Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
RRÁHUR (i, e) mb. 1. Që është përpunuar a përgatitur duke e goditur ose duke e përzier shumë herë me një mjet. Grurë i rrahur. Vezë të rrahura. Qumësht i rrahur qumësht që i është hequr një pjesë e gjalpit. Hekur i rrahur hekur i farkëtuar.
2. fig. Që e kanë shkelur shumë njerëz; që ka lëvizje të madhe (për rrugën). Rrugë e rrahur. Pyje të rrahura.
3. fig. Që është i njohur, që nuk çelet a nuk bëhet për të parën herë; i njohur. Eci në rrugën e rrahur nga të tjerët. Kaloi shtigje të rrahura.
4. fig. Që është shqyrtuar ose trajtuar gjerësisht e hollësisht prej kohe; që nuk ka më gjë të re e nuk ka nevojë të trajtohet më. Problem i rrahur. Çështje të rrahura. Foli për një temë të rrahur tashmë.
5. fig. Që ka përvojë të madhe, i regjur. Njeri i rrahur me jetën (me vështirësitë). Është i rrahur me të gjitha.
6. euf. I tredhur. Dash (cjap, dem) i rrahur.
✱Sin.: i tundur, i pagjalpë, i payndyrshëm, i shukur, i shoshitur, i goditur, i shkelur, i njohur, i trajtuar, i punuar, i regjur, i tredhur, i kalitur, i përvuajtur, i shkelur, i njohur, i shoshitur, i shqyrtuar, i trajtuar, i peshuar, i menduar, i paramenduar, i përsiatur.
♦ (Është) i rrahur (i regjur) me *vaj e me uthull (dikush). *Qen i rrahur përb. *Rrugë (udhë) e rrahur (e shkelur). *Shtigje të rrahura (të shkelura).
RRAH vep., ~A, ~UR 1. kal. Qëlloj dikë me dorë, me shkop a me diçka tjetër disa herë, duke i shkaktuar dhembje; i bie. E rrahu shumë (fort, rëndë, tepër, keq, paq). E rrahu me pëllëmbë (me thupër, me shkop, me kamxhik).
2. fig. bised., kal. Fitoj kundër dikujt (në një lojë), e mund. E rrahu në bilardo. I patën rrahur në shah.
3. kal. Përplas diçka me një tjetër ose pas një tjetre; përplas në ajër (krahët). Rrah këmbët (thembrat). Rrah duart (shuplakat) duartrokas. Zogjtë rrahën krahët. Rrah qepallat (qerpikët). Topi rrahu shtyllën.
4. fig., kal. Shqyrtoj me imtësi e nga shumë anë, bisedoj hollësisht për diçka; trajtoj. E rrahën mirë çështjen. I patën rrahur të gjitha mendimet.
5. kal. Përpunoj një lëndë, duke e goditur, duke e përzier a duke e ngjeshur me forcë shumë herë me një mjet a me duar. Rrah qumështin (kosin). Rrah vezët. Rrah baltën (brumin) gatuaj baltën (brumin). Rrah grurin (qeshqekun). Rrahin orizin (fasulet) zhveshin orizin (fasulet) duke i goditur me shkop. Rrah leshin (pambukun) shkrifëroj leshin (pambukun) me shkop. Rrah hekurin (bakrin) farkëtoj hekurin (bakrin).
6. kal. Bëj një punë duke goditur, duke trokitur etj., i bie shumë herë. Rrah strallin. Rrahu çekanin. Rrihte dyshekun (qilimin, rrobat) godas me shkop për të shkundur dyshekun (qilimin, rrobat). Do ta rrihte me shkop (me çekan, me tundës).
7. kal., vet. v. III Godet me forcë duke u përplasur mbi diçka, bie me vrull e dendur mbi diçka (zakonisht për dukuritë e natyrës). E rreh shiu (breshri, era, dëbora). Rrufetë rrahin pyllin. Deti pati rrahur brigjet. E rrihte të ftohtët (thëllimi).
8. kal. I bie diçkaje disa herë duke nxjerrë një zhurmë a krismë; trokas. Rrah derën. Rrah daullen. Rreh kambanën. Rrah kohën trokas këmbën ose dorën për të përcaktuar ritmin, kur luhet një pjesë muzikore.
9. kal. Qëlloj një vend shumë herë me armë zjarri. Rrahën shënjestrën. E rrahu me top (me mitraloz, me mortajë). E rrahën me zjarr.
10. kal., vet. v. III Godet, qëllon shumë herë një armë zjarri. Rreh topi (mortaja, mitralozi).
11. fig., kal. Shkoj e vij rregullisht nëpër një rrugë, e bëj zakonisht rrugën nga një vend në një tjetër; endem për shumë kohë në një vend, zakonisht të largët, shkel, bredh. Ka rrahur rrugët (udhët, fshatrat, qytetet). Ka rrahur botën (detet). Rreh rrugën Tiranë-Shkodër. Ka rrahur dheun (dynjanë) ka udhëtuar shumë, nuk ka lënë vend pa shkelur.
12. jokal. Anoj; mbaj anën e dikujt. Ai rreh nga unë.
13. bised., kal. Hekuros. Rrah këmishën (rrobat). Rrah me hekur.
14. euf., kal. Tredh. Rrahën demin (dashin, cjapin).
15. jokal., vet. v. III. Punon duke trokitur me rregull, regëtin (për zemrën, damarët etj.). Rreh zemra. Rrahin damarët. Më rreh plaga ndiej dhembje të vazhdueshme në një plagë që po zë qelb, më lufton plaga.
16. fig., jokal. (me një folje në mënyrën lidhore). Përpiqem të bëj diçka, mundohem, bëj çmos. Rrah të them. Rrihte ta gjente me mend.
17. fig., jokal. Synoj, kam qëllim, më punon mendja diku (edhe në një varg togjesh frazeologjike); bëj me ngulm diçka. E di ku rreh e di ku synon. Aty rreh ajo fjalë. Aty i rreh çekani. Rreh larg ai me këto fjalë. Këtu duhet të rrahim më shumë.
✱Sin.: qëlloj, bie, godas, mund, mbyt, ngjesh, rrapangjesh, zhdëp, shqep, gdhend, shkopit, kopanis, ënjt, tund, përplas, shkel, anoj, hekuros, tredh, regëtij, synoj, gjakos, fshikulloj, kamxhikoj, zdrugoj, skuq, nxij, prish, stapis, zbruj, shpërbluaj, testëroj, shemb, shkatërroj, përsiat, shoshit, trajtoj, peshoj, pleqëroj, pleqësoj, përbluaj.
♦ *Qan pa rrahur (dikush). Rreh *benë (dikush). Ia rrah *çekanët (dikujt). I rreh (i shtie) dyfeku *lart (dikujt) iron. Rraha (çava) *dynjanë. Rraha (çava) *dheun. Rreh (vret) *gjetkë (dikush). Rreh *gjoksin (dikush). Rraha *jetën. E ka rrahur *jeta (dikë). Rrahin një *këmborë. I rreh *krahët (dikujt). Rreh *kraharorin (dikush). Nuk rreh në atë *krah (dikush). Rreh (nget) *larg (dikush). Rreh (vret) *lart (dikush). E rrah me *mend (diçka). Rrah *mendjen (për diçka). I rreh *mendja (për diçka). I rreh (i rri) mendja në një *vend (dikujt). Për të rrahur *murin mospërf. Sa rreh *qerpiku. S’rrah (dot) as *qerpikët. I rreh *supet (dikujt). Ia rrahu *syrin (dikujt). I rreh *shpatullat (dikujt). I rrahin *teneqenë (dikujt). I rrahin *tupanin (dikujt). Rreh *ujë në havan (dikush). Rraha (çava) *vendin. Nuk rreh *vesh (dikush). Më rreh *zemra (për dikë a për diçka). Sa të më rrahë *zemra.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë