Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
VAJ,~II m. 1. Lëng i trashë viskoz i yndyrshëm, më i lehtë se uji, në ngjyrë të ndryshme, që nxirret prej farave a kokrrave të disa bimëve vajore (si luledielli, ulliri, kikiriku etj.), prej mishit të disa kafshëve (peshku etj.) ose nga përpunimi i disa mineraleve e i naftës, që përdoret për gatim, në industri, në mjekësi etj. Vaj i pastër (i kulluar). Vaj i mirë vaj ulliri. Vaj i djegur (tek.) vaj makinash i përpunuar. Vaj i trashë (bised.) vaj recini. Vaj flokësh. Vaj plazhi. Bojë vaji bojë e shkrirë në një lëng të tillë. Fabrikë (mulli) vaji. Ngjyrë vaji. Fërgoj (skuq) me vaj.
2. Pjesa e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme vajrash. Vaj bimor lloj vaji me ngjyrë të errët, në të cilin mbizotërojnë acidet e pangopura yndyrore, që përgatitet me shtrydhje ose ekstraktim nga farat e bimëve vajore (lulediellit, misrit, lirit, kikirikut), si edhe nga ulliri, nga arrat etj. Vaj i rafinuar lloj vaji i pastruar nga mbeturinat e lëndëve të huaja dhe me veti të përmirësuara (në ngjyrë, në shije, në erë). Vaj kikiriku (lat. Olio d’arechide) lloj vaji me ngjyrë të verdhë në të kuqërreme dhe me shije karakteristike, që përftohet me ekstraktim me tretës nga kokrrat e copëtuara të pemës së kikirikut. Vaj luledielli (lat. olio di girasole) lloj vaji që prodhohet nga farat e lulediellit (Helianthus annuus), është shumë i njohur dhe përdoret gjerësisht për gatim dhe për të bërë vajra për përdorime kozmetike dhe mjekësore. Vaji misri (lat. olio di granoturco; Olea mais) lloj vaji vegjetal i nxjerrë nga farat e misrit, përdoret gjerësisht në gatim dhe gjithashtu në industrinë kozmetike dhe atë farmaceutike për vetitë e tij hidratuese dhe mbrojtëse. Vaj kockash lloj vaji i prodhuar nga kockat e kafshëve të ndryshme, që përdoret në industrinë e sapunit, për përgatitje qirinjsh, si lyrosës etj. Vaj liri (lat. olio di lino) lloj vaji me ngjyrë të verdhë të murrme, me erë dhe shije karakteristike të hidhur, që nxirret nga farat e lirit, që përdoret në industrinë e bojërave të vajit, të sapunëve ose në farmaceutikë. Vaj recini (lat. olio di ricino) lloj vaji pa ngjyrë ose i verdhë i lehtë, me shije të pakëndshme, që përftohet nga shtrydhja në presa ose me ekstraktim me tretës nga farat e bimës së recinit, që përdoret për përgatitjen e detergjentëve, në farmaceutikë ose në industrinë tekstile. Vaj soje (lat. olio di soja) lloj vaji me ngjyrë të verdhë të kuqërreme, i turbullt, me erë dhe shije karakteristike, që nxirret me presim ose ekstraktim me tretës nga farat e bimës së sojës, që përdoret për ushqim dhe për përgatitjen e llakut. Vaj susami (lat. olio di susamo) lloj vaji me ngjyrë të verdhë, me shije dhe erë karakteristike të këndshme, që përftohet me ekstraktim me tretës nga masa e copëtuar e farave të bimës të susamit, që përdoret për përgatitjen e hallvasisë, të margarinës, të sapunit e në kozmetikë. Vaj shtazor lloj vaji me ngjyrë të errët, me erë karakteristike, i cili përftohet kryesisht prej peshqish të ndryshëm dhe që përdoret në mjekësi a për ushqim. Vaj ulliri (lat. olio di oliva) lloj vaji me ngjyrë të verdhë jeshile, që përftohet nga pulpa e copëtuar dhe e ngrohur paraprakisht e kokrrave të pemës së ullirit dhe që përdoret si ushqim dhe në mjekësi. Vaj hashishi (lat. Cannabis sativa) lloj përzierjeje e njëtrajtshme vajore e rrëshinore, lëndë narkotike, produkt i përqendruar i ekstraktimit të kanabisit apo hashishit me tretës, që merret me të tymosur, gëlltitje a me të nuhatur. Vaj pushke lloj vaji që përdoret për të pastruar pushkët, automatikët etj. dhe për të lyer pjesët metalike të tyre që të mos ndryshken. Vaj makinash lloj vaji që përdoret për të lyer pjesët e ndryshme të një makine që të mos ndryshken. Vaj i rëndë lloj hidrokarburi që nxirret nga nafta, zifti etj. Vaj i shuguruar (fet.) vaj që përdoret në ceremonitë fetare. Vaj tuli (ushq.) vaj i shtrydhur nga bërsitë e ullirit.
3. vet. sh. ~RA, ~RAT Lloje të ndryshme të këtyre lëngjeve. Vajra bimore (shtazore). Vajra aromatike. Vajra minerale.
4. përmb. Bojëra në ngjyra të ndryshme, që përpunohen me lëngje të tilla dhe që përdoren për pikturë. Bojëra vaji. Pikturë në vaj. Punim në vaj.
✱Sin.: bagëm, krezm.
♦ U bë vaj. 1. U qetua, u shtrua, nuk ka dallgë (deti a liqeni). 2. (dikush). U zbut pas një zemërimi a u shtrua pas një kundërshtimi të ashpër, u qetësua; ra, u shtrua; u bë qengj; u bë qumësht. I bën *petullat pa vaj (me ujë) (dikush). E bëri për vaj e për uthull (dikë). 1. E rrahu rëndë, e zbrujti, e zhdëpi; ia zbuti kurrizin (dikujt); ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun (dikujt); ia ndreqi samarin (dikujt). 2. E qortoi ashpër dikë, e shau rëndë, s’i la gjë pa thënë, e dërrmoi me të shara; ia ndreqi samarin (dikujt). Ra vaji në lakra asgjë nuk humbi kot, nuk u bë ndonjë dëm, aty është ajo diçka; u derdh vaji (e ra) në uthull. Doli vaj mbi ujë (dikush) shpëtoi nga një e keqe pa u dëmtuar; doli pa faj a i shfajësuar; doli i fituar, nuk pësoi gjë. U derdh vaji (e ra) në uthull nuk u bë ndonjë dëm; nuk humbi gjë kot; ra vaji në lakra; gjalpi po në lakra mbeti. S’hahet as me vaj e as me uthull. 1. (diçka). Nuk është aspak e mirë, nuk mund të pranohet a të durohet për asnjë arsye; është e keqe, nuk shkon fare. 2. (dikush). Është i shëmtuar a i keq sa nuk durohet dot, nuk mund ta pëlqesh kurrë. (Hapet) si vaji në lakra (dikush). 1. Flet a vepron kudo pa ndrojtje e pa u matur mirë, e lëshon veten dhe e tepron duke u sjellë gjithandej si në shtëpi të vet; nuk përmbahet e nuk ngushtohet nga kushtet, nga rrethanat a nga mjedisi shoqëror. 2. Shpërndahet në shumë anë, nuk është i përqendruar në një punë a në një drejtim, është i përhapur. 3. (diçka). Është përhapur gjithandej, është shtrirë kudo. E ka (shkon, është) *gjalpë e vaj (me dikë). E ka vaj (me dikë) ka marrëdhënie shumë të mira me dikë, ia dëgjon fjalën dhe ia plotëson çdo kërkesë, e ka shumë mirë me të; e ka grurë; e ka (shkon, është) gjalpë e vaj. I mbaroi vaji i kandilit (dikujt) euf. është në prag të vdekjes (për një njeri shumë të moshuar); kaq e pati; iu sos vaji në kandil; po jep (po heq) shpirt (dikush). I nxori vaj (dikujt). 1. shih i nxori qumështin e nënës2 (dikujt). 2. shih i rropi (i hoqi, i mori) lëkurën1 (dikujt). Nxjerr vaj nga guri (dikush) është shumë i zoti, bën të pamundurën; e gjen diçka që i duhet edhe atje ku nuk mendohet se ka; ia arrin qëllimit me çdo kusht, e siguron atë që do patjetër; shfrytëzon mirë çdo mundësi; nxjerr mjaltë nga guri; nxjerr dhjamë nga pleshti; nxjerr ujë nga guri; e ndez zjarrin në ujë; mjel (edhe) morrin; e rrjep morrin nga bishti; zë peshk në bar. (Është) i rrahur (i regjur) me vaj e me uthull (dikush) është i regjur në jetë, ka vuajtur e ka provuar shumë të mira e të këqija; ka kaluar nëpër vështirësi e mundime të rënda e ka fituar përvojë të madhe, e njeh mirë jetën, është bërë i rafinuar; ka rënë shumë herë nga kali; i ka parë (shumë) lëkura (dikujt); ka pirë ujë në shumë burime (kroje); (është) ujk deti; (është) ujk i vjetër (plak); e ka parë ujkun që i vogël. (I rri) si vaji mbi uthull (diçkaje) shih i rri (i qëndroj) mbi (në) kokë (diçkaje). Iu sos vaji në kandil (dikujt) është në prag të vdekjes, i mbaroi jeta; po merr fund, kaq e pati; po jep (po heq) shpirt (dikush). (Shkon) si *thika në vaj (diçka). Më shkon vaj (diçka) më vete shumë mirë puna, pa asnjë pengesë e pa asnjë vështirësi; më shkon grurë; më bëhet rruga ujë. (Shkon) si në vaj (diçka) shkon mirë diçka, nuk ka asnjë vështirësi e asnjë pengesë, po kryhet lehtë, pa mundim e pa u penguar; (shkon) si thika në gjalpë. Vaj e verë e uthull bised. ylberi. E vë në vaj. 1. (diçka). E fut dtçka në një rrugë të lehtë për ta zgjidhur, ia heq çdo pengesë, e bëj të ecë mirë e lehtësisht; e ndreq, e vë në rregull. 2. (dikë). E qetësoj dikë, ia fashit zemërimin; e shtroj a e urtësoj.
VAJ,~III m. sh. ~E, ~ET 1. Britma a ulërima të zgjatura, me një zë të fortë, që lëshon dikush në rast vdekjeje a kur i ndodh ndonjë fatkeqësi tjetër; klithmë e fortë, kujë. Shpërtheu në vaj. I gjeti në vaj. Vaj i thekshëm. Plasi vaji. Lëshoi vajin. Ia dha vajit. U shkri në vaj.
2. Të qarët me ligje në rast vdekjeje, vajtim; fjalët që thuhen gjatë vajtimit, ligje. Vaji i grave. Nisi (filloi, hapi) vajin. Pushoi (ndali) vajin. E qante me vaje. Bëri vaj për dikë e qau me ligje.
3. vjet., vet. sh. Këngë popullore, që këndoheshin në raste vdekjesh dhe që shprehnin hidhërim e dhembje të thellë. Këngë vaji.
4. Të qarët. E mbërtheu vaji. U shkreh në vaj. Ia shkrepi vajit. Shpërtheu në vaj. Është gati për vaj. E mori vaji kur e pa ashtu.
5. Fatkeqësi e madhe, gjëmë, mynxyrë; pikëllim. Vaj i madh (i kobshëm). I gjeti një vaj.
6. bis. Ankesë. Famullia bën vaj te i pari i fesë. Vaji nuk i gjegjet ankesa nuk merret parasysh. Nuk ka asnjë vaj për të. Bëri vaj. Mos bën vaj kot mos u anko kot!
✱Sin.: logori, lot, qarje, vome.
♦ Bëj vaj. 1. (për dikë). Vajtoj me zë; qaj me ligje; bëj gjëmë; i bëj hobin (dikujt). 2. (për diçka). Ankohem për diçka, qahem; më vjen keq që s’e kam, vajtoj për diçka. E ka vajin në *buzë (dikush). Të merr vaji të zë trishtimi, mërzitesh shumë, të vjen për të qarë kur sheh dikë a diçka në gjendje të keqe; është në gjendje aq të mjeruar dikush a diçka sa të pikëllon. Mbeti me vaj në *buzë (dikush).
VAJÁK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT E prerë anësore në dru; shenjë e bërë në lëkurën e drurit. Ia bëri drurit dy-tre vajakë me sëpatë.✱Sin.: shkallë, çallatë, plasë, zgrapcë.
Shfaq përkufizimin e plotë →VAJC,~E mb. Qaraman.
Shfaq përkufizimin e plotë →VAJC,~I m. sh. ~A, ~AT Qaraman.
Shfaq përkufizimin e plotë →VAJS,~E mb. Vajosh.
Shfaq përkufizimin e plotë →VAJS,~I m. sh. ~A, ~AT Vajosh.
Shfaq përkufizimin e plotë →VAJÇ,~E mb. Vajës (për fëmijën).
Shfaq përkufizimin e plotë →VÁJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT Mëndeshë.
Shfaq përkufizimin e plotë →VÁJ/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT Vendi ku zihet një gjol, i cili mbushet me gurë, dhe, plisa etj., për të rrafshuar thellësinë e brigjeve të lumit a përroit përmes së cilës kalohet nga nj…
Shfaq përkufizimin e plotë →VÁJ/Ë,~AIII f. sh. ~A, ~AT Gruaja që mënd një fëmijë që s’ka nënë, mëndeshë. Vajta te vaja që ta mëkoj një çikë atë jetimen.✱Sin.: dado, tajë, nanshore.
Shfaq përkufizimin e plotë →VÁJ/Ë,~AIV f. sh. ~A, ~AT Vijë uji; kanal.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë