Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
SHTÍE vep., SHTÍVA, SHTËNË kal. 1. Hedh në një enë një lëng ose një lëndë tjetër, që është zakonisht si pluhur a në trajtë kokrrizash; i shtoj diçkaje një lëng a një lëndë tjetër; fut, hedh. Shtie ujë (verë, raki, qumësht, çaj) në gotë. I shtiu ujë verës. I shtie vaj (uthull) sallatës. I shtie kripë gjellës. I shtie sheqer qumështit. Nuk i shtie piper. I shtie edhe një gotë. Shtie grurin në thasë (në hambar). Shtie ullinjtë në kosh. Shtie rrushin në voza. I shtie dy filxhanë oriz supës. U shtie pleh luleve. Shtie duhan në çibuk. Gëlqeres i shtiem ujë (rërë).
2. I jap dikujt për të ngrënë, i hedh ushqim. U shtie fëmijëve të hanë. Shtjerna supën (gjellën). U shtie tagji kuajve. I shtie bar gomarit. U shtie pulave. Shtjeru qeve!
3. Hedh, fut a vë diçka brenda në një vend të mbyllur ose të rrethuar, në një enë, brenda diçkaje etj.; fut dikë a diçka në një vend; e përfshij brenda diçkaje, e vë a e shtoj diku; kund. nxjerr; vet. v. III e lejon të kalojë diçka, e lë të hyjë. Shtie bukët (tavat, byrekët) në furrë. Shtie plaçkat (rrobat, enët) në dollap. Shtie librat në çantë. Shtie shaminë (duart) në xhep. Shtie krahun në mëngë. I shtie dru sobës. Shtie patatet në dhe. E shtinë në burg. E shtinë në dhe e varrosën. E shtifsha në dhe! (mallk.) Mikun e shtien në odën e mirë. E shtinë në listë. Shtjere brenda! Shtie këmbët në yzengji. Çatia na shtie shi çatia pikon. Na shtie tym oxhaku.
4. Vë për të zier (për ushqimet që janë kokrra a kokrriza, për makaronat etj.). Sot kemi shtënë fasule (thjerrëza). Do të shtie ca makarona (ca petë).
5. Kaloj diçka nëpër diçka tjetër, shkoj, fut, vë. Shtie perin në gjilpërë. Shtie duhanin në varg. I shtie shulin derës. I kishte shtënë krahun. I shtiu stërkëmbësin dikujt. Kush ka nge, shtie rruaza në pe. (fj. u.).
6. Lëviz dorën a një gjë tjetër drejt diçkaje, e shpie në një drejtim për të rrokur diçka, e çoj me vrull. Shtiu dorën në kobure. I shtiu thonjtë në fyt.
7. Vë diçka mënjanë për ta ruajtur për një kohë tjetër, përgatit e ruaj për dimër, vë zahire; grumbulloj a mbledh diçka; fut. Shtie drutë e dimrit. Shtie bukën e re. Shtiu zahire. Shtie ushqim për bagëtinë. Shtie lekë në arkën e kursimit. Shtimë të gjithë nga dhjetë lekë. Kishte shtënë shumë gjë e mall. Ka shtënë shtatëqind ditë-punë sivjet.
8. E fut dikë në punë, në shkollë etj., e vë të punojë, të mësojë etj. Shtie djalin në shkollë. I shtinin djemtë në zanat. E shtinë në punë (në fabrikë). E shtinë si ndërtues.
9. Fut, vë; hedh (edhe fig.). E shtie në punë diçka e përdor për diçka. E shtie në qarkullim një mall (një libër, një fjalë të re). E shtie në harresë e lë në harresë, e harroj. 10. I shtoj diçkaje një pjesë duke e qepur, duke e mbërthyer a duke e ngjitur. I shtie çarçafin jorganit. U shtie gjysma këpucëve. I shtiu një arnë.
11. edhe fig. E bëj dikë që të ndiejë diçka, i fut diçka në shpirt, e shpie në një gjendje shpirtërore të caktuar (zakonisht jo të mirë); fut, kall (edhe në një varg njësish frazeologjike). I shtiu frikën (tmerrin, lemerinë, datën). Më shtiu krupën (të keqtë). I shtiu ethet. Na shtiu të zezat. I shtiu zilinë. I shtiu besim në shpirt. U shtiu (u hodhi) shpirt u dha guxim. E shtiu në merak (në bela). E shtiu në mendime. E shtiu në ngasje e tundoi. Ka shtënë dashuri ka rënë në dashuri. Më shtinë të besoj se... Mos i shtjer hidhërim vetes! mos u hidhëro!
12. Vë një njeri të bëjë diçka për mua, fut, kall; i ngarkoj a i besoj dikujt një punë. Shtinin dorëzënë. Shtinë ndërmjetës. Shtinë pleqtë. Shtiu dikë për ta vrarë. Shtinë ustallarët për të bërë shtëpinë.
13. kryes. jokal. Gjuaj me gurë, me shkop etj.; qëlloj me shkelm, me pëllëmbë etj.; qëlloj me armë, i bie me pushkë. Shtiu me gur (me shkop). Shtinte me shkelma (me pëllëmbë, me grushte). Ajo mushkë shtie (shkelma). Shtie me pushkë (me revole, me çifte, me mitraloz, me mortajë, me top). Shtinin me shigjeta. Shtinin pa pushim. Shtiu nga larg (nga afër). Shtie në erë. Kjo pushkë shtie mirë. Di të shtiesh? Mos shtini! Pse i shtie ?
14. jokal., vet. v. III Bie diku, godet, gjuan, qëllon (për rrufenë). Rrufeja shtie në pyje. Shtiu afër.
15. I drejtoj diku (për sytë). Shtinte sytë në të katër anët. Mos i shtjer sytë andej.
16. Ia ngarkoj dikujt, ia bëj përsipër, ia hedh (fajin etj.). Ia shtinë fajin atij.
17. edhe jokal., vet. v. III Pjell para kohe, dështon. Shtiu lopa. Shtinë dhentë (dhitë). Shtiu pela një mëz.
18. Hedh poshtë, rrëzoj përtokë; vras; vet. v. III nuk i mban kokrrat; i rrëzon gjethet (për pemët e drurët). Kjo mushkë të shtie. Breshri e shtiu fare grurin. E ka shtënë era. I shtiu fiku (molla) kokrrat. I shtiu përdhe. Shpardhi i shtie gjethet në vjeshtën e dytë.
19. vet. v. III Lëshon a nxjerr diçka nga vetja. Mani ka shtënë degë të reja. Me shi shtie rrënjë duhani.
20. krahin., jokal., vet. v. III Roit, luzmon, lëshon. Shtinë bletët.
21. Shkrif a shprish lesh. Shtie lesh. Shtie dyshekët (jastëkët).
22. Përdor fallin për të gjetur diçka (sipas besimeve të kota); përdor shortin a lotarinë për të vendosur ose për të fituar diçka. Shtinin fall. Shtinë short (shkurtën). Shtien çift a tek. Shtinte (në) lotari (me letra).
23. bised., jokal., kryes. v. III Ngjan, shëmbëllen, anon, merr. Djali shtie nga e ëma. Këto vende këtej nuk shtien me vendet tona.
24. Përdoret së bashku me emra, zakonisht prejfoljorë e të paraprirë nga një parafjalë, dhe formon me ta togfjalësha me kuptimin e foljeve që kanë lidhje fjalëformuese me këta emra (edhe në një varg njësish frazeologjike). E shtiu nën kontroll e kontrollon, e zotëron. E shtie në be e vë të betohet, e detyroj të bëjë be, e përbej.
♦E shtie në *amë. Ç’i shtie *bar! (dikujt) përb. Më shtiu *barkun (dikush a diçka) keq. Shtie me *bathë (dikush) tall. E shtie (e fut) në *bigë (dikë). Shtira (më ranë, m’u këputën) *brinjët. Të shtie (të kall, të jep) *datën (dikush a diçka). E shtiu (e vuri) në *dorë (dikëa diçka). I shtiu dridhmën (dikujt). I shtiu (i futi) të dridhurat (dikujt). I shtiu (i futi) *ethet (dikujt). Shtie (hedh) *fall (dikush). E shtiu (e futi) në *grackë (dikë). E shtiu (e vuri) në *gropë (dikë). Shtie *keq (dikush). Më shtiu (më shpiku) *të keqtë (dikush). Më shtiu *këmbët (dikush). E shtiu (e futi) në *kllapë (dikë). Më shtie (më ngjall, më kall) *krupën (dikush a diçka) përb. E shtiu (e futi) në *kurth (dikë). E shtiu (e futi) në *lak (dikë). E shtie (e çon) *marrja (diku) mospërf. Ia shtie (ia fut) në *mend (diçka). Ia shtie (ia fut) në *mendje (diçka). I shtiu (i futi) *mizat (dikujt). S’e shtie (s’e vë, s’e zë, s’e fut) në *numër (dikë). I shtie *pishat (dikujt). Më shtiu *pleshtat (dikush). E shtiu (e futi) në *rreth (dikë). E shtiu në *rrjetë (dikë). Nuk ia shtie (nuk ia hedh) *sytë (dikujt a diçkaje). Shtie *tek a çift. E shtiu (e futi) në *thes (dikë) keq. E shtiu (e vuri) në *varr (dikë). E shtiu (e futi) në *vathë (dikë). Më shtiu (më futi) *veremin (dikush a diçka) vjet. Ia shtiu (ia futi) në *vesh (dikujt). I shtiu (i futi) *xixat (dikujt). I shtiu (i futi) *zekthin (dikujt).
SHTJERR vep., SHTÓRA, SHTJÉRRË kal. 1. Zhdredh një fill të tjerrë, shthur; kund. tjerr. Shtjerr fillin. 2. Çmbledh një fill të mbledhur, zbledh; kund. mbledh. Shtjerr lëmshin. 3. S…
Shfaq përkufizimin e plotë →SHTJERRÍ,~A f., përmb. 1. Tërësia e qengjave dhe e kecave, qengjat e kecat së bashku, tufë qengjash e kecash. Mbledhin (ndajnë) shtjerrinë. Kullot shtjerrinë. 2. Tufë mështjerrash.
Shfaq përkufizimin e plotë →SHTJÉRR/Ë,~A f. kryes. sh. ~A, ~AT 1. Qengj. Një tufë shtjerrash. Mish shtjerre. Kullot shtjerrat. Shkon me shtjerra. I urtë (i butë) si shtjerre. Fle si shtjerrë. Fle gjumin e sht…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë