Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
NGRÍRË (i, e) mb. 1. Që është kthyer në akull; i mbuluar me akull; që është ngurtësuar nga të ftohtët; kund. i shkrirë. Ujë (vaj ulliri) i ngrirë. Borë e ngrirë. Xhama të ngrirë. Tokë e ngrirë nga ngrica.
2. Që është ngurtësuar e mbajtur në temperaturë të ulët për ta ruajtur nga prishja. Mish (peshk) i ngrirë. Fruta (perime) të ngrira kryesisht për dimër.
3. Që ka humbur ndjeshmërinë dhe aftësinë për të lëvizur nga të ftohtët. Me duar (me këmbë) të ngrira.
4. Që ka humbur aftësinë për të lëvizur; fig. që ka humbur shprehjen e gjallë, i pajetë. Shprehje (buzëqeshje) e ngrirë. Rri si i ngrirë. - Mos e mbaj trupin të ngrirë!
5. I shtrirë mirë e i bërë me kollë, që të rrijë drejt e pa rrudha; i hekurosur mirë (për veshjet). Me jakë të ngrirë. Me pantallona të ngrira.
6. I larë me ar e me argjend; i qëndisur me fije ari a argjendi. I ngrirë në ar (në argjend). Kobure e ngrirë në serm (në argjend).
7. fig. Që është ngrirë, që është bllokuar, që ia kanë ndaluar aktivitetin. Asete të ngrira. Faqe të ngrira përkohësisht.
✱Sin.: i akullt, akullor, i acartë, i cingërimtë, i akulluar, i ngritë, koçan, i kallkantë, i fortësuar, i ngurtësuar, i hupët, i mpirë, i goditur, i xhamtë, i gurtë, i pajetë, akull, acar, i topitur, i shtangur, i ngurtë, i shtangët, i shastisur, mermer, statik, i ngurosur, i pikur, i hekurosur, i mbërthyer, i kollarisur.
♦ Me *gjak të ngrirë. Me *zemër të ngrirë.
NGRI/J vep., ~VA, ~RË jokal., 1. vet. v. III Shndërrohet në akull; bëhet i ngurtë a i trashë nga të ftohtët (një trup i lëngët); ngurtësohet; kund. shkrin. Ngriu uji (vaji). Ka ngrirë lumi (pellgu). Ngriu gjella. Ngriu tutkalli. Ngriu betoni (çimentoja, llaçi). Ngriu dylli.
2. Ndiej shumë të ftohtë, mërdhij. Ngrin shumë. Ngriva sot, qenka shumë ftohtë. Ngrimë pa zjarr.
3. Humbas shkathtësinë a mundësinë për të lëvizur trupin a ndonjë gjymtyrë nga të ftohtët; më ftohet shumë një pjesë e trupit sa të humbasë ndjeshmërinë ose të dëmtohet. Ngriu në dëborë. I ngriu dora (këmba, hunda). I ngrinë veshët. Më ngriu shpina nga era. Ngrin i vdekuri bëhet i shtangët trupi i të vdekurit, ftohet.
4. Humbas aftësinë për të lëvizur gjymtyrët a pjesët e trupit nga një sëmundje, ngaqë mpihem etj. Më ka ngrirë kurrizi (dora, qafa).
5. vet. v. III Më mbetet diçka në dorë dhe nuk e lëviz dot nga habia, nga frika, nga zemërimi etj. I ngriu palla në dorë. I ngriu lopata (furka, luga) në dorë.
6. fig. Mbetem i shtangur nga habia, nga frika etj.; marr qëndrim në këmbë pa lëvizur; shtangem. Ngriu në vend. Ngriu në këmbë. Ngriu në qëndrim «gatitu». Ngriu nga habia (nga tmerri). I ngrinë tiparet e fytyrës.
7. vet. v. III Më mbetet e nderë një shprehje në fytyrë; më mbetet pa e thënë diçka. I ngriu buzëqeshja. I ngriu fjala në buzë. I ngriu e qeshura teksa e pa.
8. kal. E ftoh sa të kthehet nga i lëngët në të ngurtë; e bëj të ngurtësohet, të trashet a të mpikset; ftoh shumë diçka në temperaturë të ulëta për ta ruajtur nga prishja. E ngriu ujin. Ngrij mishin (frutat, perimet) në frigorifer. Ngrij dyllin duke e futur në ujë të ftohtë.
9. vet. v. III E bën të ndiejë shumë të ftohtë, e ftoh sa të mpihet. Të ngrin dhëmbët uji (akullorja). Ma ngriu krahun kondicioneri.
10. kal. Vesh diçka në sipërfaqe me një lëndë tjetër për ta bërë më të bukur, më të çmueshme; lyej; qëndis me fije ari, argjendi. Ngrij në ar praroj, laj në ar; vesh me ar, qëndis me fije ari. Ngrij në sheqer frutat (mollët, dardhët) u vë një shtresë sheqeri përsipër, duke i zier në shurup.
11. Bllokoj një llogari bankare, një fond a një shumë parash. Banka ia ngriu të gjitha llogaritë. Shteti ia ngrinë të gjitha asetet.
12. fig. Ndaloj, bllokoj. Ngrij marrëdhëniet diplomatike. Ngrij marrëdhëniet tregtare.
✱Sin.: ngurtësohet, breshnohet, mërdhij, topis, topitem, akullohem, breshtem, thaj, thahem, tartaros, tartarosem, mpihem, shtangem, stapitem, shtang, shtangohem, shtangoj, nemitem, bllokohet, bllokoj, akulloj, ngurr, ngurtësoj, trash, mpiks, qëndis, ngrihet, shastisem, ngurosem, mbërthehem, shastis, pikem, kollaris, mpij, përthan, pres, ther, shkurtoj, grij.
♦ Më ngriu (m’u prish) *gjaku. Më ngriu *gjakun (dikush a diçka). (Jam) ngrij shkrij jam shumë i shqetësuar duke pritur diçka të keqe, kam një ankth për diçka; aty e humb, aty e mbledh veten. Më ngriu *zemra.
NGRÍRËS,~I m. sh. ~, ~IT Frigorifer, dhomë frigoriferike. Ngrirësi ishte prishur.
Shfaq përkufizimin e plotë →NGRÍRËT (të) as. Ngrirje. Të ngrirët e mishit në temperatura -18°C.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë