Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
NE vetor. (NEVE, tr. e shkurt. NA; NE, tr. e shkurt. NA; NESH) 1. Përdoret nga ai që flet, duke përfshirë veten së bashku me një tjetër ose me njerëzit e tjerë të grupit ku bën pjesë. Ne mësojmë (punojmë, shkruajmë, këndojmë). Varet nga ne (prej nesh). Vjen pas nesh. Punon me ne. Banon te ne.
2. Përdoret i ndjekur nga një emër për të dalluar folësin së bashku me një grup njerëzish që janë nga i njëjti vend ose që kanë prejardhje të përbashkët, moshë të afërt, pikëpamje, interesa etj. të njëjta. Ne shqiptarët jemi mikpritës. Ne shkodranët (vlonjatët, korçarët...). Ne punëtorët. Ne të rinjtë. Ne pleqtë. Ne gjuhëtarët.
3. zyrt. Përdoret për të treguar përfaqësuesit e një organi drejtues, të një institucioni. Ne, si këshill shkencor (si redaksi). Ne, si përfaqësues të pushtetit lokal.
4. Përdoret në vend të përemrit unë, në shenjë thjeshtësie, nga autori i një vepre ose për ta bërë pjesëmarrës në mendim e në parashtrim dëgjuesin e lexuesin. Ne kemi thënë (kemi theksuar, jemi përpjekur, mendojmë se...). Ne pamë se... Ne do të shohim më poshtë...
5. Përdoret si shumës madhërie nga mbretër, perandorë etj. kur shprehen në vetën e parë. Ne jemi të lumtur që gjendemi këtu, pranë jush.
♦ *Larg nesh!
NË parafj. Përdoret me një emër në rasën kallëzore për të treguar: 1. Vendin ku ndodhet dikush a diçka, ku bëhet një veprim. Në qendër (në mes, në anë). Në shtëpi (në shkollë, në rrugë, në fushë). Në qytet (në fshat, në bjeshkë). Në rrjedhën e poshtme të lumit. Në veri të vendit. Në faqe (në ballë, në kraharor). I lënduar në dorë (në këmbë).
2. Vendin drejt të cilit lëviz dikush a diçka ose vendin ku futet a mbyllet diçka. Shkoj në Durrës. U ngjitën në majë (në mal). E mbylli në arkë (në dollap). E kyçi (e futi, e shtiu) në sirtar.
3. Një send a një frymor, me të cilin ndeshemi a takohemi gjatë lëvizjes, kërkimit etj. Ndeshi në një gur (në pengesa, në vështirësi). Rashë në gjurmë.
4. Një send, nëpërmjet të cilit kalon diçka a bëhet një veprim. Shkoj perin në gjilpërë. Shoh në teleskop. E pa në vrimën e çelësit. Foli në telefon. E dëgjoi në radio.
5. Një send, veprimit të të cilit i nënshtrohet diçka. E nxori në diell (në dritë). E la në ajër (në shi, në dëborë).
6. Gjendjen, në të cilën ndodhet dikush a diçka ose rrethanat, në të cilat kryhet diçka. Në shi (në tufan). Në inat e sipër. Në piskun e vapës. Është në nevojë. Jeton në varfëri. Është në qejf. Është në gjumë (në ethe). Jam në pritje. Është në dyshim. Është (ka rënë) në hall. S’është në vete. Rri në pritje. Ra në heshtje me dikë.
7. Mënyrën se si bëhet diçka. Eci në këmbë. Rri në gjunjë. Në këtë mënyrë.
8. Gjendjen e re, tek e cila kalon diçka. E ktheu në gaz (në ujë, në lëng). U shndërrua në një flutur të bukur.
9. Punën, veprimtarinë, grupin a organizatën, ku përfshihet ose është dikush a diçka. Punon në sektorin publik. Ishte në forcat paqeruajtëse. Është në një komision. Hyri në punë. Shkon në shkollë ndjek mësimet. Hyri në një organizatë jofitimprurëse u bë anëtar i organizatës.
10. Diçka që merret si bartëse e veprimtarisë mendore e shpirtërore ose shfaqje të ndryshme të kësaj veprimtarie. Në zemër. Në mendje. Në kujtesë. Në shpirt. Në vullnetin (dëshirën) tonë. I zhytur në mendime.
11. Kohën kur kryhet ose brenda së cilës kryhet një punë a një veprim. Në verë (në dimër). Në rini (në pleqëri). Në të gdhirë (në të ngrysur). Në vitin e kaluar. Në orën dy. Në tri javë. Në dy muaj.
12. Qëllimin përse bëhet diçka; për. Në shenjë kujtimi (nderimi, miqësie). Në dobi të dikujt a të diçkaje. Në përgjigje të thirrjes. Në luftë kundër trafikimit.
13. Sasinë e njësive nga të cilat përbëhet diçka ose në të cilat ndahet diçka. Komedi në dy akte. Histori e letërsisë në tre vëllime. Kolana në dhjetë vëllime e një autori. Pesha në kilogramë. Gjatësia në metra. E ndau në pesë pjesë ushqimin.
14. Sendin a dukurinë që shërben për të përcaktuar dikë a diçka. Në sasi (në cilësi). Në gjatësi (në gjerësi). Në numër. I kursyer në fjalë. I fortë në matematikë. I diplomuar në mjekësi. Kampion në futboll (në shah, në atletikë). Punime në pikturë (në skulpturë). Të ardhura në të holla.
15. Marrëdhënie me diçka. Në marrëveshje (në lidhje, në krahasim, në grindje, në kundërshtim) me një tjetër. Në gjak me dikë. Në sherr me komshiun.
16. Diçka të cilën e mbikëqyrim, e kemi nën kujdes etj.; nën. E ka në kujdestari. Është në mbikëqyrje.
17. Një ngjarje ku merr pjesë dikush a diçka. Në festën tonë. Në gëzime! urim në dolli. Në një dasmë (në një fejesë, në një vdekje).
18. Ngjyrën e diçkaje ose ngjyrën me të cilën ajo afrohet. Në ngjyrë trëndafili. E leu në të bardhë. Portokalli në të verdhë.
19. Petkun ose sendin me të cilin është veshur ose është mbështjellë dikush a diçka. I veshur në të bardha. I mbështjellë në letër. I paketuar në qese. Ishte vetëm në këmishë.
20. Ndër. Në të rinjtë. Në të sëmurët. Në të parët. Në më të mirët.
21. Përdoret me një emër në rasën kallëzore, i cili bën pjesë në një tog që ka kuptim foljor. Vë në dijeni njoftoj. Vë në dyshim dyshoj për diçka. Vë në lidhje lidh. Vë në zbatim zbatoj. Vë në lojë tallem me dikë. Lë në harresë harroj. Vë në plan planifikoj. Rri në pritje pres.
22. Përdoret në një varg togjesh me kuptim ndajfoljor. Në përgjithësi përgjithësisht. Në veçanti veçanërisht. Në krye. Në fund. Në kohë. Në kulm.
23. Përdoret në një varg shprehjesh, që luajnë rolin e parafjalëve. Në kundërshtim me... Në bashkëpunim me... Në krahasim me... Në lidhje me... Në drejtim të... Në sajë të... Në emër të... Në bazë të... Në mes të... Deri në... Që në...
24. Përdoret për të shënuar pikën e mbarimit (në, bashkëlidhje me parafjalën «nga») në togje që kanë një gjymtyrë të përsëritur a përemrat «njëri... tjetri» dhe që tregojnë një shtrirje a një lëvizje të pandërprerë në hapësirë dhe në kohë ose një përsëritje të veprimit a të gjendjes. Nga mali në mal. Nga fshati në fshat. Nga dita në ditë. Nga çasti në çast. Nga koha në kohë. Nga njëri breg në tjetrin. Nga njëri vit në tjetrin. Nga njëra ditë në tjetrën.
✱Sin.: më, për, nga, brenda, sipër, mbi, ndër, nëpër, nën.
NË lidh. 1. Përdoret në fillim të një fjalie të varur kushtore; nëse. Në e di, ma thuaj! Në ardhsha vonë, mos më prit. Në u ktheftë, do ta takoj. Në s’gabohem, nisja është në orën katër.
2. Përdoret në krye të një fjalie pyetëse të zhdrejtë. Nuk e di në vjen apo jo. Nuk e di në e mbaroi punën.
3. Përdoret në disa shprehje lidhëzore. Në qoftë se. Në rast se. Në është se. Në mënyrë që.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë