Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
TRU,~RI m. sh. ~, ~TË 1. anat. Pjesa qendrore e sistemit nervor të njerëzve e të kafshëve, që përbëhet nga një lëndë e butë e rrudhosur me ngjyrë të bardheme, që mbush kafkën te njerëzit e te kafshët dhe përbën pjesën qendrore të sistemit nervor; organ i të menduarit dhe i kujtesës te njeriu. Anatomia e trurit. Membranat e trurit. Truri i madh. Truri i vogël. Truri i përparmë. Truri i mesëm. Truri i pasmë. Cipa e trurit. Korja (lëvorja) e trurit. Tronditje në tru. Goditje në tru.
2. fig. Pjesa kryesore e sistemit nervor të njeriut si qendër e të menduarit; organ qendror që siguron rregullimin e të gjitha funksioneve jetike; kokë, mendje, (edhe në një varg njësish frazeologjike). Njeri me tru njeri me aftësi mendore të mëdha. Me tru e me zemër me mendje e me zemër. I punon truri. Më shastisi (më çau, më plasi, më thartoi) trutë më mërziti aq shumë sa nuk e duroja dot më. I mbiu (i ra) në tru iu ngul në mendje. I shkrepi (i erdhi) në tru një mendim. Çlodh trutë çlodhem pas një lodhjeje mendore. Iu ngulit në tru. Ia futi në tru. Po vriste trutë. Çalon nga trutë. E kanë lënë trutë. S’i pret truri. I pjell truri. I lëshon truri harron shumë. Shtrydh trutë shtrydh mendjen, mendohem thellë. Mbledh trutë mbledh mendjen, vij në vete. Të than trurin të mpin mendimin. Më ziejnë (me vlojnë) trutë më zien mendja. I kanë zënë trutë ndryshk (myk, lesh) s'mban dot mend; s’i hyn më asgjë në kokë. I janë bërë trutë çorbë (dhallë) i është bërë mendja çorbë. Lima e butë të ha trutë. (fj. u.). Mos fol me bark, po fol me tru. (fj. u.).
3. gjell. Gjellë e përgatitur me lëndën që mbush kafkën e disa kafshëve. Tru viçi (lope, dashi, qengji).
4. bised. Organ qendror që udhëheq a drejton veprimtarinë e një vendi, të një organizate, të një klase etj., njeri me aftësi të madhe mendore; njeri tejet i zgjuar që luan rol kyç në një veprimtari a në një aksion; kokë, krye, njeri kyç, drejtues, arkitekt. Truri i kompanisë. Truri i grupit (organizatës).
5. inf. Pajisje e ndërlikuar, e ndërtuar sipas modelit të trurit të njeriut, e cila kryen disa operacione a veprime me shpejtësi dhe me saktësi. Tru artificial inteligjencë informatike, tërësi përbërësish elektronikë të programuar për t’iu përgjigjur një situate të dhënë. Truri elektronik kompjuter ose makinë përkthimi, që kryen operacione që dikur kryheshin vetëm nga truri i njeriut.
✱Sin.: kokë, mendje, krye, drejtues, arkitekt.
♦ Iu bënë trutë *ciknë (dikujt). Iu bënë trutë *ujë (dikujt) keq. M’i bëri trutë *lëng (dikush). I ra në tru (dikujt). 1. U trullos, e zuri rakia, vera etj.; i ra në kokë. 2. I mori mendjen dikush a diçka e bukur, e magjepsi, e goditi dhe u dha i tëri pas tij a pas saj; i ra në mendje; iu ngul (iu ngulit) në mendje. I kanë rënë trutë në qafë (dikujt) mospërf. nuk është në gjendje të mendojë e të arsyetojë qartë; është i shushatur, është i trullosur. I ka rënë në tru të vogël (dikujt). 1. Është budallallosur, nuk di ç’flet e nuk di ç’bën, sikur e ka goditur diçka në tru; nuk është në vete (dikush); i kanë shkarë trutë; s’është në të (dikush). 2. shih iu ngul (iu ngulit) në mendje (diçka). Nuk ma bluan truri (diçka) nuk e kuptoj diçka, s’i bie në të; nuk ma rrok mendja. Çalon nga trutë (dikush) tall. shih (është) i metë nga mendja (nga trutë) (dikush). Më dolën trutë. 1. U lodha shumë nga një punë e rëndë mendore; kam studiuar jashtë mase; derdha trutë. 2. Plasa duke i folur dikujt, duke e këshilluar etj.; më plasi koka. Derdh trutë lodhem shumë duke menduar a duke u marrë me punë mendore; përdor gjithë aftësitë mendore; thartoj trutë. Ia derdhi (ia zbrazi) trutë (dikujt) bised. 1. E vrau duke e qëlluar në kokë; ia hodhi trutë në erë. 2. E lodhi mendërisht jashtë mase. Me dy *dërhemë tru shpërf. Të fluturojnë trutë shih të fluturon (të ikën) koka (kryet). Ia fut në tru (diçka) shih ia fut (ia shtie) në mendje (diçka). I ka futur trutë e maces (dikujt) keq. ia ka prishur mendjen duke e gënjyer, e ka bërë të besojë ato që thotë ai pa menduar fare, e ka trullosur për të bërë të vetën; i ka hedhur trutë e gomarit. I grinden trutë (dikujt) është në mëdyshje, nuk di ç’të bëjë, nuk merret vesh me vetveten; nuk vendos dot për diçka; është mëdyshas. M’u hapën trutë shih m’u ça (m’u hap) koka. Ia hodhi trutë në *erë (dikujt) keq. I ka hedhur trutë e gomarit (dikujt) përb. e ka budallallosur, nuk vepron më me mendjen e vet, por bën si i thotë dikush; i ka futur trutë e maces; ia mori mendjen. I hipi (i kërceu) *gjaku në tru (në kokë). Më hipi (më kërceu) në tru u ndeza menjëherë; u binda a m’u mbush mendja për diçka dhe nuk heq dorë; m’u shkrep; shpërtheva në zemërim; më shkrepi (më feksi) në tru; më hipi (më kërceu) në kokë. I është holluar truri (dikujt) shih i është holluar mendja (dikujt). Nuk më hyn në tru (diçka) nuk e kuptoj a s’e mësoj dot diçka, s’e kap dot, nuk e rrok, nuk e marr vesh, nuk e thith; nuk më futet (nuk më hyn) në kokë (në krye); nuk ma nxë koka; jam i trashë nga trutë. Më iku truri u trondita shumë nga diçka e keqe, nuk di nga t’ia mbaj, s’gjej dot një rrugëzgjidhje; më ikën trutë e kokës; më lanë (më lëshuan) mendtë. Më iku nga trutë (diçka) shih më doli (më iku) nga mendja (diçka). Më ikën trutë e kokës u shqetësova shumë nga një e keqe e madhe; u bëra si i çmendur, humba arsyen; më lanë (më lëshuan) mendtë (dikë). S’është mirë (në rregull) nga trutë (dikush) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). Iu kalbën trutë (dikujt) u matufos, është mykur, nuk është në gjendje të gjykojë më, ka marrë fund nga gjykimi; i janë mykur trutë. I ka trutë në *bark (dikush). I ka trutë në *fund të këmbëve (dikush). E ka trurin (mendjen) *fushë shpërf. I ka trutë *hime (krunde) (dikush) shpërf. S’ka tru (në kokë) (dikush) shpërf. s’është i zgjuar, s’ia thotë, s’ka mençuri; është i mpitë në të menduar, është i trashë, asgjë s’kupton; është kokëbosh; i ka trutë në bark; i ka trutë në fund të këmbëve; s’ka kokë (krye); e ka kokën (kryet) bosh; (është) mizë pa kokë (pa krye). E ka trurin *të lëmuar (rrafsh, shesh) (dikush) përçm. I ka trutë *të situr (dikush). Më kërcyen trutë në kokë. 1. shih më hipi gjaku në kokë (në tru). 2. shih më shkrepi (më feksi) në tru (diçka). Të kripsha trutë! iron. mospërf. qenke fare pa tru!; ç’janë këto budallallëqe që po thua! (kur dikush flet kot ose thotë diçka pa u menduar, pa gjykuar mirë); të kripsha mendjen. Të kruan *kokën e të nxjerr trutë (dikush) keq. E kanë lënë trutë (dikë) shih e ka lënë mendja (dikë). E ka lëshuar truri (dikë) harron shumë; nuk mban mend fare; i është mpirë truri (dikujt); nuk mban mend (dikush). Lodh trurin (për diçka) shih lodh mendjen (për diçka). Më mbiu në tru (diçka) shih më mbiu në mendje (diçka). I kanë mërdhirë trutë (dikujt) mospërf. s’është i aftë të arsyetojë qartë, është rrëgjuar nga mendtë; i është mpirë truri. I mblodhi trutë (dikush) shih e mblodhi mendjen (dikush). *I metë (çyryk, sakat) nga trutë (nga mendja) (dikush). I është mpirë truri (dikujt) e ka humbur zgjuarsinë a mprehtësinë mendore (nga lodhja, nga pleqëria etj.); i është dobësuar kujtesa; e ka lëshuar truri (dikë); (është) i mpitë nga mendtë (dikush). I janë mykur trutë (dikujt) ka mbetur prapa të tjerëve në mendime; është i prapambetur, mendon me të vjetrën; iu kalbën trutë. E ngul (e ngulit) në tru (diçka) shih e ngul (e ngulit) në mendje (diçka). Iu ngul (iu ngulit) në tru (diçka) shih iu ngul (iu ngulit) në mendje (diçka). Më nxori trutë (e kokës) (dikush) më mërziti e më shqetësoi shumë dikush duke bërtitur a duke bërë zhurmë të madhe e të vazhdueshme, nuk e duroj dot kur thërret a ulërin; më nxori mendtë; më nxori tëmthat; më thartoi trutë. Me një *okë tru. I pjell truri (dikujt) shih i pjell mendja (dikujt). S’ia pret truri (dikujt) shih s’ia pret (s’ia kap, s’ia rrok) mendja (dikujt). I punon truri (dikujt) është i aftë të gjykojë e të arsyetojë drejt; kupton, është i zgjuar, e kap shpejt diçka; ka aftësi mendore krijuese, ka ide, mund të shpikë a të zbulojë diçka; i punon mendja; i punon koka. Aq i rëndojnë trutë (dikujt) tall. aq ia pret, aq mend ka, aq është i aftë të arsyetojë, nuk kupton a nuk arsyeton dot më shumë. Është ronitur nga trutë (dikush) shih është ronitur nga mendja (dikush). I është rralluar truri (dikujt) s’ka më atë qartësi mendimi ose e ka lënë kujtesa; është bërë si budalla, është matufosur a është si i trullosur; i kanë rrjedhur trutë; i janë rrudhur trutë; i kanë shkarë trutë. Ka rrjedhur nga trutë (dikush) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). I kanë rrjedhur trutë (dikujt) nuk është në gjendje të mendojë e të gjykojë qartë; është bërë budalla, është matufosur, ka rrjedhur, ka lajthitur ca; harron shumë, e ka lënë kujtesa; nuk ka aftësi të mjaftueshme mendore; ka rrjedhur nga trutë (dikush); është shkundur nga trutë (dikush); i kanë shkarë trutë; s’është mirë (në rregull) nga trutë (dikush); i janë tharë (i kanë shteruar) trutë përb.; i janë thartuar (i janë uthulluar) trutë; është trëndelinë (nga mendja) (dikush); iu bënë trutë ciknë; e kanë lënë (e kanë lëshuar) sendet (dikë). I janë rrudhur trutë (dikujt) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). I kanë shkarë trutë (dikujt) s’është më i aftë të arsyetojë e të gjykojë drejt e në mënyrë të shëndoshë, ka humbur qartësinë mendore; ka shkarë; i kanë rrjedhur trutë; i është rralluar truri; i ka rënë në tru të vogël; nuk është në vete (dikush). Më shkrepi në tru (diçka). 1. Më erdhi papritmas një mendim për diçka; u kujtova menjëherë, më shkrepi diçka; më hipi (më kërceu) në tru; më kërcyen trutë në kokë; më hipi (më kërceu) në kokë. 2. (për diçka). Më hipi në çast për të bërë diçka pa u menduar shumë, më erdhi papritur një mendim a një dëshirë për diçka, m’u shkrep; më hipi (më kërceu) në tru; më kërcyen trutë në kokë; më hipi (më kërceu) në kokë. Ia ka shkundur era trutë (dikujt) mospërf. është fare mendjelehtë dikush; është a bën si i marrë; (është) karafil nga mendja (dikush) përçm.; është trëndelinë (nga mendja) (dikush). Është shkundur nga trutë (dikush) është matufosur, ka rrjedhur; i kanë rrjedhur trutë (dikujt); i janë tharë (i kanë shteruar) trutë (dikujt); është trëndelinë (nga mendja); është trokë nga mendja. Ia shpëlau trutë (dikujt) ia hoqi mendimet a bindjet që kishte dhe i nguliti mendime e bindje të tjera; ia pastroi idetë dhe e bindi plotësisht për diçka, në mënyrë që ai të mos mendojë me kokën e vet; ia shpëlau kokën; ia kulloi mendjen. Shpëlarja e trurit keq. heqja e mendimeve a e bindjeve që ka dikush dhe ngulitja e mendimeve dhe e bindjeve të tjera; pastrimi i dikujt nga idetë dhe bindja plotësisht për diçka, në mënyrë që ai të mos mendojë me kokën e vet. Shtrydh trutë mendohem fort për diçka, shtrëngohem e përpiqem shumë ta kuptoj a ta gjej me mend; shtrydh mendjen; vras mendjen; shtrëngoj kokën me duar. I është trashur truri (dikujt) shih i është trashur mendja (dikujt). *I trashë nga trutë (nga mendja, nga koka). I janë tharë (i kanë shterur) trutë (dikujt) përb. e ka humbur aftësinë për të menduar drejt e thellë, për të gjykuar qartë, për të kuptuar mirë etj.; nuk është në gjendje të bëjë punë krijuese; ka rrjedhur, është matufosur; i kanë rrjedhur trutë; është shkundur nga trutë (dikush); s’i pjell mendja; është trokë nga mendja (dikush). Ia thau trutë (dikujt) ia lodhi aq shumë mendjen një punë, sa s’është më në gjendje të merret me një veprimtari krijuese ose të kuptojë mirë diçka, s’i hyn më gjë në kokë. I janë thartuar (i janë uthulluar) trutë (dikujt) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). Thartoj trutë lexoj, mësoj a studioj shumë, sa lodhem nga mendja; derdh trutë. Më thartoi (më uthulloi) trutë (dikush a diçka) më mërziti aq shumë sa nuk e duroj dot më; më ngacmoi nervat; më lodhi sa nuk më punon mendja më; më trullosi; më nxori trutë (e kokës). *Thumb i ngulur në tru. Vuan nga (për) trutë e kokës (dikush) nuk është në gjendje të mendojë mirë e të gjejë zgjidhje për diçka dhe është vetë fajtor, s’i kupton mirë gjërat dhe vetë e ka fajin; vuan për mendtë e kokës. Vras trutë (për diçka) shih vras mendjen (për diçka). I ka zënë truri *dhjamë (dikujt). I kanë zënë trutë *myk (dikujt). I kanë zënë trutë *ndryshk (dikujt). Më ziejnë trutë shih më zien (më mizëron) koka.
TRUC ndajf. 1. Grumbull, bashkë. Kopeja u mblodh truc kokë më kokë.2. (Si) lëmsh, top, shuk. Çarçafi (peshqiri) i ishte mbledhur truc. U mblodh truc nga frika.✱Sin.: grumbull, bash…
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUC vep., ~A, ~UR kal. Ngjesh, rras, rrasallit. Truc dheun. Truc thesin.
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUK pasth. Hesht! Pusho! Qetësi! Mjaft më! Rri urtë! Mos u ndiej! Truk, të thashë!
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUK,~U m. sh. ~E, ~ET Veprim dredharak që fsheh të vërtetën, veprim mashtrues, manipulim, marifet, hile, rreng, pehlivanllëk. Truk kinematografik. Truke zhonglerësh.
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUK vep., ~A, ~UR kal. Hesht, qetësoj dikë (zakonisht fëmijën që të mos qajë a që të mos bëjë zhurmë). Truke pak atë fëmijë se plasi, nuk po pushon.
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUM,~I m. sh. ~A, ~AT krahin. Qengj i shëndoshë, i majmur, majmë. Ushqen trumin.
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. fiz. Çdo qenie, send, lëndë a pjesë e saj, me tipare e me veti të ndryshme dhe në trajta të ndryshme, që zë një vend të caktuar në hapësirë; send lëndor. …
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUP ndajf. 1. Drejt, përmes, mes për mes; në rrugën më të shkurtër, shkurt. I ra pyllit trup. T’i biem fushës trup. I ra trup e trup detit i ra detit anembanë.2. fig. Copë, preraz…
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUQ,~I m. sh. ~A, ~AT Grumbull. Truqi i druve stiva e druve. Truqi i gurëve (i dheut) pirgu i gurëve (i dheut). U bëftë truq! (mallk.) U bëftë lëmsh! Mbettë ulok!✱Sin.: grumbull, …
Shfaq përkufizimin e plotë →TRUS vep., ~A, ~UR kal. 1. Trys.2. Fut me forcë, kall, rras, ngjesh. Truse në thes.3. përçm. Përdoret në mënyrën urdhërore: Trusu aty! Rri urtë! Mos u ndiej! Hesht! Pusho! Mos fol!…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë