Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
SHPËT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E nxjerr ose e largoj dike a diçka nga një rrezik, nga një fatkeqësi a e keqe e madhe, nga një gjendje e vështirë etj.; e mbroj dhe e ndihmoj që t'i shmanget dikujt a diçkaje, të çlirohet nga dikush a diçka, të dalë nga një gjendje e rëndë. E shpëtoi nga vdekja (nga mbytja). I shpëtoi jetën (kokën). E shpëtuan shokët. Shpëtoi veten dhe fëmijët. Shpëtoi nderin. E shpëtuan grurin nga zjarri Kanali e shpëtoi fushën nga thatësira. Na shpëtoi nga sëmundjet. Na shpëtoi nga hallet (nga telashet).
2. I largoj dikujt diçka të padëshirueshme, të papëlqyeshme a të dëmshme, e çliroj nga diçka që e shqetëson, e mërzit a e bezdis. Na shpëtoi shiu nga vapa. Rruga e re na shpëtoi nga balta. E shpëtoi nga ai njeri. Ky bar na shpëtoi nga mizat.
3. jokal. Dal nga një rrezik a nga disa rrethana të vështira pa pësuar gjë; mbetem gjallë; dal nga një gjendje e rëndë e nuk vuaj më. Shpëtoi nga vdekja (nga plumbi, nga litari, nga burgu). Shpëtoi nga rreziku (nga rrethimi). Shpëtoi pa u vrarë. Shpëtoi për qime (për një majë gjilpëre). Shpëtoi paq (mirë). Thamë se shpëtuam. Nuk i shpëtuan hakmarrjes së popullit. Shpëtoj nga vuajtjet (nga mjerimi, nga shtypja).
4. jokal. I shmangem diçkaje të papëlqyeshme, të padëshirueshme, të mërzitshme a të dëmshme; gjej prehje, gjej qetësi, nuk më trazon kush. Shpëtoi nga një barrë. Nuk i shpëtoi përgjegjësisë. Shpëtoi pa rrahur. Shpëtoi nga fjalët (nga thashethemet). Shpëtuam nga vapa (nga mizat, nga mushkonjat). Shpëtuam nga balta. Shpëtuam nga bejlerët. Kam shpëtuar me këto këpucë.
5. jokal. Më bie nga dora një send nga pakujdesia, nga një tronditje ose ngaqë është shumë i rëndë a i rrëshqitshëm. I shpëtoi pjepri (gota, shishja, pjata) nga duart. I shpëtoi timoni nga duart. I shpëtoi topi.
6. jokal. Shkëputem me forcë nga dikush dhe iki me të shpejtë, çlirohem; i shmangem, i iki, i shkas. U shpëtoi nga duart dhe s'e zunë dot. S’ka nga të shpëtojë. S'ke si shpëton. I shpëtoi keci (lepuri, zogu, peshku). Nuk më shpëton dot mua.
7. jokal., vet. v. III Më kalon pa e vënë re, më ikën padashur, më shket (edhe fig.). I kanë shpëtuar shumë gabime. Asgjë nuk i shpëton syrit të popullit. Më shpëtoi nga sytë. Më shpëtoi pa parë ky film. U shpëtoi fitorja nga duart.
8. jokal., vet. v. III Bëj a them diçka padashur a pa e menduar, më del padashur. I shpëtoi një fjalë pa vend. Të shpëtoi apo deshe e e the? Nuk i shpëton as gjysmë fjale. I shpëtuan lot.
9. bised. Mbaroj, përfundoj. I shpëtova punët.
♦I shpëtoi (e bëri) në *brekë (dikush) përb. vulg. Më shpëtoi (më iku) nga *dora (nga duart) (dikush a diçka). Më shpëtoi (më shkau, më rrëshqiti) *goja. Shpëtoi *kokën (kryet) (dikush). Shpëtoi kryet (*kokën) (dikush). Shpëtoi *lëkurën (dikush) keq. S’i shpëton *qimja (dikujt). I shpëton *shurra (dikujt) përçm. vulg.
SHPËTÚES,~E mb. 1. Që bëhet a që shërben për të shpëtuar dikë a diçka, që sjell shpëtim; shpëtimtar. Punime shpëtuese. Unazë (gome) shpëtuese. 2. si em. Sipas kuptimit të mbiemrit.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë