Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
►MÝK/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Mbulohet me myk diçka, zë myk, i ka hyrë myku. U myk buka. Kafja mund të myket. U mykën pemët.
2. fig. Rri gjatë diku pa lëvizur, pa punuar, pa vepruar; humb gjallërinë e plogështohem, mbetem prapa (në mendime, në mënyrën e jetesës e të sjelljes etj.); zë myk, ndryshkem. U myk në shtëpi (në zyrë). U myk duke ndenjur. Është mykur nga trutë s’është në rregull nga mendja; s’është me kohën a me të renë; nuk arsyeton në mënyrë të shëndoshë, i kanë zënë ndryshk trutë. Iu mykën paratë kishte mjaft pare, të cilat nuk i vinte në qarkullim, i mbante të mbyllura a të fshehura.
3. pës. e MYK.
♦ I janë mykur *trutë (dikujt).
MÝK vep., ~A, ~UR kal. 1. Bëj të zërë myk diçka; lë të zërë myk. E myku bukën (duhanin) lagështira.
2. fig., kryes. v. III E bën dikë të humbë gjallërinë e të plogështohet, e lë prapa (në mendime, në mënyrën e jetesës e të sjelljes etj.); pengon zhvillimin e mëtejshëm; ndryshk. Dembelia (plogështia) të myk.
MYK,~U m. sh. MÝQE,~T 1. bot. Shtresë a grumbull kërpudhash mikroskopike ose mikroorganizmash të dëmshme, të përbëra nga fije shumë të holla e të gërshetuara ndërmjet tyre, që riprodhohen e përhapen me anë të sporeve dhe që shfaqen si push ose si njolla mbi organizmat, në drurë, mbi sende të ndryshme etj., zakonisht në një mjedis të errët, të ngrohtë e me lagështi; sëmundje kërpudhore e tillë që u bie zakonisht bimëve a pemëve. Myk i zi (i bardhë, i gjelbër, i hirtë, i kaltër). Myku i bukës. Myku i gështenjave (i rrushit, i agrumeve, i mollës, i duhanit). Bie erë myk. Ka zënë myk tenxherja me gjellë. U prek nga myku. U mbulua me myk.
2. fig. Mendim i vjetër që e pengon njeriun të ecë përpara; diçka e vjetruar që bëhet pengese për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë, që nuk është me kohën a me të renë; ndryshk. Myku i së vjetrës. Myku i prapambetjes. Zhduk mykun.
♦ Bie (mban) erë myk. 1. (dikush). Ka mendime të prapambetura e të dëmshme. 2. (diku). Është një gjendje e tillë që tregon se punët kanë mbetur në vend, ka amulli të madhe. Nxjerr myk nga goja (dikush) flet shumë keq, shan me fjalë të ndyra e shpif; shfryn me shpirtligësi, s’lë gjë pa thënë nga urrejtja për të tjerët; nxjerr lerë nga goja; vjell helm (vrer). Ka zënë myk (dikush) nuk ka lëvizur prej shumë kohësh nga vendi; është mbyllur diku e nuk del; nuk ka lëvizur dhe është mpirë; ka zënë ndryshk. I kanë zënë trutë myk (dikujt) shihi kanë zënë trutë ndryshk1 (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë