Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
ÚLËT (i, e) mb. 1. Që ka lartësi të vogël; që ndodhet në një lartësi të vogël nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër; jo shumë i lartë; kund. i lartë. Kodër e ulët. Mur i ulët. Re të ulëta. Fluturim i ulët.
2. Që është më poshtë se sipërfaqja e detit; pa male, fushor. Vendet e Ulëta. Tokë e ulët.
3. I vogël, i dobët etj.; i prapambetur; që nuk është në lartësinë e duhur; kund. i lartë. Përqindje e ulët. Temperaturë e ulët. Rendiment i ulët. Çmime të ulëta. Kosto e ulët. Tension i ulët (elektr.). Dritë e ulët dritë e dobët. Me nivel shkencor (teorik) të ulët.
4. Që mezi dëgjohet; që është në shkallën e poshtme të tingujve; kund. i lartë. Me zë të ulët. Notë e ulët.
5. I shkallës më të poshtme në një organizim shtetëror a shoqëror ose në një sistem arsimor; që është më poshtë se diçka tjetër e një lloji me të; kund. i lartë. Organet më të ulëta. Shtresat e ulëta shtresat e gjera të popullsisë në kundërvënie me shtresat e pasura. Cikli i ulët i shkollës. Dhoma e ulët parlamenti, dhoma e deputetëve (në krahasim me senatin).
6. Që është në shkallën më të parë të zhvillimit, i thjeshtë; kund. i lartë. Organizma të ulët. Bimë të ulëta bimë pa kërcell, pa rrënjë e pa gjethe.
7. fig. I keq nga ana morale, i poshtër; që përmban a që ka qëllime të pandershme e të pahijshme. Njeri i ulët. Sjellje e ulët. Shprehje të ulëta. Qëndrim i ulët. Synime të ulëta. Pazare të ulëta.
✱Sin.: fushor, i vutë, rrumaduc, i shkurtër, i thellë, i mbytur, i lirë, i pacipë, i paturp, i pafytyrë, i paturpshëm, cipëplasur, i poshtër, faqezi, i turpshëm, i pandershëm, i papëlqyeshëm, i paskrupullt, faqezi, i dobët, i lig, i keq, i fëlliqur, i qelbur, i ndyrë, i pistë, i neveritshëm, i pakarakter, i pagdhendur, leckë, rreckë, qelbanik, paçavure, qen, palaço, sorrak, i trashë, trashanik, i prapambetur, i thjeshtë, bat, i zvogëluar.
ÚLËT ndajf. 1. Në lartësi të vogël nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër, afër sipërfaqes së tokës; më poshtë se qëndrimi i zakonshëm; kund. lart. Fluturon ulët. Është ulët. E kam kokën ulët.
2. Me zë të dobët që mezi dëgjohet. Flet (këndon) ulët. Fol më ulët!
3. Në mënyrë të pandershme, në kundërshtim me vlerat dhe me moralin e shoqërisë, në mënyrë të poshtër. Veproi ulët. U soll ulët.
✱Sin.: poshtë, ultas, poshtërsisht, pandershmërisht, lirë.
►ÚL/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Zë vend ndenjur, rri diku; kund. ngrihem, çohem. U ul në bisht (në gjunjë, galuc, këmbëkryq). U ul në karrige (në tryezë). U ulën në karrocë (në tren). U ul në vend. U ulën në shesh. U ulën përdhe. U ul në një cep. U ulën në radhën e parë. Ulen në bankat e shkollës. Ulet për të pushuar. -Ulu e rri!
2. vetv. Zbres nga një vend më i lartë në një vend më të ulët; shkoj nga malësia në fushë ose nga një fshat malor në qytet; shkoj nga një vend që ndodhet në Veri në një vend tjetër që ndodhet në Jug; kund. ngjitem. U ul nga kati i tretë. -Ulu poshtë! U ulën nga mali (nga kodra). U ulën në fushë (në vërri). U ul në fshat. U ulën në qytet. U ulën nga Veriu në Jug.
3. vetv. Zvogëloj lartësinë; zbres në tokë ose mbi një sipërfaqe tjetër; kund. ngrihem, çohem. Ulen retë. Ulen zogjtë. Ulet aeroplani. Ulet butë. Ulet në aerodrom (në pistë, në det). U ulën në Hënë. U ulën me parashutë.
4. vetv., vet. v. III. Bie ngadalë mbi një sipërfaqe; mbulon. Ulet mjegulla (pluhuri). Ulet mbrëmja.
5. vetv., vet. v. III. Shkon më poshtë nga rrafshi i sipërfaqes, bëhet më i ulët ose më i thellë, vithiset; bëhet më pak i ngritur. U ul toka (vendi). U ul gunga (plaga).
6. vetv. Kërrus trupin, përkulem; përkulet teposhtë a mënjanë. -Ulu, se mos përpjekësh kokën! U ulën degët.
7. vetv., vet. v. III. Perëndon, varet. U ul dielli.
8. vetv. Nis një punë që kërkon të rri ndenjur; filloj të bëj diçka, ia hyj një pune që kërkon kohë; shtrohem. U ulën në punë. U ul në timon. U ulën në bukë. U ulën për bisedime. U ulën shtruar ia nisën një pune pa u ngutur, qetë-qetë e me kujdes.
9. vetv., vet. v. III. I pakësohet madhësia, vlera, masa a shkalla, bëhet më i vogël, bie; kund. rritet. Ulet temperatura (shtypja, trysnia).Ulet tensioni (elektr.). Ulet shpejtësia (ritmi). Të mos ulet cilësia (prodhimi, rendimenti). U ulën çmimet. U ul kostoja. U ulën shpenzimet. U ul uji (niveli). Është ulur në mënyrë të ndjeshme.
10. vetv., vet. v. III. I pakësohet vrulli ose shkalla e shfaqjes a e zhvillimit, i zvogëlohet forca,; bie. U ul era (stuhia, deti). Iu ul forca (vrulli). Iu ul dhembja. I ulet inati (zemërimi, gjaku).
11. vetv., vet. v. III. I ulet forca e ndriçimit ose e zërit. U ul drita (llamba). Iu ul zëri.
12. vetv. Përulem përpara dikujt; nënshtrohem; më bie vlera ose rëndësia. Nuk ulet në sytë e të tjerëve. I ulet autoriteti (prestigji).
13. bised., vetv. Qetësohem, më bie zemërimi. Ulet shpejt.
14. pës. e UL.
✱Sin.: rri, shtrohem, ngulem, shtrihem, bie, zbres, lëshohem, varem, rrëzohem, zdryp, zdirgjem, dirgjem, dërrmoj, fundoset, shembet, futet, thellohet, shtypet, falet, përfalet, përulem, nënshtrohem, platitet, pakësohet, fashitet, tulatet, mpaket, meket, dobësohet, zvogëlohet, shugatet, resht, reshtet, rrëzohet, zbret, zbehet, shuhet, fiket, pulson, vdes, lëshohet, përulet, përplasem, shkurtohet, paqësohet, paqohet, paqon, qetësohem, nënshtrohem, përulem, përkulem, dorëzohem, jepem, zvogëlohet, lirohet, përkulet.
♦ Mos u ul në vend të huaj (në qoshen e botës) mos shko diku pa qenë i ftuar; mos shko pa të thirrur kush. Ngrihu prift të ulet (rrijë) hoxha! Ia heq një të drejtë njërit dhe ia jap tjetrit që është njësoj me të, pa ndonjë arsye të shëndoshë e pa dobi për punën. U ul (zbriti) nga shala e hipi në samar Ra nga përgjegjësia; zbriti nga një detyrë a punë e lartë në një detyrë a punë më të ulët, zbriti nga kali e hipi në gomar. U ulën (ftohën, shuan, shtruan, zbutën) gjakrat U qetësuan ata që ishin duke u zënë a duke u grindur ashpër me fjalë; u iku zemërimi; u ra inati; u qetësua gjendja. U ulën në bankat e shkollës Filluan mësimet në shkollë. Ulem (shtrohem) këmbëkryq me dikë E bisedoj një punë gjatë e gjerë dhe shtruar me dikë. Ulem (shtrohem) në një tryezë me dikë Pranoj të ulem e të bisedoj shtruar me dikë për një çështje të rëndësishme. Ulet këmbëkryq diku Zë vend diku dhe nuk shkulet, ngjitet për një kohë të gjatë. Ulu (poshtë) se të panë! iron. Mos u mburr shumë se të njohin sa vlen! Ulu (zbrit) nga fiku! iron. Mos u mbaj me të madh; ule hundën. Ulu ca! 1. Zbrite ca çmimin. 2. Mos bëj një kërkesë kaq të lartë; tregohu më i arsyeshëm, më i thjeshtë. Ulu se të pamë! iron. Mjaft fole!
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë