Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
NJË́SH/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Enë që nxë një njësi. E bëri kafen në njëshe.
2. Dhomë me një shtrat për një njeri. Njëshet janë zënë.
3. Këngë në një zë. Ia mori një njësheje.
4. mat., sh. Numrat nga një deri në nëntë, që formojnë shtyllën e parë nga e djathta në numrat me shumë shifra. Mbledhim njëshet. Shtylla e njësheve. Veprimet me njëshe.
NJËSH ndajf. 1. Bashkë me një tjetër a me të tjerë, tok e të pandarë, duke qenë të shkrirë në një njësi të vetme, së bashku; kund. veç. U bënë njësh. Rrojnë njësh. Erdhën (vajtën) njësh. Punojnë njësh. Shkruhen njësh (fjalët).
2. Njëlloj, njësoj, një, barabar; në mënyrë të njëtrajtshme; në mënyrë të shkrirë e të padallueshme, rrafsh. U bë njësh me tokën (me gurët, me shkëmbin). Qielli ishte bërë njësh me detin. Ecte njësh me ne. Këndojnë njësh këndojnë në një zë.
3. bised. Në të njëjtën kohë, njëkohësisht. I kanë ndërtuar shtëpitë njësh.
4. Në një pjesë, në një fill etj. (përdoret edhe së bashku me parafjalën më). E bëj (e hap) më njësh çarçafin. E bëri perin (fillin) (më) njësh.
♦ Bëhem njësh (një). 1. Shtrihem rrafsh (me tokën), puthitem; shkrihem. 2. (me dikë). Bashkohem a lidhem fort me dikë, s’na ndan dot askush.
✱Sin.: bashkë, tok, njëmëzaj, mënjëzaj, një trup, njëlloj, njëherësh, njëfish, bitevi.
NJË́SH,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Numri një. Më i madh se njëshi. Rrënja katrore e njëshit është një.
2. fig., vet. nj. Një njeri, një qenie a një send, duke e marrë veças.
3. Nota më e ulët në sistemet e vlerësimit të dijeve me pesë ose me dhjetë nota. Mori njësh. I vuri njësh.
4. vjet. Nota më e mirë e vlerësimit të dijeve në sistemin me katër nota. Mori njësh.
5. Asi (në lojën me letra). Hodhi njëshin. Kam dy njësha.
NJËSHEKULLÓR,~E mb. Që ka zgjatur një shekull, që është kryer gjatë një shekulli. Rruga njëshekullore. Monument njëshekullor. Ullinj njëshekullorë. Rrap njëshekullor.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë