Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
PUSH/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Lë punën për t’u çlodhur, çlodhem, prehem për ca kohë. Pushoj pas studimit (punës). Pushuan nja dy ditë. Pushuam te lokali buzë lumit. S’ka pushuar asnjë minutë. Punoi gjithë natën pa pushuar fare. Kush është i mësuar, s’ka të pushuar. (fj. u.).
2. jokal. Kaloj lejen e zakonshme ose pushimet diku. Po pushojnë në plazhin e Durrësit (e Ulqinit, e Ohrit, e Ksamilit, e Vlorës).
3. jokal., vet. v. III Është varrosur diku, prehet. Këtu pushojnë të rënët.
4. jokal., vet. v. III Ndalon rrjedhën, zhvillimin e vet etj. Pushoi së rrahuri zemra e tij vdiq.
5. jokal., vet. v. III Nuk vepron më, nuk punon a nuk bëhet më; nuk është më; nuk dëgjohet më; ndërpritet, ndalet, ngel. Pushoi shiu (breshëri). Pushoi era (stuhia). Pushoi puna. Pushuan lëvizjet (lëkundjet e tërmetit). Pushoi zhurma. Pushoi motori. Pushoi celulari. Pushuan trokitjet. Pushuan grindjet.
6. jokal. Nuk flas më, nuk nxjerr më asnjë zë nga goja; hesht (për njerëzit). Pusho ti! Pusho, mos qaj! S’i pushoi goja.
7. kal. E largoj dikë nga një punë, nuk e lë më të kryejë një detyrë, e heq nga puna. E pushuan nga puna (nga detyra). E pushuan në vend.
8. kal. Ndërpres një punë, një veprim a një veprimtari etj. Nuk e pushonin këngën (punën). E pushoi vajin (të qarët).
9. kal. Bëj që të ndërpritet rrjedha e diçkaje, zhvillimi i saj etj.; nuk e lë të rrjedhë a të dalë më; e ndal. I pushoi gjakun. Ia pushuan dhembjet. E pushoi çështjen penale.
10. kal. E bëj të heshtë a të mos ndihet më, ndal. Pushoje foshnjën!
11. bised., kal. Çlodh. Ta pushon shtatin.
✱Sin.: çlodhem, çlodh, prehem, qetësohem, rehatohem, praj, ndërpres, ndal, ndalem, ndaloj, ngel, ngec, ngecem, resht, reshtem, terem, osh, hesht, lërej, përzë, heq, largoj, shkrehem, ditoj, reshtet, zhegoj, zhegohem, zhegis, zhegitem, fashit, fashitem, vapoj, veroj, beharoj, mek, shuaj, meh, teret, shter, vjetet, bie, meket, ndërpritet, shuhet, nemitet, shkurtoj.
♦ S’i pushon *goja (dikujt). S’i pushon *gjuha (dikujt). I pushoi *zemra (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë