Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
►MBÁ/HEM jovep., ~JTA (u), ~JTUR 1. vetv. Qëndroj në një gjendje të caktuar pasi jam kapur pas dikujt a pas diçkaje që të mos bie; qëndroj diku pa u rrëzuar; mbështetem diku që të mos bie. Mbahej me shkop. Mbahej me duar (me këmbë). Mbahej pas krahut të nënës. Mbahej pas parmakëve. Mbahej pas meje. Mbahej në degën e një peme. Ecte pa u mbajtur gjëkundi. Mbahej mirë në kalë.
2. fig., vetv. Jetoj, qëndroj e veproj duke u kapur pas diçkaje, duke u përpjekur të përfitoj nga diçka a dikush. Mbahet pas meritave të kaluara. Mbahet pas lidhjeve e krushqive. Mbahet pas fijes së kashtës (pas flokëve të vet).
3. vetv., vet. v. III Qëndron, nuk këputet, nuk thyhet, nuk bie etj.; fig. nuk është prishur ose zhdukur plotësisht, qëndron, rron. Këpucët (rrobat) mbahen ende. E vjetra kërkon të mbahet me çdo mënyrë.
4. vetv. Jam në gjendje të qëndroj, i bëj ballë një peshe, lodhjes etj.; jam mirë me shëndet, nuk më ka mposhtur sëmundja a pleqëria; kam ende forca për të jetuar, për të punuar a për të luftuar, qëndroj, nuk dorëzohem; kam ende mjete a mundësi ekonomike etj. për të jetuar ose për të kryer një veprimtari. Plaku mbahet mjaft mirë. Mezi mbahej më këmbë. S’i mbaheshin këmbët nga lodhja. A mbahesh? si je, si shkon? (përshëndetje). Skuadra u mbajt deri sa i erdhën përforcimet.
5. fig., vetv. Qëndroj i fortë e i patundur moralisht, nuk zmbrapsem para asnjë pengese a vështirësie, nuk më mposhtin dot hallet a fatkeqësitë. Mbahu, mos e lësho veten! U mbajt si trime. Mbahet mirë.
6. vetv. Përmbahem; e mbaj veten. Nuk mbahet nga gëzimi. S’u mbajt pa ia thënë të gjitha.
7. vetv. Tregoj kujdes për veten time; ushqehem, vishem e mbathem mirë; bëj jetë të mirë e të rregullt. Mbahet mirë. Mbahet pastër.
8. edhe fig., vetv. Jetoj, rroj. Njerëzit mbahen me bukë. Bagëtitë mbahen me bar e me kashtë. Nuk mbahet shtëpia me miell hua. (fj. u.).
9. fig., vetv. E quaj apo e vlerësoj veten në një mënyrë të caktuar, e heq veten, e pandeh, sillem në një mënyrë të caktuar; mburrem. Mbahet si i mençur (si budalla). Mbahet si shkrimtar. Mbahej për trim. Mbahet me të madh (rëndë). Mbahet se i di të gjitha. Mbahet si mik i shtëpisë. Si shumë na mbahet!
10. vetv. I qëndroj besnik diçkaje a dikujt, nuk i kapërcej caqet e diçkaje, nuk lëviz; i përmbahem (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). I mbahem mendimit të parë. U mbahet rregullave e udhëzimeve. I mbahet pikë për pikë tekstit.
11. vetv., vet. v. III Më pengohet, më zihet, nuk shkon, nuk lëviz a nuk rrjedh lirisht (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). I mbahet goja. Më mbahet fryma. I mbahej ujët e hollë.
12. fig., bised., vetv. Lidhem me dikë, mbaj anën e tij. Me cilën anë mbahet? Me kë mbahesh ti?
13. vetv., vet. v. III Zhvillon punimet, bëhet. U mbajt një mbledhje e rëndësishme. U mbajtën punimet e Kuvendit. U mbajt një kongres.
14. pës. e MBAJ.
✱Sin.: mbështetem, jetoj, veproj, kapem, qëndroj, rroj, përmbahem, shtirem, pengohet, zë, bëhet, zhvillohet, lidhem, ruhet, quhem.
♦ Mbahet *gjallë (dikush a diçka). Mbahet më *këmbë (dikush a diçka). Mbahet më *të madh (dikush). Mbahet *mend (dikush a diçka). Mbahet (varet) në një *qime.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë