Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
MBAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. E shtrëngoj diçka a dikë me dorë ose me anën e një sendi dhe nuk e lë të bjerë, të shkasë, të lëvizë, të ikë etj. Mbaj gotën në dorë. E mbajti lapsin me dhëmbë. Mbaj karrigen në krahë. E mban drejt timonin. Mbaj fëmijën për dore (për krahu). E mbante fort e nuk e lëshonte. I mbaj pallton (çadrën) dikujt.
2. Qëndroj duke pasur mbi vete diçka a dikë ose e çoj këtë vetë a me një mjet nga një vend në një tjetër; mbart. E mbajti fëmijën (thesin) në kurriz (në qafë, në krahë). Mbanin ujë me bucela. E mbajti me karrocë (me kamion). Nuk e mban dot vetëm.
3. E kam ose e marr diçka a dikë me vete, s’e ndaj nga vetja për një kohë të gjatë; kam; vesh a mbath, përdor si pjesë të veshmbathjes sime, ngjesh pas trupit. Mbante shkop (bastun). Mbaj kartën e identitetit me vete. S’mban gjë nëpër xhepa. Mbante armë. Mban syze. S’mban unaza. Mbanin xhoke me kinda. Mban këpucë me qafa. Mban çorape leshi. Nuk mban kapelë. Mban brez. Mbante rroba pune. Mban mustaqe. E mbaj për (si) kujtim. E mbante djalin gjithnjë pas. I mbajtsh më shëndet! (ur.)
4. fig. Kam një emër a mbiemër, një titull, një dekoratë etj. Mban mbiemrin e mëparshëm (e burrit). Brigada mban emrin e heroit. Mban disa urdhra e medalje (dekorata). E mbajtshi me nder! (ur.)
5. Ndal në vend dikë a diçka, nuk e lë të lëvizë, të ecë a të veprojë më tej, e pengoj të rrjedhë etj.; ndal, ndaloj; pengoj, vonoj. Shoferi e mbajti makinën te sheshi. Mbaje kalin (qenin)! Më mbajti pak në rrugë. E mbajti me fjalë. E mbajti në këmbë. E mbajtën me zor. E mbajtën për darkë. S’e mbajti njeri, vetë qëndroi. Nuk po ju mbaj më gjatë. E mbajti vrapin në oborr. Mbaj këmbët (hapin) ndalem. Mbaj frymën ndal frymëmarrjen. Mbaje dorën! mos qëllo!
6. E përmbaj diçka e nuk e lë të shfaqet a të shpërthejë; ndrydh në veten time (një ndjenjë etj.); e fsheh diçka, nuk e tregoj, nuk e shfaq. Mbaj teshtimën. Mezi i mbajti lotët. E mbajti të qeshurën (gazin). E mbajti zemërimin. Mbaj gjakftohtësinë. E mbaj në zemër (në shpirt). E mban përbrenda. E mbaj të fshehtë. S’mban gjë ai.
7. vet. v. III I lidh e i rrit kokrrat derisa piqen, nuk i bien kokrrat (për një pemë). Kjo mollë nuk i mban kokrrat.
8. E rrit të voglin a pjellën në bark deri sa lind, nuk e dështon (për njerëzit dhe për kafshët). Nuk e mbajti fëmijën, bëri abort spontan. Nuk e mbajti lopa viçin, e dështoi.
9. jokal., vet. v. III Mbarset, ndërzehet (për kafshët). Nuk mbajti lopa.
10. Marr, pranoj diçka nga dikush. Nuk ia mbajti dhuratat (peshqeshin). Mbajti për vete vetëm gjysmat, të tjerat ua dha shokëve.
11. E ndal dikë, nuk e lë të kthehet në vendin a në familjen e vet, nuk e lë të ikë; e detyroj dikë të qëndrojë në një vend a në një gjendje të caktuar; e ndal diçka, nuk e jap, nuk ia kthej diçka të zotit. I mbajtën peng dy fëmijë. E mbajtën tre muaj në spital. E mbajtën pesë vjet në burg. I mbajti dyqind lekë më shumë. S’më mbajti asgjë. S’të mban gjë çfarë ka e jep. Nuk mban gjë (dikush) flet për çdo gjë që di ose që ndien.
12. E bëj të qëndrojë diçka në një gjendje a në një drejtim që i kam dhënë. E mban trupin (shtatin) drejt. E mbante kokën përpjetë. I mbajnë krahët hapur (shtrirë, varur). I mban sytë poshtë (ulur). E mbante gojën mbyllur (kyçur). I mban dritaret hapur.
13. zakon. v. III Është mbështetje për diçka, shërben që diçka të qëndrojë në një gjendje të caktuar, të mos rrëzohet, të mos çahet etj.; i qëndron një force, një peshe, një goditjeje etj., e përballon; nuk thyhet a nuk këputet; është i fortë a i qëndrueshëm, është në gjendje të mirë (edhe fig.). Çatinë e mbajnë trarët. Urën e mbajnë këmbëzat (qemerët). Peshën kryesore të ndërtesës e mbajnë shtyllat. Frontin e mbajtën pesë divizione. Nuk e mbanin këmbët (gjunjët). Si e mban gjithë atë peshë! Ky litar (pe, tel, tra) nuk mban. Kjo fuçi nuk mban ujë (nuk e mban ujin).
14. fig. I siguroj jetesën dikujt, e ushqej dhe e rrit me të ardhurat e mia, kujdesem për dikë; ushqej. Mban pleqtë (fëmijët, shtëpinë). I mbante me bukë. E mbajti gjallë. E mban në pëllëmbë të dorës (me të gjitha të mirat). E mban babai. I mban i biri (e bija). Na mban puna (toka). E mban shteti me ndihma. E mbajnë me bursë.
15. E ruaj ose e lë diçka për një farë kohe në një gjendje të caktuar; e trajtoj dikë në një mënyrë të caktuar ose e lë në një gjendje të caktuar. E mban të ngrohtë gjellën. Kjo sobë e mban nxehtësinë. Kjo tokë nuk e mban ujin (lagështirën). I mban mirë rrobat. E mban pastër shtëpinë. I mban keq fletoret. I mbante mirë (keq) fëmijët. E mbante me hatër.
16. E fut diçka në një vend a në një lëndë të caktuar dhe e lë atje për disa kohë, e vë diku përkohësisht. E mbajnë mishin në frigorifer. E mbaj birrën në akull. E mbajmë djathin në shëllirë. E mbante koburen në xhep (nën jastëk). E mban në dollap (në shishe). I mban paratë në arkën e kursimit. Mbaj mënjanë. E mbante fshehur (në shtëpi).
17. Rrit kafshë a shpendë; kam mbjellë pemë, bimë etj. e kujdesem për to. Mban pula (rosa, derra, lepuj). Mban bletë. Mban mollë (rrush, fiq, kumbulla). E mban për damaz.
18. bised. Zotëroj diçka që e përdor për tregti ose për një veprimtari tjetër; vë në shitje a në qarkullim, shes. Mbante një hotel (një han, një pijetore). Mbante një dyqan. Mbante një gazetë. Mban verë të mirë. Nuk mbajnë pije alkoolike. Kjo librari mban edhe sende shkollore.
19. E ngarkoj dikë të kryejë një punë a detyrë të caktuar në një ndërmarrje a institucion. E mbajtën në kompani si ekonomist.
20. E marr ose e pranoj dikë në shtëpi a në punë për një shërbim a qëllim të caktuar, kam. Mbante qiraxhinj në shtëpi. Mbanin shërbëtorë (hyzmeqarë).
21. Bëj gati diçka për një punë, e shtrij, e hap etj. Mbaje thesin, të të hedh miellin! Mbaje shishen, të të hedh verën! Mbanin çarçafin për të shkundur manat.
22. E lë dikë të vijojë punën ose të kryejë një detyrë të caktuar, nuk e largoj, nuk e heq. Disa vetë i mbajtën në laboratorin qendror. Pjesën më të madhe të punëtorëve e mbajtën në perimore, të tjerët i dërguan në pemishte.
23. fig. E quaj, e vlerësoj, e çmoj dikë a diçka për një tipar a cilësi të caktuar; e kujtoj për të tillë, e pandeh. E mbante për të mençur (për budalla). E mbanin për trim (për frikacak). E mbanin për nxënësin më të zgjuar. E mbajnë për mjekun më të aftë. E mban veten (si) të ditur. E mbajnë veten farefis (të afërt) me të. E mbajnë si romanin më të mirë të kohës sonë. Për kë më mban ti mua? E mbanim për të mirë, po doli i keq.
24. Zbatoj disa rregulla të caktuara në mënyrën e jetesës, në punë etj., bëj siç kërkohet; i vë vetes kufi në të ngrënë e në të pirë sipas disa kërkesave e porosive. I mban të gjitha rregullat. Mbaj porositë (këshillat) e dikujt. Mban pehriz (dietë). S’mbante të kremte. Mbajnë kreshmë. Mbajnë Ramazan.
25. fig. I qëndroj besnik fjalës që kam dhënë ose zotimit që kam marrë. E mbaj fjalën (zotimin). E mbajti besën si burrat.
26. edhe jokal. Eci ose shkoj në një drejtim të caktuar, i bie; nisem. Mbaj krahun (nga e djathta). Mbaj drejtimin. Ia mbajtën drejt (djathtas, majtas, nga lindja, nga jugu). Mbaja bregut e bregut! Ia mbajti për në Durrës. Ia mbajti me të katra. Nga po ia mban? Nuk dinë nga t’ia mbajnë.
27. Përqendroj sytë, mendjen etj. në një drejtim ose në një vend. Vështrimin e mbante nga rruga (nga dera). Aty e mbante mendjen.
28. Lexoj një leksion, një raport etj.; flas për diçka. Mbajti një ligjëratë (një fjalim, një kumtesë, një bisedë). Mbajti raportin. Mban leksione në fakultet.
29. Bëj, organizoj një mbledhje etj.; zhvilloj. Mbajtën një mbledhje (një konferencë, një kongres).
30. Shkruaj diçka; kam e përdor diçka për një punë. Mbaj shënime. Mbaj ditar. Mbajnë dosje të veçanta për çdo çështje. Mbaj protokollin
31. Zë (radhën), rri (në radhë); edhe fig. zë një vend të caktuar (në një radhë, në një renditje a në një shkallëzim). Mbaj radhën. Mban vendin e parë. Mban rolin kryesor.
32. edhe fig. Kam; ruaj. Secili mban vendin e tij. Mbajnë marrëdhënie të mira. Mbaj lidhje të rregullta me dikë. E mbajnë miqësinë. Mbaj qetësi. Mbaj rregullin. Mbaj një minutë heshtje (zi). Mban qëndrim të mirë. Mban përgjegjësi. I mbajmë shpresat lart.
33. bised. Qëlloj dikë a diçka me armë ose me një send tjetër; shënoj me armë përpara se të qëlloj, marr nishan. Ia mbajti me pushkë (me dyfek). Ia mbajti me pëllëmbë. Ia mbajti në kokë (në lule të ballit). Mbaja pak më poshtë (më lart)!
34. Duroj. Nuk e mban rakinë. Nuk mban shaka. Si e mban atë turp? Mban shumë ai.
35. edhe fig. Kam një erë të caktuar, më vjen era; bie erë, kundërmon. Mban erë parfum. Shtëpia mban erë peshk. Dhoma mban erë myk. Mban erë të mirë (të keqe). I mban erë goja. Mban erë formalizëm (burokratizëm) ka formalizëm (burokratizëm).
36. bised. Kërkoj një shumë të caktuar parash për diçka që dua ta shes. Sa e mbante? E mbante lirë (shtrenjtë).
37. vet. v. III Të bën të jesh i ngopur e me energji për një kohë të gjatë. Mishi të mban. Kosi (gjiza) nuk të mban shumë.
38. jokal., vet. v. III Zgjat në kohë, vazhdon (një punë, një udhëtim, një dukuri etj.); rron, qëndron (për veshmbathjet, orenditë etj.). Sa mbajti mbledhja? Shfaqja nuk mbajti shumë. Mbajti deri vonë. Rruga mbajti dy orë. Shiu mbajti gjithë ditën. Dasma mbante një javë. Mbajnë shumë këto këpucë. Mbajnë edhe ca kohë.
39. bised., vet. v. III Nxë, merr. Shishja mban një litër. Ena s’mbante shumë gjellë.
40. muz. Shoqëroj me zë të dytë ose me iso, ia kthej; shoqëroj dikë që hedh valle. Njëri ia merr e tjetri ia mban. Ia mbante vallen. Mbajmë avaz mbajmë iso. Mbajmë kaba mbajmë iso. Mbajmë zënë mbajmë ison.
41. E bëj dikë të presë a të durojë (me premtime, me shpresa etj.) sa për të fituar kohë; vet. v. III ka ende, nuk e ka lënë (shpresa etj.). E mbajti me shpresa (me fjalë, me gënjeshtra). E mbajti me kurajë. E mban shpresa ka ende shpresë, shpreson.
42. bised., vet. v. III Bën (për kohën, zakonisht kur bën kohë e mirë a e përshtatshme për punët bujqësore). Mbajti mirë (butë) koha. Nuk ka mbajtur këtë javë (këtë vit). Ka mbajtur dimër (behar) sivjet.
✱Sin.: mbart, kam, ruaj, përdor, zotëroj, përmbaj, duroj, pranoj, vë, ngre, qëndroj, marr, vesh, ndaloj, ushqej, rrit, quaj, vlerësoj, kujtoj, pandeh, përmbahem, zbatoj, rri, shkoj, përqendroj, zhvilloj, trajtoj, zë, kundërmon, shes, zgjat, rron, shkon, vazhdon, vijon, nxë, bën, lë qëlloj, kam, ruaj.
♦ Nuk ia mban bised. nuk ka guxim për të bërë diçka a për t’i dalë zot një pune; ka frikë. S’kam nga t’ia mbaj s’di si t’ia bëj që të shpëtoj nga një hall i madh, nga një vështirësi etj.; s’di a s’kam ç’të bëj; jam në një gjendje të rëndë e nuk dal dot prej saj; s’i gjej majë vetes. E mbaj *afër (dikë). Mban *anë (dikush). I mbaj *anën (dikujt). I mban *avazin (dikujt). Nuk mban *baltë në vesh (dikush). Nuk i mban *barku (dikujt). Nuk mban gjë në *bark (dikush). I mban *bishtin (i shkon pas bishtit) (dikujt) mospërf. S’mban s’ha (s’ha) *bodec (dikush). Aq sa mban *bryma. S’ia mban *bytha (dikujt) tall. vulg. E mban pas *bythe (dikë) përb. vulg. Mban *dizgjinët (dikush). Mbaj *dorën. Ia mbaj *dorën (dikujt). Mbaj në *dorë (diçka). E mbaj nëpër duar (diçka). S’e mban *dheu (toka) (diçka). Ma mbajtën *dhëmbët (diçka). Mban (bie, vjen) *erë (diçka). I mbaj (i marr) *erë (diçkaje). E mbajti në *errësirë (dikë a diçka). E mban *fjalën (dikush). Mban *flamurin (dikush). Mban *frerët (dikush). E mbaj në *fre (dikë). Mbaj *frymën. E mbajti *frymën (diku). Sa për të mbajtur *frymën. Mbaj *gojën! E mban në *gojë (dikë a diçka). E mban (e merr) nëpër *gojë (dikë a diçka). E mban (e ka) në *grusht (dikë). Më mban *të gjallë (dikush a diçka). E mbaj *të gjallë (dikë a diçka). S’mban *gjë (dikush). Nuk më mbajnë *gjunjët. Mban *hatër (dikush). E mbaj me *hatër (dikë). I mbaj *inat (mëri) (dikujt). I mban *ison (i bën iso) (dikujt). E mbaj nën *jastëk (diçka). S’e mban (s’e ngre) *kandari (diçka). S’i kam mbajtur *kandilin (dikujt). S’mban *kapistër (dikush). Mbaj *këmbët. Nuk më mbajnë *këmbët. E mbaj më *këmbë (dikë a diçka). E mbaj te *këndi (dikë). Ma mban (ma ka) *këngë (dikush). E mbaj (e ruaj) me *kimet (dikë). Mbaj (marr) *krahun (e dikujt). Mbaj *kreshmë shak. I mban *kuleta (dikujt). E mban mbi *kurriz (në shpinë) (dikë). Më mban *kurrizi (shpina) (dikujt). E mbaj *larg (dikë). E mban *lart (dikush). E mban nën *lëkurë (diçka). Nuk ma mban *lëkura (diçka). I mban *lëkura (dikujt). E mban me *limon (dikë). E mbaj si e mbaj (dikë) e çmoj shumë, e nderoj aq shumë sa mbi të s’vë njeri tjetër; e kam (e mbaj) mbi krye (mbi kokë) e lart (e sipër) (dikë); lë kokën (kryet) (për dikë). Mbaj *mend. E mbaj në *mend (diçka). Mbaj *mendjen! E mban *mendjen (te dikush a te diçka). Më mban *mendja (për diçka a te dikush). E mbaj *të ndezur (ndezur) (diçka). S’më mban *ngrohtë (dikush). Mban *pajë (dikush). I mbaj *pajë (dikujt). E mbaj (e kam) *parasysh (diçka). Mbaj *pehriz. E mbaj me *petulla (dikë). E mbaj *përbrenda (diçka). S’i kam mbajtur *pishën (dikujt). E mbaj *pranë (dikë). S’e mban *qielli (diçka). Mbaj *Ramazan shak. S’mban *rend (dikush). I mban *samari (dikujt) tall. Mban (bën) *sehir (dikush) keq. E mban (e ka marrë) nën *sqetull (dikë a diçka). E mban mbi *supe (diçka). I mbaj *sytë (nga dikush a nga diçka). E mban *syrin (një sy) (në diçka). E mban në *shenjë (dikë a diçka). E mbajtsh me *shëndet! iron. Mbaj (marr) *shënim (për diçka) libr. E mban mbi *shpatulla (diçka). S’ma mbajnë *shpatullat (diçka). Më mban shpina (*kurrizi) (diçka). Sa për të mbajtur *shpirtin. Nuk ia mbaj dot *shpirtin (dikujt). S’më mban *toka (dheu). E mban mbi *trup (diçka). Mbaj *udhën! Mbaj *vendin! keq. E mbaj (e mbërthej, e gozhdoj) në *vend (dikë). S’më mban *vendi. Mbaj *vesh. I mbaj *vesh (dikujt a diçkaje). E mbaj *veten. Mban (ka) *vlagë (dikush). E mbajti (e ndali, e la) *vrapin (diku). Ia mbaj (ia ruaj) në *xhep (dikujt). Nuk ma mban *xhepi. E mbaj në *zemër (dikë a diçka). I mban *zërin (dikujt).
MBÁJS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkop a hu që shërben për të mbështetur hardhitë apo degët e pemëve të tjera, furkaçe.2. Gardh me hunj të lartë që vendosen dendur.
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Veprimi ose gjendja kur mbaj dikë a diçka ose kur mbahem nga dikush a diçka. Mbajtja e anijeve nëpër porte. Mbajtja e makinave (e biçikletave, e armëve).…
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTUN/Ë,~ITË (të) as., vjet. 1. Digë, pendë, sfrat. Gjithë të mbajtunë të ujit.2. Mbajtje, ruajtje, kujdesje.3. Fund, mbarim.✱Sin.: digë, pendë, sfrat, mbajtje, ruajtje, fund, mb…
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTUR (i, e) mb. 1. Që është rritur e është ushqyer mirë, që është mbajtur mirë; që e ka trupin dhe pamjen mjaft të fortë e të ri për moshën që ka, që është fare mirë me shëndet …
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTUR,~A (e) f. Sipërfaqja e tokës e punuar brenda ditës nga një pendë qe. E mbajtura e tokës.
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTUR,~I (i) m. sh. ~, ~IT (të) Ulok.
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTUR,~IT (të) as. Mbajtje. Ka rëndësi të mbajturit pastër i mjedisit ku jetojmë. Ka aftësinë e të mbajturit mend. S’e kishte shokun në të mbajturit e pijes.
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTËS,~E mb. 1. Që shërben për të mbajtur a për të përforcuar diçka për të mos rënë; mbështetës, përforcues. Shtyllat mbajtëse të ndërtesës. Mur mbajtës. Blloqe mbajtëse. Digë mb…
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që ka diçka, zotërues. Mbajtësi i armës. Mbajtësi i mjetit motorik. Mbajtësi i një urdhri (i një dekorate). Mbajtësi i pasaportës. Mbajtësit e maskav…
Shfaq përkufizimin e plotë →MBÁJTËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Mjet a send i posaçëm, që shërben për të ruajtur a për të mbajtur diçka. Mban në dorë një mbajtëse qiriri. Vendos gotat në mbajtëse. Vështroj armët …
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë