Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
RROGÓZ,~II m. sh. ~A, ~AT 1. Thurimë e gjatë dhe e gjerë, e punuar me kashtë plishi e me xunkth, që shtrohet përdhe për të ndenjur, hasër, sturë. Bëri rrogoza për gjithë fshatin. Shtroi rrogozin dhe u ulën mbi të.
2. mospërf. Njeri pa vlerë; njeri i pacipë. Me rrogoz qenka ngatërruar!
♦ I është bërë faqja rrogoz (dikujt) përçm. është bërë i pacipë, nuk ndien më turp për asgjë, s’di ç’është turpi; i është bërë faqja shollë; s’i skuqet faqja; i ka plasur cipa (e ballit); e ka fytyrën shtatë hektarë (dikush). I është bërë lëkura rrogoz (dikujt) është mësuar me qortime e me sharje dhe nuk i bëjnë më përshtypje, është regjur; s’ka fare turp; i është bërë lëkura shollë; i është trashur lëkura. U bë rrogoz. 1. (diçka). U rrëzua rrafsh me tokën (për grurin, misrin etj.). 2. (diku). U mbulua krejt me diçka (me pemë që bien në tokë etj.). 3. (dikush). U nënshtrua e u përul, bën ç’i thonë të tjerët; iu bë urë (e vig) (dikujt). Ia bëri veshët rrogoz (dikujt) e qortoi rëndë dikë për një gabim, për një veprim a për një punë jo të mirë; i dha një dënim të lehtë; e qortoi për ta ndaluar që të mos sillet e të mos veprojë keq; i hoqi (i shkuli) veshin (veshët); ia zgjati veshët; ia skuqi veshët; e zuri (e kapi) nga (për) veshi (dikë).Ta çon (ta shkon) ujin nën rrogoz (nën hasër) (dikush) ta hedh fshehurazi e pa e kuptuar, ta punon me dredhi; është dinak i madh; ta çon (ta shkon) ujin nën vete; ta punon prapa krahëve; të ha pas shpine. Më digjet rrogozi (hasra) nën vete kam shumë punë e nuk jam fare i qetë, s’kam fare nge; kam halle shumë e nuk rri dot një minutë; nuk më mban vendi; më zien (më mizëron) koka. I hyri uji nën rrogoz (nën hasër) (dikujt) ra në një gjendje të keqe pa e kuptuar, ra ngushtë nga diçka e papritur; i erdhi një e keqe fshehtas. E la rrogoz (dikë) ia mori të gjitha ç’kishte, s’i la asgjë; e la me gisht në gojë; e la trokë; e la presh në diell. Punon nën rrogoz (dikush) keq. vepron fshehurazi, pa u kuptuar e me dredhi; është fsheharak e hileqar; punon prapa krahëve; punon prapa (pas) perdes; hedh gurin e fsheh dorën. Shtroi rrogozin (dikush) keq. vajti si mik te dikush dhe ndenji aty për një kohë të gjatë, nuk ikën, nuk shkulet; shtroi gunën; ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) rrënjë; leu e mbiu (aty).
RROGOZÍNA,~T f. vet. sh. Hasër. U shtri mbi rrogozina.
Shfaq përkufizimin e plotë →RROGOZTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që thur a punon rrogoza. Ishte rrogoztar i vjetër.✱Sin.: hasratar, hasrabërës.
Shfaq përkufizimin e plotë →RROGÓZTË (i, e) mb. Që është bërë prej rrogozi. Përgatiti shtrojat e rrogozta.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë