Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
TÁP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Lëndë shumë e lehtë, e cila nxirret nga lëkura e disa drurëve, që përdoret për shtupa, për shollë këpucësh, për rrjeta peshkimi etj.; copë nga kjo lëndë. Lisi i tapës. Copa tape. Taka prej tape. I vuri tapat rrjetës. Zë të çarat e barkës (e fuçisë) me tapë kalpëtoj, kallafatoj. I lehtë si tapë shumë i lehtë, pendë pule. Dru tape. bot. dru, nga i cili nxirret kjo lëndë.
2. Shtupë prej druri, prej gome, prej plastike etj. për të mbyllur enë që mbajnë lëngje; gëlçomë, kaçole. Tapë druri (llastiku, plastike, metalike, kauçuku, qelqi). Tapa e shishes (e shtambës, e bucelës, e bidonit, e pagurit, e faqores). Nxjerrëse tapash tapënxjerrëse. I hoqi (i vuri) tapën. Mbyll me tapë. I ka dalë tapa. Tapë e filetuar. I ka humbur tapa. Ngjesh tapën. U prish tapa. Nuk nxjerr dot tapën.
3. Mjet shpëtimi nga mbytja në ujë, që zakonisht lidhet në mes si brez dhe që përbëhet prej kësaj lënde ose prej një lënde tjetër të lehtë. Tapë shpëtimi. I hodhi tapën. Ngjeshi tapën në brez.
4. Diçka që zë vend e ngjishet diku dhe nuk lë të dalë a të lëvizë diçka tjetër. Tapë dheu. Pastrimi i tapave të rërës.
5. bised. (argo shkollarësh) I papërgatitur (në mësime). Tapë në mësime i papërgatitur në shkollë. Tapë topi zero me bisht (me xhufkë).
6. si mb., fig., bised. I dehur keq, i pirë sa nuk e mbajnë këmbët, rrumbull, sarhosh. U bë tapë. Erdhi (u kthye) tapë në shtëpi.
✱Sin.: shtupë, mbyllëse, gëlçomë, gruçkë, vulimë, i dehur, rrumbull, sarhosh, gdhe, i papërgatitur.
♦ U bë tapë (dikush) piu shumë e u deh keq, nuk e kontrolloi më veten nga pija; u bë thumb; u bë lundër; u bë kaike tall.; u bë lumë; u bë përrua; u bë xurxull; u bë bërryl; u bë karroqe tall.; u bë tym; u bë rrip daulleje; u bë bërllok; i ka hipur cjapit; zuri veshin; piu mendjen. Është tapë (tapë topi) (dikush) tall. nuk di e nuk kupton asgjë, nuk merr vesh fare, nuk ka fare njohuri për një fushë a për një çështje të caktuar; është krejt i paditur; është (ka mbetur) trokë; është (ka mbetur) krunde; është i trashë nga mendja (nga trutë, nga koka). I vuri tapën gojës (dikush) shih i vuri shtupën gojës (dikush). Është si tapa në shpinë të detit keq. s’është i zoti të zërë vend e të qëndrojë, s’qëndron dot në një vend.
TAPËNXJÉRRËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Turjelë e vogël për të nxjerrë tapën e shishes; nxjerrëse tapash.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë