Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
NGJÍTUR (i, e)I mb. 1. Që është ngjitur me lëndë ngjitëse; kund. i çngjitur. Këpucë të ngjitura keq e keq. Libri i kishte faqet e ngjitura. Postera të ngjitura gjithandej. Karrige e ngjitur me tutkall.
2. Që është shumë afër me një tjetër, aq sa e prek, i puqur. I kanë shtëpitë (bankat) të ngjitura. Rrinin të ngjitur tërë kohën.
3. fig. Që është i dashur e i afrueshëm, që është shumë i dhënë pas dikujt a diçkaje, që nuk shkëputet nga diçka. I ngjitur pas s’ëmës. Shumë të ngjitura pas familjes.
4. fig., keq. Që të qepet prapa dhe nuk të ndahet, i bezdisur, i mërzitshëm. Si tip është shumë i ngjitur.
5. Që është mbrehur në zgjedhë. Kau i ngjitur ishte 3 vjeç.
6. Që është i kapur (ekonomikisht). Familje e ngjitur.
✱Sin.: i puqur, i puthitur, i përngjitur, afërndenjës, i dashur, i shkrirë, i bashkuar, i afrueshëm, i dhënë, i bezdisshëm, jargavel, shushunjë, i mërzitshëm, rrodhe.
♦ *Baltë e ngjitur keq.
NGJÍTUR ndajf. 1. Fare afër me një tjetër, pranë, puqur. I rri ngjitur tërë ditën. Dhoma (shtëpia, dyqani) ngjitur. Banoj këtu ngjitur (në rrugën ngjitur). I kaloi fare ngjitur.
2. Në mënyrë të ngjeshur a të puqur pas diçkaje. Me rroba ngjitur pas trupit. Fustani i rrinte shumë ngjitur.
✱Sin.: pranë, afër, ngjitas, pullë, krrëk, ngjat, bashkë, puqur, puq, shtrënguar, rrasur, fqinjë.
NGJIT (NGJIS)I vep., ~A, ~UR kal. 1. Bashkoj një gjë tek një tjetër me një lëndë veshtullore si zamkë, tutkall etj.; vë; kund. shqit, heq, çngjit. Ngjit pullën në zarf. Ngjit një lajmërim (një shpallje) në mur. Ngjit me tutkall (me zamkë).
2. Bashkoj pjesët e diçkaje që ishte këputur e thyer; bashkoj një gjë me një tjetër duke e qepur a duke e mbërthyer. Ngjit kockën e thyer. Ngjit dorezën e çadrës. I ngjiti këmbën stolit.
3. Bashkoj dy pjesë prej metali duke i shkrirë me zjarr në dy skajet; i zë vrimat një ene prej metali duke e pikur; i zë vrimat a të çarat një ene plastike e prej druri. Ngjit hekurin (shufrën e këputur). Ngjit kovën (kazanin). Ngjit me kallaj (me plumb).
4. Ia kaloj një tjetri sëmundjen nga e cila vuaj vetë; fig. e bëj ta zërë një ndjenjë, që e kisha vetë. I ngjiti sëmundjen (gripin, virusin). Ua ngjit gëzimin (guximin, optimizmin) edhe të tjerëve. Ma ngjiti pesimizmin.
5. I vë emrin; i vë një emër të dytë a një nofkë, quaj. Ia ngjitën emrin Agim. I ngjitën një nofkë. - Si ia ngjitët emrin koteles?
6. fig. I vë fajin pa të drejtë për diçka; ia vë në kurriz dikujt diçka që nuk i takon; ia vesh. Ia ngjiti fajin shokut (fëmijës). Ia ngjiti tjetërkujt vrasjen (vjedhjen). Ia ngjitën të gjitha atij. I ngjitën një bisht.
7. Bashkoj fort pas diçkaje; afroj shumë sa të takohen. E ngjiti faqen pas xhamit. I ngjitën disa tryeza bashkë. I ngjiti dhëmbin e kafshoi.
8. bised. Godas me diçka, qëlloj fort. Ia ngjiti me shuplakë (me pëllëmbë). Ia ngjiti në lule të ballit.
9. jokal., vet. v. III Ka aftësinë të bashkojë dy gjëra që të mos ndahen (për disa lëndë veshtullore etj.). Kjo zamkë nuk ngjit mirë këpucët. Si ngjitëse, ngjit mirë.
10. jokal., vet. v. III Zë vend mirë dhe nuk shqitet lehtë, ngjitet. Nuk ngjiti bora. Më ngjiti këmba në baltë. Më ngjiti në dorë tutkalli.
11. jokal., vet. v. III Më zë vend një ushqim, më shijon e më shkon mirë. Nuk më ngjiti buka (dreka). Sa i ngjiti byreku!
✱Sin.: bashkoj, pik, pikoj, puq, puthit, përngjit, kolis, zamkoj, vë, var, mbërthej, zë, qep, saldoj, shkrij, rregulloj, moleps, përcjell, quaj, godis, vesh, ngarkoj, hedh, përplas, mbath, ngjesh, afroj, shijon, pëlqen.
♦ I ngjit (i trazon) *dora (dikujt) përb. Nuk i ngjit *fare (dikush a diçka). Më ngjit *fjala (me dikë). Për ta ngjitur pas *muri. I ngjit *shkallët një nga një.
NGJIT (NGJIS)II vep., ~A, ~UR kal. 1. Shpie diçka nga një vend më i ulët në një vend më të lartë, ngre; kund. zbres, ul. I ngjiti tullat në katin e tretë. E ngjiti shumë lart aeroplanin (helikopterin).
2. Kaloj nëpër një vend nga poshtë lart, ngjitem. Ngjitën të përpjetën. E ngjiti malin me një grup alpinistësh. I ngjiti shkallët me vrap. I ngjit shkallët një nga një dikush i merr punët shtruar; është i matur e i kujdesshëm në të folur e në të vepruar; nuk ngutet.
3. fig. Ngre, çoj lart. E ngjiti lart. E ngjiti në krye të klasifikimit skuadrën.
✱Sin.: ngre, çoj, ngjitem, hipi.
NGJÍTURAZI ndajf. Shumë pranë njëri-tjetrit, ngjitur, puqur. Shtëpitë i kishin ndërtuar ngjiturazi. Në dhomën ngjiturazi pa dikë. Njerëzit ishin mbledhur ngjiturazi në një shesh të…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë