Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
QAFÉ,~JA f. sh. ~, ~TË 1. Shall i leshtë që vihet në qafë, qafore. Mbështillet me qafe.
2. Qafëza e një rrobe, jakë. Qafeja e këmishës.
3. Pjesa e sipërme e çorapit që mbështillet rreth kyçit të këmbës; qafa e çorapit.
4. Kular që i vihet kalit, kur rrotullon torkun e mullirit të vajit ose rrotën për të ngritur ujin nga lumi, nga pusi etj. I vuri qafenë. I doli qafeja.
✱Sin.: qafetë, urëz, tevlik.
QÁF/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa që bashkon kokën me trupin e njeriut a të kafshës; ana e prapme e saj, zverku. Qafë e gjatë (e shkurtër, e hollë, e trashë). Qafa e njeriut. Qafa e patës (e lopës, e kalit, e lejlekut, e gjarprit). Arrëza e qafës. Damarët (muskujt, rruazat) e qafës. Gropa e qafës. Lugu i qafës. Përkul qafën. I këputi qafën zogut (pulës). I hodhi lakun në qafë. Iu hodh në qafë e përqafoi. E hipi në qafë. E mban në qafë (fëmijën). Dhimbje qafe (lat. Trachelodynia) (mjek.) ndiesia e dhimbjes në zonën cervikale të shtyllës kurrizore (mjek.).
2. Pjesa e një veshjeje rrotull kësaj pjese të trupit; jakë. Qafa e këmishës. E grisi qafën.
3. Pjesa më e hollë e këmbës ndërmjet pulpës dhe nyjës a pjesa më e hollë e dorës pranë kyçit; pjesa e sipërme e çorapeve a e çizmeve që arrin deri te gjuri ose pjesa e sipërme e disa këpucëve, që mbështjell këmbën nga nyja deri te pulpa. Qafa e këmbës. Qafat e çizmeve (e çorapeve). Këpucë me qafa. Me qafa të gjata (të shkurtra). Thuri (bëri) qafat e çorapeve.
4. Pjesa e ngushtë dhe e zgjatur e një ene, e një vegle etj.; qafëz. Qafa e shishes (e ibrikut). Qafa e gozhdës.
5. anat. Pjesa e zgjatur e një organi, e cila vjen duke u ngushtuar. Qafa e mitrës. Qafa e dhëmbit. Mitër pa qafë (lat. Uterus acollis) anomali e rrallë e sistemit riprodhues femëror, ku mitra është e pranishme, por mungon qafa e saj (cerviksi).
6. bot. Pjesa e ngushtë që bashkon trungun me rrënjët e një bime, qafëz. Qafa e rrënjës. Kalbëzimi i qafës.
7. Vendi më i ulët në kurrizin e një mali a të një kodre ose midis dy majave, ku zakonisht kalon udha për të vajtur në anën tjetër. Qafë mali. Qafa e kodrës. Qafa e Thanës. Kapërceu qafën. Doli në qafë.
✱Sin.: zverk, grykë, qafëmal, kapërcyell, vendkalim, shteg, qafëz, qafalik, qafalak, qafalok, qafishtë, qafoke, qafuk, qafere, qafore.
♦ Iu bë qafa me pala (palë-palë) (dikujt). Më bie në (më) qafë (dikush). 1. Më shqetëson pa të drejtë, më ngacmon kot e më mërzit; nuk më lë të qetë; më bëhet havale. 2. Më ngarkon një faj që s’e kam bërë ose më qorton pa të drejtë; bie në mëkat. 3. Më ngarkon një barrë, ma hedh mua, më rëndon mua; më bie mua ta përballoj diçka; më bëhet bela. Të rëntë (të ardhtë) pas qafe! mallk. vdeksh në vend! të rëntë (të ardhtë) pas veshit! I kanë rënë trutë në qafë (dikujt) mospërf. Del (të nxjerr) po në atë (në një) qafë (diçka) është po ajo gjë, themi po atë gjë; arrin në po atë përfundim, del po aty. Me dorë në qafë. E drodhi (e përdrodhi) qafën (dikush) përb. vdiq; ngordhi; iu kthye qafa prapa (dikujt). E futi qafën në kurriz (dikush) s’do ta shohë a ta dëgjojë atë që flet keq për dikë; nuk e duron dot një njeri që vetëm përgojon të tjerët. E futi qafën në zgjedhë (dikush) ia hyri vetë një pune të vështirë, pranoi me vetëdije të bëjë diçka; e mori përsipër vetë një punë të rëndë. Gur në qafë. Gur qosheje. I ha qafa për këmborë (dikujt) kërkon vetë një detyrë a një punë të vështirë, për të cilën duhet të përgjigjet; kruhet vetë. E hëngri qafën e patës (dikush) përçm. e pësoi siç e meritonte me sjelljen e vet të keqe, mori atë që pritej; e gjeti kokën e kandilit; i gjeti mushka drutë keq.; doli si gjarpri në mes të rrugës; i ra pas buze (dikujt). I hodhi (i vuri) litarin në qafë (në grykë) (dikujt). E hoqi qafe (dikë a diçka) shpëtoi prej dikujt a prej diçkaje, bëri që të mos e ketë më barrë në qafë; e largoi nga vetja; e degdisi larg dikë; e dërgoi (e çoi) prapa diellit (dikë); ia bëri pajë dreqit (shejtanit). M’u hiq qafe! (hiqmu qafe!) largohu e mos më mërzit!, mos më shqetëso!, më lër rehat!; mos më bjer më qafë! I ka hipur në qafë (dikujt) e ka mposhtur a e ka nënshtruar dikë, bën me të si do vetë; i është bërë barrë dhe s’e lë të ngrejë kokë; i ka hipur në zverk; i ka hipur në shpinë; e ka vënë nën vete (dikë). I ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt). I është holluar qafa (dikujt). 1. Është dobësuar nga shëndeti, ka rënë ca; kund. i është trashur qafa. 2. Ra nga gjendja ekonomike, u varfërua, është hollë ekonomikisht; kund. i është trashur qafa. E ka mendjen (i ka mendtë) pas qafe (dikush) shih e ka mendjen (i ka mendtë) prapa kokës (dikush). E ka lakun në qafë (në grykë) (dikush). Të paça më qafë! do të jem unë fajtor për diçka të keqe që mund të të ndodhë, më quaj mua shkaktar për çdo pasojë të keqe a fatkeqësi; mos ki frikë, dyshim a merak, jam i sigurt, zotohem unë (i thuhet për ta nxitur që të bëjë një punë a një veprim me pasoja të panjohura); në qafën time! E ka qafën me një dell (dikush). S’ka qafë për atë këmborë (dikush) nuk është i zoti për diçka, nuk e përballon dot; nuk është i përshtatshëm për një punë; nuk e meriton diçka. E kam në qafë e në krye (dikë) më shqetëson pa të drejtë, më ngacmon kot e më mërzit; më bie në (më) qafë (dikush); nuk më lë të qetë (dikush); më bëhet havale (dikush). E ka qafën të shkurtër (dikush). Ka sy edhe në qafë (dikush). Paç veten më qafë! e ke vetë fajin për diçka të keqe që mund të të ndodhë, je vetë shkaktar për çdo pasojë. Këputi dellin e qafës (dikush) përb. M’u këput qafa mbeta duke pritur dikë që shpresoj të vijë nga një anë, u lodha duke pritur. Iu kthye qafa prapa (dikujt) përb. E kthen kokën (kryet) nga lëviz qafa (dikush). Me lak në qafë. Ia la gurin në qafë (dikujt) shih ia vari (ia la) në qafë (dikujt). Me litar në qafë (në grykë). I ka marrë erë në qafë (dikujt). Më mori më qafë (dikush) më solli dëm shumë të madh, më dëmtoi rëndë me një veprim, me një qëndrim a me një udhëzim të gabuar, më fiku; më futi në një gjendje a në një rrugë shumë të keqe; ma dogji (ma përvëloi) lëkurën; më theri në grykë. Të merr më (në) qafë (dikush a diçka) është shumë i mirë a shumë i bukur, është i përsosur, sa të mahnit me bukurinë a me cilësitë e mira që ka, të bën plotësisht për vete, të magjeps; të lë me gojë hapur; (është) për t’i prerë (për t’i rrëmbyer) kokën (dikush). Më mbeti në qafë (dikush). 1. M’u qep për diçka, nuk më ndahet, nuk më lë të qetë deri sa t’ia plotësoj diçka; më ngacmon kot. 2. Më mbeti mua ta mbaj a të kujdesem për dikë; m’u rëndua; m’u bë barrë. I ka mbetur qafa në damarë (në dej) (dikujt) shih e ka qafën me një dell (dikush). E ngarkon qafën (dikush) i bën keq ose e fajëson kot dikë, ia punon padrejtësisht; bie në mëkat (me dikë); i bie në (më) qafë (dikujt); hyj në gjynah (me dikë); kund. e ka zemrën (shpirtin) qelibar. E ngriti qafën (dikush) nuk përulet më, nuk nënshtrohet; e mblodhi veten; u bë krenar; e ngriti kokën; kund. e uli (e shtroi) qafën. Ta nxjerr gjuhën nga qafa (dikush). E nxora për qafe (diçka) hoqa shumë mundim me diçka që e kisha parë si të leverdishme, të lehtë etj.; më doli nga hundët (për hundësh). Deri në palcë të qafës. Me peshqir në qafë keq. Ia përdrodhi qafën (zverkun) (dikujt) përb. e vrau; e zhduku pa mëshirë; ia përdrodhi kokën (kryet). Pres qafën (për diçka) betohem me kokën time; jam i sigurt plotësisht për diçka; pres kokën (kryet). Në qafën time! shih të paça më qafë! I rri kular në qafë (dikujt). Kur të shohë gropën e qafës (dikush) iron. Kur të shohë qafën (zverkun) pa pasqyrë (dikush) iron. I është trashur qafa (zverku) (dikujt). 1. Është shëndoshur ca, është ngjallur; i është bërë qafa me pala (palë-palë); kund. i është holluar qafa. 2. Ka rënë në një vend të mirë a me të ardhura të mira dhe është pasuruar; kund. i është holluar qafa. Theu (këputi) qafën (zverkun) (dikush). 1. Ra e u vra keq, u bë copë-copë; e pësoi keq, mori fund; zuri qafën (zverkun); ra në greminë. 2. përb. U largua më në fund, iku, u shporr (për dikë që s’e duam a që na ka mërzitur shumë); theu (zuri) arrëzën; theu (këputi) rruazën; e theu këmbën; kund. e solli (e pruri) kokën. E uli (e shtroi) qafën (zverkun) (dikush) përb. u nënshtrua pa kundërshtuar; u pajtua me dikë a me diçka; iu përul dikujt; i zgjati (i shtriu) qafën (dikujt); e uli kurrizin (shpinën); uli kokën; hyri në zgjedhë; kund. e ngriti qafën. I ka varur plëndësin në qafë (dikujt). Ia vari (ia la) në qafë (dikujt) ia ngarkoi një punë një tjetri, ia la atij si detyrë a si barrë; ia la gurin në qafë; ia la barrën. I var ujkut mëlçinë në qafë (dikush). I varet në qafë (për qafe) (dikujt) i kërkon me përkëdheli a me lajka diçka, përpiqet t’i nxjerrë diçka me të mirë e pa iu ndarë; i qepet, i përlëkuret. Më vajti goja prapa qafës u lodha shumë së foluri për të njëjtën gjë; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më ra goja; më zuri gjuha (goja) lesh. I vuri këmbën në qafë (dikujt). Nuk e vë qafën në litar. I vuri shkelmin në qafë (dikujt). Zuri qafën (zverkun) (dikush) u rrëzua dhe u vra keq; vdiq; zuri (la) rruazën; theu (këputi) qafën (zverkun). I zgjati (i shtriu) qafën (zverkun) (dikujt) përb. iu përul dikujt, pranoi vetë t’i nënshtrohej ose të dënohej sipas fajit; u bë skllav i tij; e uli (e shtroi) qafën (dikush) përb.; iu bë urë (e vig).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë