Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
STIL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. art., let. Tërësia e veçorive themelore ideoartistike, e mjeteve dhe e mënyrave të shprehjes, që bien në sy në krijimtarinë e një shkrimtari, të një artisti, të një rryme a të një epoke dhe që përsëriten pak a shumë në një sërë veprash. Vepra e tij karakterizohej nga një stil i veçantë. Stili realist i dramës ishte shumë goditës. Vizituan një kishë të stilit bizantin. Stili i arkitekturës mesjetare vërehej në një pjesë të ndërtesave të qytetit. Stili i shkrimtarëve rilindas është mbresëlënës.
2. gjuh. Zgjedhja dhe ndërthurja e mjeteve të gjuhës (kryesisht e mjeteve leksikore e sintaksore) në përputhje me kërkesat e një fushe të veprimtarisë, me përmbajtjen ose me metodën artistike dhe me qëllimet e shkrimtarit; shtresimi i mjeteve të gjuhës sipas funksioneve që kryejnë në ligjërim. Normativizimi në përdorimin e stileve gjuhësore. Stilet funksionale të gjuhës. Sistemi i stileve. Stili i plotë i shqiptimit.
3. Mënyra si i shpreh mendimet dikush kur flet a kur shkruan. Ka një stil të thjeshtë në përshkrimin e ngjarjeve. Stili i tij i rrjedhshëm e bën prozën të pëlqyeshme. Mangësitë në përzgjedhjen e njësive të stilit viheshin re dukshëm.
4. Tërësia e mënyrave dhe e mjeteve që përdoren në një veprimtari për të arritur një qëllim të caktuar; mënyra si vepron a si sillet dikush. Stili i ri i punës iu prezantua punonjësve të firmës. Stili i drejtimit të institucionit nuk ishte i duhuri. Pasi përcaktuan metodat dhe stilin e projektit që kërkohej, të gjithë filluan punën. Kjo është tipike për stilin e tij. E përmirësuan stilin, por ishte shumë vonë, dëmi ishte bërë.
5. sport. Mënyra e ushtrimit të lëvizjeve në një lloj të caktuar sporti. Teknika dhe stili i kërcimit ishin të papërsëritshëm. Në garat e notit, doli kampion në stil të lirë. Stili delfin ishte nga më të vështirët, por ai ia doli me sukses.
6. gjuh. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje stilesh gjuhësore. Stil bisedor stil karakteristik në formë dialogu që përdoret në bisedat e përditshme. Stil libror stil të shkruari tipik për ligjërimin e shkruar. Stil shkencor stil i kumtimeve dhe botimeve me tematikë shkencore. Stil telegrafik stil shumë i ngjeshur e i përmbledhur, i shprehur me fare pak fjalë, që i ngjan një njoftimi të dhënë me telegram. Stil zyrtar stil të shkruari në shkresa e letërkëmbim midis zyrtarëve; stil formal.
7. arkit., muz. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje stilesh në arkitekturë dhe muzikë. Stil barok stil i arkitekturës, muzikës dhe pikturës evropiane të shek. XVII-XVIII, që karakterizohet nga zbukurime të detajuara. Stil gotik stil ndërtimi me harqe të thyera me një kënd në mes, kube të larta që mbarojnë nga jashtë me maja të gjata, të mprehta e të gdhendura, dritare të mëdha me xhama shumëngjyrësh dhe zbukurime të imëta e të ndërlikuara, të gdhendura sidomos në gur. Stil rokoko stil i arkitekturës dhe zbukurimit që lindi në Francë si kundërvënie ndaj barokut në fillim të shek. XVIII dhe që dallohet për larminë e stërholluar të formave e të vijave.
8. sport. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje stilesh noti. Stil bretkosë mënyrë notimi si bretkosë, duke lëvizur anash me hapje të gjerë këmbët e duart brenda në ujë. Stil delfin mënyrë notimi me lëvizje të të dy krahëve dhe këmbëve njëkohësisht, duke e çarë ujin me gjoks. Stil flutur mënyrë notimi me trup të shtrirë, me kokë të zhytur në ujë e me të dy krahët të hapur, që lëvizin në të njëjtën kohë. Stil i lirë mënyrë notimi në garat e shpejtësisë, në të cilën notarët mund të notojnë zakonisht në katër mënyra të ndryshme.
♦ Në stil të gjerë libr. në përpjesëtime të mëdha; në sasi të madhe; gjerësisht, në mënyrë ballore.
STILÍST,~II m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shkrimtar ose autor tjetër që është mjeshtër në përdorimin e mjeteve të gjuhës letrare sipas kërkesave të stilit përkatës, që i zotëron mirë mjetet sh…
Shfaq përkufizimin e plotë →STILÍST,~III m. sh. ~Ë, ~ËT Profesionist ose ekspert në fushën e stilit, kryesisht në kontekstin e modës. Stilisti i njohur krijoi një koleksion veshjesh që u pëlqye nga kritikët e…
Shfaq përkufizimin e plotë →STILISTÍK,~E mb., gjuh. let. 1. Që ka të bëjë me stilin, i stilit. Shtresëzimi stilistik i gjuhës ishte një prej tipareve që e bënin të veçantë veprën. Studiuesi analizoi mjetet st…
Shfaq përkufizimin e plotë →STILIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur stilizoj a stilizohet. Stilizimi i valleve popullore. Stilizim për qëllime satirike. Stilizim i gjuhës së shkrimtarëve të vjetër. 2. Vepër…
Shfaq përkufizimin e plotë →STILIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I jap tiparet dalluese të një stili të caktuar; imitoj stilin, veçoritë e gjuhës, të mjeteve shprehëse të një shkrimtari, të një mjedisi a epoke …
Shfaq përkufizimin e plotë →STILIZÚAR (i, e) mb. Që është stilizuar; që është përpunuar e që ruan disa tipare themelore a veçori dalluese të origjinalit. Ishte një vepër e stilizuar. Pikturë e stilizuar. Vesh…
Shfaq përkufizimin e plotë →STIL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Realizoj veshje. Ajo mund të stilojë veshje për fëmijë.
Shfaq përkufizimin e plotë →STÍL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Rreze. Stilat e diellit po hynin nga dritarja e dhomës. Mbylli sytë që të mos i vrisnin sytë stilat e dritës.2. sh. Shufra të holla për thurjen e kurthi…
Shfaq përkufizimin e plotë →STÍLËZ,~AI f. sh. ~A, ~AT Rreze. Stilëzat hynin nga të gjitha vrimat e çadrës së vjetër në të cilën ishin strukur.
Shfaq përkufizimin e plotë →STÍLËZ,~AII f. sh. ~A, ~AT Lastar. Stilëzat e reja të pemëve po bulëzonin.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë