesh me një tis të hollë mjegulle. U vesh qielli me re. U veshën pemët me lule.
4. fig., vetv. Marr fuqinë e të drejtat që ka një detyrë e caktuar. U vesh me pushtet. U vesh me funksionet e... U vesh me fuqi të plota.
5. bised., vetv. I sulem dikujt, i vërsulem dhe e godas, e qëlloj; i përvishem. Iu vesh me grushte (me shkop).
6. bised., vetv. I ngjitem (një kodre a një mali). Iu veshën kodrës.
7. fig., iron., vetv. Paraqitem me një pamje tjetër, duke fshehur a duke mbuluar qëllimet e vërteta ose veprimet e këqija; shtirem. Na vishen si patriotë. Vishej si i përndjekur.
8. pës. e VESH.
♦ M’u veshën *sytë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë