Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
►NGJÍT/EMI jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. vet. v. III Bashkohet te diçka tjetër me zamkë, me tutkall etj., kapet te diçka tjetër dhe nuk hiqet (për diçka të lyer me zamkë, për diçka të lagët etj.); kund. shqitet, çngjitet. M’u ngjit letra në dorë. M’u ngjit këmisha pas trupit. U ngjit pullë.
2. vet. v. III Bashkohen përsëri pjesët e thyera të diçkaje; kund. thyhet. Kocka e thyer fëmijëve u ngjitet shpejt. Buka që thyhet, s’ngjitet më. (fj. u.). Po u thye kulaçi, s’ngjitet më. (fj. u.).
3. vet. v. III Ka aftësinë të bashkohet me diçka tjetër duke u nxehur. Nuk ngjitet bakri me aluminin. Ky metal ngjitet me kallaj.
4. I afrohem shumë dikujt a diçkaje sa puthitem me të; i ngjishem. U ngjitën pas tokës. Iu ngjit në gjoks. U ngjitën në koncert, aq shumë njerëz kishte.
5. fig. I vete prapa dikujt a diçkaje dhe nuk i shqitem, i qepem pas, i bëhem ferrë; i vardisem nga pas. I ngjitet prapa të atit. U ngjiten prapa makinave. I ngjitet s’ëmës qengji ngado. I ngjitet si rrodhe (si hije, si baltë).
6. bised. Jepem shumë pas diçkaje. U ngjitet mësimeve.
7. vet. v. III Më zë sëmundja nga një tjetër. Iu ngjit rrufa (gripi, tifoja).
8. vjet. Pajtohem për të punuar me pagesë a për të mësuar mjeshtërinë te dikush. Ngjiteshin hyzmeqarë (shegertë).
✱Sin.: zamkohet, kapet, zihet, zhezhitet, ciknoset, përngjitet, ngjit, bie, kap, zë, afrohem, puthitem, puqem, karfosem, bashkohem, ngjishem, rrasem, kolitem, shtrëngohem, mërzis, qepem, vardisem, jargavitem, beditem, jepem, përkushtohem, molepsem, pajtohem, shijon, infektohem.
♦ S’i ngjitet *qimja (dikujt). Ia ngjit (ia qep) *sytë (dikujt a diçkaje). Ngjitet (edhe) pa *shkallë (dikush). M’u ngjit në *zemër (në shpirt) (dikush a diçka).
►NGJÍT/EMII jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Kaloj nga një vend më i ulët në një vend më të lartë, hipi; kund. zbres, ulem. Ngjitem në çati (në pemë). U ngjit në tribunë (në skenë). I ngjitet malit (kodrës). Ngjitem në majë. Ngjitet përpjetë. Ngjitet ngadalë (me mundim). Ngjitet me litar.
2. vet. v. III Lëviz në drejtimin nga poshtë lart; ngrihet lart. Ngjitet dielli (hëna). Ngjitet aeroplani. Ngjitet tymi (flaka). Ngjiten retë. Iu ngjit një lëmsh në grykë.
3. vet. v. III Bëhet gjithnjë e më i lartë, shkon përpjetë, merr drejtimin nga poshtë lart. Rruga (xhadeja) ngjitet më të djathtë. Shtegu vjen duke u ngjitur.
4. vet. v. III Ngrihet. U ngjit temperatura.
5. fig. Arrij në një shkallë më të lartë zhvillimi; marr vrull e fuqi të reja, ngrihem. U ngjitën lart. Turizmi në vendin tonë po ngjitet vazhdimisht. Ngjitemi në një shkallë të re (më të lartë) zhvillimi.
✱Sin.: qepem, hipi, piprrohem, ngrihem, shkarangjitem, vishem, rritet, ngrihet, hidhem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë