Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
PLÓTË (i, e) mb. 1. I mbushur tërësisht, deri në buzë, aq sa nxë a sa s’merr më; kund. i zbrazët; bosh. Një gotë të plotë. Kalliri i plotë e mban kryet ulur. (fj. u.).
2. Që shfaqet plotësisht, që duket i tërë; kund. i pjesshëm. Pamje e plotë. Hënë e plotë hënë katërmbëdhjetëditëshe. Eklips i plotë.
3. I shëndoshë e i mbushur në trup, në fytyrë etj.; i bëshëm; i rrumbullakët. Burrë i plotë. Grua e plotë. Me fytyrë të plotë. Vinte i plotë me trup.
4. Që i ka të gjithë përbërësit, që përfshin të gjitha ato që duhen, jo i pjesshëm, jo i cunguar; i tërë, i përfunduar. Njohuri (dijeni) të plota. Të dhëna të plota. Mendim i plotë. Njësi e plotë. Fjalë e plotë. Trajtë e plotë (gjuh.). E kryera e plotë (gjuh.) një nga kohët e shkuara të foljes që tregon se veprimi ose gjendja që shprehen nga folja, ka marrë fund para një veprimi a gjendjeje tjetër në të kaluarën. Numër i plotë (mat.) Qumësht i plotë qumësht që nuk i është hequr ajka.
5. Që përfshin të gjithë, që nuk i mungon asnjë. Listë e plotë. Ekip i plotë. Familje e plotë.
6. Që bëhet a çohet deri në fund, që zbatohet a bëhet tërësisht, që nuk lihet përgjysmë Shfaqje e plotë. Punë e plotë. Kurs i plotë. Orë të plota mësimore. Çlirim i plotë. Shërim i plotë.
7. Që kap të gjitha anët, i përgjithshëm, jo i kufizuar. Liri e plotë. Demokratizim i plotë. Miratim i plotë. Përkrahje e plotë.
8. Që ka arritur fazën më të lartë të zhvillimit; që është në masën a në shkallën më të madhe të mundshme, që bëhet me forcën më të madhe. Pjekje e plotë. Lulëzim i plotë. Shëndet i plotë. Me shpejtësi të plotë. Errësirë e plotë. Bindje e plotë. Besim i plotë. Në fshehtësi të plotë.
9. Që ka lartësinë e duhur, i mbushur (për zërin a tingullin). Zë i plotë. Ton i plotë.
10. I trashë. Fill (pe) i plotë.
11. I dendur. Stof i plotë.
✱Sin.: i mbushur, katërmbëdhjetëditëshe, i shëndoshë, i bëshëm, i tërë, i tërësishëm, tërësor, i gjithë, i gjithsejtë, i paprerë, i pandarë, i paprekur, i përgjithshëm, total, i dendur, i katërçiptë, i rrumbullakët, njëpjesësh, i mbaruar, i përfunduar, i pakufizuar, i gjithanshëm, i paprerë, i thellë, i trashë, i rrasët, shterues, bitevi.
♦ *Bletë e plotë. Me *zemër të plotë.
PLÓTËS,~I m. sh. ~A, ~AT gjuh. 1. Rrethanor. 2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje plotësash: Plotës argumenti. Plotës dallimi plotës emëror. Plotës kallëzuesor…
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOT ndajf. 1. Mbushur aq sa nxë, deri në buzë; aq sa merr, pa asnjë vend të pazënë ose hapësirë të zbrazët (për enët, hapësirat etj.), mbushur; kund. bosh; zbrazët. Me gojën plot.…
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOT pacak. Tërë, gjithë. Plot lule (bar). Plot ujë. Plot gëzim (kënaqësi). Plot inat (urrejtje, dashuri). Plot gjallëri. Plot shëndet.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOT pj. Pikërisht, tamam. Plot 30 minuta. U mbushën plot 5 vjet. Qëndroi plot dy muaj në fshat. E them me plot të drejtë. Plot në orën dymbëdhjetë.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLÓT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Terplote. Mblidhe miellin me plote. 2. Lopatë druri për të hequr borën etj.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLÓTER,~I m. sh. ~A, ~AT kompj. Printer i madh për vizatime inxhinierike, për grafikë biznesi, për harta ndërtimi, për projektet arkitekturore etj.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Plotësim.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOTNÍ,~A f. Plotëri. Plotni premtimesh. Plotini prurjesh.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Plotësoj; mbush plot.
Shfaq përkufizimin e plotë →PLOTÓR,~E mb., vjet. Që kishte gjashtë klasa (për shkollën fillore para Çlirimit). Shkollë plotore.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë