Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
QÉSHUR (i, e) mb. 1. Që është gjithnjë i gëzuar, i çelur në fytyrë, i dashur e gojëmbël me të tjerët; fig. që shpreh gëzim, me pamje të gëzueshme; i çelur. Fëmijë i qeshur. Është i qeshur. Me fytyrë (me buzë, me sy) të qeshur.
2. fig. Që ka një pamje të ndritshme e të bukur, e cila të gëzon; që ndrit nga pastërtia, nga ngjyrat e hijshme; që premton mbarësi, përparim a lumturi, i qashtër etj. Diell i qeshur. Det i qeshur. Ditë e qeshur. Mëngjes i qeshur. Male të qeshura. Dhomë e qeshur. Fat i qeshur.
3. E hapët, e çelur dhe e ndritshme (për ngjyrat). Ngjyrë e qeshur.
✱Sin.: i çelur, gazmor, buzëqeshur, i përzemërt, behar, i ndritshëm.
QÉSHUR,~IT (të) as. 1. Qeshje. Të qeshurit me zë (pa zë). Të qeshur me pahir (me zor). Ia dha (ia krisi, ia shkrepi) të qeshurit.
2. Shaka. E tha me të qeshur. E mori me të qeshur. E nisën me të qeshur.
✱Sin.: qeshje, buzëqeshje, gaz, tallje, përqeshje, qesëndisje.
♦ E merr me të qeshur (diçka) nuk e vlerëson si duhet, e nënvlerëson, mendon se nuk është ashtu, aq e rëndë, aq e vështirë etj.; i duket si shaka; nuk e merr me gjithë mend; e merr lehtë. Me të qeshur e me të ngjeshur duke e paraqitur diçka si me shaka e me thumba; duke e qortuar e duke e sharë dikë ose duke i bërë një të keqe si me shaka; qesh e ngjesh; hidh e prit.
QESHI vep., ~A, ~UR jokal. 1. Nxjerr një zë të ndërprerë, si shprehje gëzimi, kënaqësie ose ndjenja të tjera të ngjashme; e tregoj a e shpreh gëzimin e kënaqësinë; kund. qaj. Qesh fort. Qesh me të madhe. Qesh me zë (pa zë). Qesh me gjithë zemër. Qesh me lot. I qeshin sytë. Qesh kot. Qesh pa shkak.
2. edhe kal. Tall dikë, vë në lojë; përqesh; qesëndis. E qeshin të gjithë.
3. vet. v. ІІI, fig. Ka një pamje të ndritshme e të bukur që të gëzon, ndrit nga pastërtia, nga ngjyrat e hijshme etj. Qesh natyra. Qesh fusha. Qesh tërë Shqipëria. Qesh tërë shtëpia. Qesh drita zbardhëllon.
4. vet. v. III Më shkon mbarë a më prin, më pret një e mirë, një fitore etj.; buzëqesh. Kujt do t'i qeshë fitorja përfundimtare? I qeshi fati.
✱Sin.: përqesh, qesëndis, zgërdhihem, shndrit, ndrit, shkëlqej, buzëqesh.
♦ (Është) *fol e qesh (dikush). As *qan e as qesh (dikush). I qeshi *buza (dikujt). S’i qesh *buza (dikujt). Qesh (shan) *i dhjeri të përmjerrin! tall. bised. I qesh *fytyra (dikujt). I qeshin edhe *leckat (dikujt). Qesh e ngjesh duke e sharë dikë a duke i bërë diçka të keqe si me shaka; me thumba; me të qeshur e me të ngjeshur; hidh e prit. Qesh (kërcen) në *prush (dikush). As qesh e as qan (dikush) shih as të ngroh e as të ftoh (dikush). Për *të qarë e për të qeshur. Për të qeshur e për *të qarë. Qesh me *sy e qaj me zemër. Më qesh shpirti (*zemra). Qeshin (edhe) *trarët (diku). Më qesh *zemra (shpirti).
QESHURÍ,~A f. Diçka që të habit dhe që është pak qesharake. Qeshuri e botës, e padëgjuar!
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë