Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
SHESH,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Vend i rrafshët, i hapët, pa drurë dhe i papunuar ose i shtruar; fushë. Shesh i ri. Shesh i madh (i vogël, i gjerë). Shesh me bar. Dolën në një shesh.
2. Zonë e hapur në qytet a në fshat, në kryqëzimin e dy ose më shumë rrugëve, e rrethuar me ndërtesa, e mbjellë me bar dhe pemë dhe që mund të përdoret si park. Shesh i madh (i vogël, i gjerë). Sheshi i lagjes (qytetit, i fshatit). Sheshet e kryeqytetit. Sheshi i pallatit. Sheshi “Nënë Tereza”. Sheshi “Adem Jashari”. Sheshi para bashkisë.
3. Vend i hapur, i caktuar për diçka; vend i posaçëm ku zhvillohen veprimtari të ndryshme. Shesh veror (ditor) vend i posaçëm i pajisur me lojëra e mjete të tjera të nevojshme, ku fëmijët kalojnë në mënyrë të organizuar pushimet verore. Shesh sportiv. Shesh publik hapësirë për të gjithë banorët. Shesh lojërash. Sheshi i burrave (etnogr.) vend në fshat ku mblidheshin ose ndesheshin burrat. Sheshi i kuvendit (etnogr.) vendi ku mblidheshin e kuvendonin burrat e ku merreshin edhe vendime. Shesh ndërtimi (ndërt.) vend i caktuar për ndërtim. Shesh prodhimi (ndërt.) vendi ku përgatiten materiale të ndryshme ndërtimi. Shesh montimi (ndërt.) vendi ku bëhet montimi i materialeve të parapërgatitura. Shesh stërvitjeje. (usht.) Sheshi i lëshimit të raketave. (usht.) Sheshi i ngarkim-shkarkimit. Sheshi i shpimit (të një pusi nafte). Shesh armësh vendi ku përgatiten dhe prej ku mund të fillojnë veprime luftarake. Shesh xhirimi vendi ku xhirohet një film. Sheshi i pazarit vendi ku shiten e blihen mallra të ndryshme.
4. Pjesë toke e sheshtë, truall, tokë, dhe. Rri (ulem) në shesh. Pushoi në shesh. Çohem nga sheshi. Nafta mori sheshin derdhet e përhapet përdhe.
5. Hapësirë toke ku zhvillohet një ngjarje a një veprimtari, vend, fushë. Sheshi i protestave. Sheshi i betejave (i luftërave). Sheshi i koncerteve. Sheshi i mitingjeve.
6. fig. Vendi ku vihet në provë a dëshmohet diçka. Sheshi i integritetit (i nderit). Sheshi i trimërisë (burrërisë). Sheshi i heroizmave.
6. Pjesë e rrafshët e diçkaje, faqe, sipërfaqe. Shesh pushimi (ndërt.) pjesa e sheshtë në kthesat e shkallëve të një ndërtese, sheshore. Sheshi i tryezës (i bankës). Sheshi i kudhrës. Sheshi i shpatës faqja e shpatës. Sheshi i këmbës shputa e këmbës. Sheshi i ballit. Sheshi i kokës pjesa e sipërme e kokës, që vjen si e rrafshët.
7. fig. Hapësirë e lirë për të menduar, për të vepruar etj. Gjeti shesh. Siguroi shesh. I la shesh të lirë dikujt.
8. si mb. Që është i sheshtë, i rrafshët. Tokë shesh. Truall shesh. E bëri shesh.
✱Sin.: fushë, lëndinë, rudinë, rrafsh, lëmë, dystinë, sheshore, pjacë, fushalog, fushore, potolog, zblok, mejdan, arenë, log, faqe, sipërfaqe, sheshpushim.
♦ E bëri sheshin *breg (dikush) iron. E bën shesh me lule (diçka) shih e bën fushë me lule (diçka). Ra e drejta në shesh u bë diçka me drejtësi për të gjithë; u trajtuan të gjithë barabar, nuk iu mbajt ana askujt; ra e drejta në mes; vajti haka tek i zoti. I dolën *lakrat në shesh (dikujt). I dolën *të palarat në shesh (dikujt). Del në shesh (diçka) zbulohet, bëhet e dukshme, e shohin të gjithë; përhapet, bëhet e njohur; bëhet e qartë; del sheshit; merr sheshin; del në fushë; del mbi ujë; del në dritë; del në faqe; i del flaka (diçkaje). I duket bregu shesh (dikujt) shih i duket deti kos (dikujt). I duken malet shesh (dikujt) shih i duken malet fushë (dikujt). Gjen shesh e bën përshesh (dikush) bën si do vetë, sepse nuk e pengon njeri, përfiton nga rasti a nga rrethanat dhe sillet e vepron si i do qejfi; shfrytëzon dobësi të ndryshme, mungesën e rregullit, të kontrollit etj. për të bërë rrëmujë a për t’i çuar punët pa pengesa andej nga do vetë. Gjeti shesh të lirë (dikush) shih gjeti (ka) fushë të lirë (dikush). E ka trurin shesh (*të lëmuar, rrafsh) (dikush) përçm. S’e lë të bjerë në shesh (dikë a diçka) shih s’e lë të bjerë përdhe (përtokë) (dikë a diçka). I la shesh të lirë (dikujt a diçkaje) shih i la fushë të lirë (dikujt a diçkaje). Mori sheshin (diçka) e shohin të gjithë, doli haptas; u përhap dhe e morën vesh të gjithë; doli sheshit. Nuk nxjerr gjë në shesh (dikush) nuk arrin ta përfundojë diçka; nuk është i aftë të mbarojë një punë; nuk ka arritje të mira; nuk nxjerr gjë në krye; nuk nxjerr gjë në treg. Ia nxori *lakrat në shesh (dikujt). Ia nxori *të palarat në shesh (dikujt). E nxjerr në shesh (diçka) e zbuloj një gjë që mbahej e fshehtë a nuk dihej; e bëj të njohur, e shpall; e nxjerr në fushë; e nxjerr në pazar; vë re. Në shesh të burrave (të mejdanit) aty ku provohen forcat ndershmërisht e burrërisht; haptas e trimërisht, ballë për ballë. I shkel *këmba shesh (dyst) (dikujt).
SHESHÉN,~I m. sh. ~A, ~AT Pjesë e dalë në muret e një kulle, sharapoll. Kullë me dy sheshena. Vëzhgonte nga shesheni. Plumbi i erdhi përmes sheshenit.✱Sin.: sharapoll, shaneshin.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë