Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
NDERÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur nderoj apo kur nderohem; kund. çnderim. Nderimi ushtarak. Nderimi me dorë (me kokë). Në shenjë nderimi. I përgjigjem nderimit. I bëj nderimin. Në nderim të etërve të tu. Nderim zyrtar.
2. Ndjenja e respektit dhe e vlerësimit të lartë, që shfaqim për dikë a për diçka. Përkulet në shenjë nderimi të thellë. Ata do të përkujtohen me nderim e respekt.
3. kryes. sh. Shfaqjet e jashtme, veprimet ose ceremonitë, që bëhen për të shprehur vlerësimin e lartë dhe respektin për cilësitë, për punën e veprimtarinë e dikujt. Po përcillej për në përjetësi me nderimet më të larta ushtarake. E pritën me nderime të mëdha. I bënë nderime të posaçme. I bënë nderimet e fundit.
4. vet. sh. Përdoret si përshëndetje kur takohemi me dikë ose në fund të një letre, kryesisht zyrtare. Nderimet e mia. Me nderime, juaji...
✱Sin.: respektim, sajdi, begenisje, sajdisje, nder, respekt, homazh, idhujtari, adhurim, përshëndetje.
NDER,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Tërësia e vetive a e tipareve morale të njeriut, që burojnë nga parime të caktuara, që çmohen nga shoqëria dhe që shfaqen në sjelljet e në veprimet e tij në rrugë të drejtë; cipa e njeriut në shoqëri, që ai e ruan me krenari dhe që nuk lejon t’ia cenojnë; kund. turp. Nderi i familjes. Çështje nderi. Rruga e nderit. Ruaj (mbroj) nderin. E preku (e cenoi) në nder. I mori nderin e turpëroi. Rron (punon, sillet) me nder. E vuri nderin në vend. E mbaj me nder. Plotësoj (kryej) me nder. Betohem për nder. I jap fjalën e nderit. Po të duash nder, sillu me nder. (fj. u.).
2. vet. nj. Pastërtia morale e dikujt, qëndrimi dhe sjellja e virtytshme, ndershmëria dhe besnikëria (zakonisht për gratë). Vajzë (grua) me nder. Humbi (shiti) nderin. I mori nderin. I mbajti nderin të shoqit.
3. vet. nj. Emër i mirë që gëzon dikush para të tjerëve, lavdi. Nderi i atdheut. E mbuloi me nder. Njollosi nderin. I ra nderi.
4. vet. nj. Dikush a diçka me veti të larta e të shquara, që na bën të krenohemi; lavdia, krenaria. Nderi dhe lavdia. Nderi i klasës (i shkollës).
5. vet. nj. Nderimi që na bëjnë të tjerët ose që shfaqim kundrejt tyre, vlerësimi i lartë nga shoqëria ose nga të tjerët. Shenjë nderi. Pritje (darkë) për nder të dikujt. I bëj nder dikujt e nderoj. E kam (e quaj) për nder më nderon. E priti me nder. I dha nder. I përket (i bie, i takon) nderi është meritë e tij, i takon vlerësimi i lartë për një punë të vështirë ose për një arritje të shënuar. Qofsh me nder! (ur.) T’u rrittë nderi! (ur.) Për nder-armë! (usht.) komandë për të nxjerrë armët përpara në një mënyrë të caktuar si shenjë nderimi. S’ka nder më të madh.
6. vet. nj. Përdoret në tog pranë një emri tjetër, që tregon diçka e cila bëhet a jepet si shenjë e vlerësimit të posaçëm për cilësitë, për shërbimet, për punën e veprimtarinë e dikujt ose shpreh nderimin e veçantë për dikë. Titull nderi. Vend nderi. Tabelë nderi. Anëtar nderi. Qytetar nderi. Kryetar nderi. Presidium nderi. Rojë nderi. Zë një vend nderi. Fletë nderi.
7. Një e mirë a një shërbim që i bëhet dikujt. I bëri një nder. Ia ktheu (ia lau) nderin. Ka bërë shumë ndere.
8. bised. Nderimet që i bëhen dikujt a që i gëzon nga shoqëria ose nga të tjerët. Nderet e shtëpisë. U bëri nderet miqve. E priti me të gjitha nderet. E ngarkoi me ndere. S’i harroj nderet që më bëhen në kohë të vështira. Ia bëmë të gjitha nderet.
9. Dhuratat që çon nusja në shtëpinë e dhëndrit.
✱Sin.: cipë, faqe, fytyrë, perde, erz, namus, ndershmëri, emër, lavdi, krenari, hir, nderim, vlerësim, shërbim, favor, mirësi, e mirë, nderime, shërbesë.
♦ I bëj nder (dikujt). 1. E nderoj. 2. I jap pa shpërblim diçka që i duhet a që i hyn në punë, ia dhuroj diçka për të cilën ka nevojë. Doli (u nda) me nder (dikush) gjeti zgjidhje të mirë për të dalë nga një gjendje e vështirë; përfundoi me sukses një punë të vështirë; doli faqebardhë. Ia di për nder (dikujt) i jam mirënjohës për diçka; është ai që më ka bërë një të mirë dhe që nuk do t’ia harroj; ia di për të mirë. *Faqe me nder. Në *fushën e nderit lart. Kam nderin... lart. përdoret si shprehje mirësjelljeje kur i drejtohemi dikujt me nderim të veçantë, me gojë a me shkrim; e quaj si shenjë të veçantë nderimi. I mori nderin (dikujt). 1. E fyeu rëndë dikë para të tjerëve; e turpëroi, e bëri me turp. 2. E çnderoi, e përdhunoi (një femër). Me nder qofsh! përdoret si përgjigje mirësjelljeje kur na falënderon dikush; t’u rrittë nderi! Me nder teje (jush) përdoret kur shqiptojmë një fjalë të pahijshme ose kur përmendim diçka që e përbuzim para dikujt, për të cilin kemi respekt; faqe me nder; me nder me thënë. Me nder me thënë shih me nder teje (jush). Ia qiti nderin në *ujë (dikujt) keq. T’u rrittë nderi! ur. faleminderit!; qofsh i nderuar!; me nder qofsh!
NDËR parafj. Përdoret me një emër ose një përemër në rasën kallëzore të shumësit që tregon: 1. Vendin që zë dikush a diçka në mes të të tjerëve të njëjtë ose në rrethin e tyre; midis, në mes. Ndër këmbë. Ndër ne. Një ndër ta. Ndër të parët. Ndër ngjarjet kryesore. Ndër më të mirët. Ndër vendet e para. Ndër vete midis nesh. Ra ndër ta. Jeton ndër ta. Ndër treguesit më kuptimplotë. Ndër të tjera. Ndër shqiptarë.
2. Një shumicë vendesh a njerëzish, ku gjendet dikush a diçka te secili veçan; në, nëpër. Ndër fshatra (male). Ndër vendet e ndryshme. Ndër shkollat e vendit. Ndër pemë. Ndër beteja.
3. Periudhën e kohës, gjatë së cilës zhvillohet diçka pa ndërprerje; gjatë. Ndër vite. Ndër shekuj. I trashëguar ndër breza.
4. Vendin në kuptim të figurshëm (edhe në disa njësi frazeologjike). Kam ndër mend. I bie ndër këmbë i lutem shumë. E marr ndër sy. Jam me shpirt ndër dhëmbë jam shumë i sëmurë; gjendem në një vështirësi të madhe a përpara një fatkeqësie të madhe.
✱Sin.: midis, ndërmjet, në, nëpër, gjatë, mes.
NDERIMTÁR,~E mb. Që respekton të tjerët; respektues, nderues, në nder të. Shkrim nderimtar. Promovim nderimtar.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë