Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
MUNG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Nuk ndodhem pranë dikujt a diçkaje në kohën e caktuar, nuk jam i pranishëm në një vend në kohën e duhur. Mungonte në punë (në shkollë, në takimin me prindër). Sa mungojnë? Kush mungon? Mungon me arsye. Mungoi disa ditë. S’mungon kurrë. Mungonte shpesh (rrallë, gjithmonë).
2. jokal., vet. v. III Nuk gjendet fare ose nuk është në sasi të mjaftueshme; nuk mjafton diçka që është e nevojshme; (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore) s’e kam fare (për diçka të nevojshme); e kam në sasi të pamjaftueshme. Mungonte buka (uji). Mungonin ushqimet (drithërat, ilaçet, armatimet). Mungonte lënda e parë. I mungonin paratë (mjetet). Mungonin rrugët. Halla di të bëjë byrek, po i mungon mielli. (fj. u.) thuhet për dikë që është i zoti për një punë, po nuk ka mjetet e nevojshme.
3. jokal., vet. v. III Nuk është, nuk vihet re a nuk haset (një send, një dukuri, një veti etj.); është mangët; (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore) nuk e kam (për diçka që duhej ta kisha); nuk e kam diçka të plotë, e kam mangët a jo në shkallën e duhur. I mungon qartësia. Mungonte mirëkuptimi. Mungonte organizimi (disiplina, rregulli). I mungojnë këmbët e pasme. I mungon zotësia (aftësia, zgjuarsia). Nuk i mungon dëshira (vullneti, arsyeja, durimi). U mungojnë forcat (fuqitë). I mungonte përvoja (arsimi përkatës).
4. kal. Lë diçka mangët, lë diçka pa bërë; i shmangem. Nuk shtonte as mungonte gjë e tregonte ashtu siç kishte ndodhur, pa shtuar e pa hequr gjë.
✱Sin.: humbas, zhdukem, shmangem.
♦ I mungon një *dërrasë (dikujt) tall.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë