Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
MÉNDJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Aftësia e njeriut për të menduar, për të njohur e për të pasqyruar botën, për të arsyetuar e për të gjykuar, që arrihet me anë të veprimtarisë së trurit; arsyeja si veti e njeriut; truri si qendër e veprimtarisë mendore; mend (edhe në një varg njësish frazeologjike). Mendje e shëndoshë. Njeri i penës dhe i mendjes. Aq ia preu mendja. I punon mendja për... Është i mprehtë (i hollë, i trashë, i lehtë) nga mendja. Iu trash (iu hollua) mendja. I pret hollë mendja. E ka mendjen të hollë. I pjell mendja ka aftësi mendore krijuese. E ka mendjen femër. E ka mendjen akull (brisk, qiqër). E shtrydhi mirë mendjen u mendua fort për diçka, e vrau shumë mendjen. E lodh mendjen. Më zien mendja. Gjykon (vepron) me mendje të vet bën ashtu si e mendon e si do vetë, nuk pyet njeri. S’ia kap (s’ia pret, s’ia rrok) mendja. E ka (e tha) nga mendja e vet. E ka nxjerrë nga mendja e vet. S’i ka nga mendja e tij. I është bërë mendja sport (muzikë) (bised.) mendon vetëm për sportin (për muzikën). Bluaj me (në) mendje.
2. bised. Ajo që mendon dikush për dikë a për diçka; pikëpamje, bindje; gjykim, vlerësim, mendim. Sipas mendjes sime... Jam i mendjes që... Jam i një mendjeje me të. Nuk pajtohem me atë mendje. I erdhi një mendje. Ndërroi mendje hoqi dorë nga një mendim i mëparshëm. M’u kthye (m’u ndërrua) mendja nuk e kam me atë mendim që kisha, tashti mendoj ndryshe. Nuk i lot mendja nuk tundet nga mendimi që ka. Ia bleu (ia gjeti, ia zgjodhi) mendjen. Ia di mendjen. Ç’mendje keni për atë? Shkon pas mendjes së tjetërkujt. U vijnë gjithfarë mendjesh. Jam dy mendjesh jam më dysh, ndërdyshas, kam dy mendime, s’di si t’ia bëj. Një mendje më thotë po, një mendje jo jam në mëdyshje.
3. bised. Këshillë, mendim si këshillë; mësim. Më jep një mendje! Donte (kërkonte) një mendje nga i ati. S’e do (s’e pëlqen) atë mendje.
4. Kujdesi e vëmendja që tregojmë për diçka a për dikë, vëmendje. Ki mendjen! ki kujdes!, hap sytë! S’e ka mendjen aty. S’ia vuri mendjen këshillës që i dhanë. E hoqi (e largoi) mendjen nga dikush a nga diçka nuk kujdeset, nuk shqetësohet më për të. I vë mendjen dikujt a) kujdesem për të që të shkojë mirë; b) e dëgjoj me vëmendje. Atje (tek ai) i rri mendja për atë është i shqetësuar, për atë ka merak.
5. Të menduarit. Higjiena e mendjes. E marr me mendje e kuptoj, jam në gjendje ta kuptoj nëpërmjet të menduarit. E kaloi nëpër mendje. E çoj (e shpie) mendjen te dikush a te diçka.
6. Kujtesë, mend (edhe në një varg njësish frazeologjike). E kam (e ruaj) në mendje. Nuk me hiqet (nuk e largoj) nga mendja. E hoqi nga mendja. E fshiu nga mendja nuk e kujton më fare, e harroi krejt. M’u ngul në mendje. Më doli (më iku) nga mendja e harrova fare. Më erdhi (më shkoi, më vajti) në mendje m’u kujtua. E sjell në mendje e kujtoj, e sjell ndër mend. E fut (e shtie) në mendje.
7. fig. Njeriu si bartës i të menduarit; njeri me aftësi mendore në një gjendje a në një shkallë të caktuar. Mendje e ndritur (e madhe). Mendje e re (e vjetër). Mendje krijuese. Mendje e ngushtë (e thatë, e mykur). Mendjet më të shquara të njerëzimit.
8. bised. Qëllim, synim. Kishte mendje të mirë (të ligë). Erdhi me mendje të keqe. Nuk ia dinim mendjen. Ia kuptoi mendjen. Ia njoh mirë mendjen. Me atë mendje që ka, do ta pësojë. Mendja e madhe e zeza e të zot. (fj. u.) mendjemadhi e pëson vetë. Mendja e madhe ta thyen qafën (zverkun). (fj. u.) mendja e madhe e zeza e të zot.
✱Sin.: mend, tru, fiqir, të menduarit, arsye, gjykim, vëmendje, kujdes, mendim, kujtesë, këshillë, qëllim, synim.
♦ Me *akull të mendjes. Iu arratis mendja (dikujt) u shpërqendrua fare; u hutua krejt; i bredh mendja në kujtime, në vende të largëta, në ngjarje të jetuara etj.; i bredhërin mendja. Aq ia arrin (ia pret) mendja (dikujt) mospërf. aq di e aq mund të kuptojë; nuk është shumë i zgjuar, është i kufizuar në arsyetim; aq e ka. I është bërë mendja... e ka gjithnjë mendjen te diçka, mendon vazhdimisht vetëm për të; i është bërë koka...M’u bë mendja (koka) *bozë. M’u bë mendja *çarçaf. M’u bë mendja *çorap. M’u bë mendja (koka) *çorbë. M’u bë mendja (koka) *dhallë. M’u bë mendja *havale. M’u bë mendja (koka) *lëmsh. M’u bë mendja (koka) *llum. M’u bë mendja (koka) *përshesh. M’u bë mendja *top (për diçka). M’u bë mendja (koka) *tym. M’u bë mendja *ujë. M’u bë mendja *veri. Ia bëj mendjen (kokën) *bozë (dikujt). Ia bëri mendjen *çapraz (dikujt). Ia bëj mendjen *çarçaf (dikujt). Ia bëj mendjen *çorap (dikujt). Ia bëri mendjen *çorbë (dikujt). Ma bëri mendjen (kokën) *dhallë (dikush).Ia bëri mendjen *firifiu (dikujt). Ia bëj mendjen *hirrë (dikujt). E bën mendjen *hu (dikush). Ia bëj mendjen *livadh (dikujt). Ma bëri mendjen *mulli (dikush).E bëra mendjen *okë. Ia bëri kokën (mendjen) *përshesh (dikujt). Ia bëri mendjen *pordhë (dikujt) bised. vulg. E bëra mendjen *pupa. Ma bëri mendjen (kokën) *sallatë (dikush). E bëra (e mblodha) mendjen *top (për diçka). Ia bëj mendjen (kokën) *tym (dikujt). Ia bëri mendjen *ujem (dikujt). Ma bëri mendjen *ujë (dikush a diçka). Ia bëri mendjen *veri (dikujt). Ra në mendje (dikush). 1. Erdhi në gjendje normale, kupton se ku është, ç’po ndodh etj.; e mblodhi mendjen; erdhi në vete; ra në vete. 2. U kujtua; i shkoi (i vajti) mendja (dikujt); i shkoi ndër mend (dikujt). I ra në mendje (dikujt). 1. Nuk i hiqet mendimi për dikë a për diçka, për atë mendon vazhdimisht; iu ngul (iu ngulit) në mendje. 2. Kujtohet për dikë a për diçka pas shumë kohësh, i vjen dikush a diçka në kujtesë; e mendon; i ra në tru. I ra mendjes (prapa) (dikush) e mblodhi veten, e kuptoi më në fund diçka; u bë më i zgjuar; erdhi në udhë (të mbarë). Bie në një mendje (me dikë) pajtohem në mendim me dikë; merrem vesh, kuptohem me të; i puq fjalët. I blej mendjen (dikujt) e gjykoj dhe e kuptoj se ç’mendon për një çështje të caktuar a për diçka; e marr vesh se ç’ka ndër mend të bëjë, duke e hetuar e duke e ngacmuar që t’i zbuloj mendimin. E bluaj në mendje (diçka) e mendoj mirë e mirë dhe për një kohë të gjatë, e rrah me vete nga të gjitha anët; bluaj me mend. I bredhërin mendja (dikujt) është i shpërqendruar, është i shpërndarë e i hutuar, mendon për gjëra të ndryshme kalimthi; nuk përqendrohet dot në një gjë, shikon si i hutuar, nuk e ka mendjen aty; është si i çoroditur; iu arratis mendja; i kullot mendja (gjetkë); i fluturon (i ikën) mendja3; kullot retë (dikush). M’u çakërdis mendja u hutova krejt e nuk di si të veproj; m’u prish mendja. Çalon nga mendja (dikush) keq. shih nuk ka (as) pesë (as dy) para mend (dikush).E çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka) nis të mendoj për dikë a për diçka; e sjell ndër mend (dikë a diçka); e hedh mendjen; kund. e heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka). Më doli nga mendja (diçka) e harrova fare; më doli (më iku) nga mendtë; më iku nga trutë. I ka dalë mendja mbi kapë (dikujt) keq. shihi bie kashtës përmbi kalli (dikush). (Del) mendje mbi mendje (dikush) iron. del mbi të gjithë, e bën veten për më të zgjuarin; i duket se po thotë mendimin më të zgjuar. Ma do mendja besoj; kujtoj se...; ma ha (ma merr, ma pret) mendja; ma thotë mendja; shkoj (vete) me mendjen se... I ecën (i bredhërin) *gjuha para mendjes (dikujt). M’u errësua mendja. 1. Nuk e kam mendimin aq të qartë, jam i turbulluar e nuk mendoj si duhet; m’u turbullua (m’u mjegullua) mendja. 2. Më hipi inati a zemërimi dhe nuk arsyetoj më, humba kontrollin e vetes dhe nuk di ç’bëj; m’u veshën sytë. Ma errësoi mendjen (dikush a diçka) më bëri të mos i shoh më gjërat qartë ashtu siç janë e të veproj gabim; ma turbulloi (ma mjegulloi) mendjen. I ka fërshëllyer mendja (dikujt) tall. e vlerëson veten më shumë nga ç’është, i pëlqen vetja e mburret; i ka hyrë vetja në qejf (dikujt); mbahet më të madh (dikush); shet mend (dikush); i është rritur mendja; është dashuruar me vetveten (dikush). E fjeti mendjen (dikush) është i qetë për diçka; e hoqi merakun, nuk shqetësohet më, është i sigurt për diçka që pret, për një porosi etj.; e hodhi (e vuri) festen (qeleshen, kapelen, takijen) mbi sy; e hedh (e vë) këmbën mbi këmbë; i shtiu veshët në lesh. Më fle mendja (te dikush a te diçka) kam besim të plotë te dikush a te diçka; jam i qetë e i sigurt plotësisht; qetësohem, duke u bindur për diçka a duke i besuar diçkaje; jam i vendosur; m’u mbush mendja; më fle kandari. Më fluturoi (më iku) nga mendja (diçka) e harrova shumë shpejt, nuk kujtohem më për të; e harrova pa dashje; më doli nga mendja; më doli (më iku) nga mendtë. I fluturoi (i iku) mendja (dikujt). 1. U çmend dikush, shkalloi; po i luan mendja (e kokës); i kapërceu (i kaloi) mendja. 2. U hutua fare, s’është në vete, s’e di ku është a ç’të bëjë; i ka mendtë në tra (nga trarët) (dikush); i ka mendtë në tufë të festes (dikush).3. (diku). I shkoi mendja gjetkë, mendoi për diçka tjetër; i bredhërin mendja; i livadhis mendja; i kullot mendja (gjetkë). E fshij (e shlyej) nga mendja (dikë a diçka) e harroj përfundimisht, nuk dua të mendoj fare për të; nuk e kujtoj më; e fshij (e shlyej) nga kujtesa; e heq (e fshij) nga koka. Ia fut (ia shtie) në mendje (dikujt) ia kujtoj; e bëj të kujtohet ose të mendojë për dikë a për diçka; ia fut (ia shtie) në mend. E gënjen (e rren) mendja (dikë) ashtu kujton, gabon duke e marrë diçka si të vërtetë; shpreson më kot, gënjehet, mashtrohet; bën dy pendë me tre qe (dikush).E gjen mendjen (dikush) është i zgjuar, i kap a i zbulon gjërat shpejt; e zgjidh vetë problemin që ka; bën atë që duhet bërë; më në fund e kupton; e ka mendjen femër; i pjell mendja (dikujt). Gjeti mendja mendjen mendojnë njëlloj si njëri e tjetri, të dy një kokë kanë; gjeti tenxherja kapakun keq. Me *gjysmë mendje. Më ha mendja (për dikë a për diçka) dyshoj, kam dyshim për dikë a për diçka; më ha zemra (te dikush a te diçka); më gërryen zemrën (dikush a diçka). Ma ha (ma merr, ma pret) mendja besoj se..., kujtoj se..., më duket se...; ma do mendja; ma thotë mendja; shkoj (vete) me mendjen se...Hajde mendje, hajde! iron. ama ç’mendje më paske! (kur dikush bën diçka të papëlqyeshme, të çuditshme a mendon gabim). E hedh mendjen nis të mendoj për dikë a për diçka; e kujtoj si rastësisht e shkarazi; e çoj (e shpie) mendjen. E heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka) nuk mendoj më për dikë a për diçka, e harroj; nuk kujdesem e nuk shqetësohem më për dikë a për diçka; e heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka);kund. e çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka).E heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka) e harroj krejt, s’e kujtoj më kurrë; e heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka);kund. e ngul (e ngulit) në mendje. I ka hipur mendja mbi kësulë (dikujt) shihi ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt).I ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt) është bërë shumë mendjemadh; i pëlqen shumë vetja; i është rritur mendja. Nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja (dikush a diçka) s’e harroj dot kurrë, më kujtohet vazhdimisht, më është ngulitur në kujtesë; nuk më hiqet (nuk më shkulet, nuk më shqitet) nga mendtë; më rri mendja (te dikush a te diçka);(atje) e kam mendjen; më ka mbetur (më ka ngelur) në mendje; s’më hiqet nga koka; e kam plagë në zemër (diçka).I është holluar mendja (dikujt) është bërë më i zgjuar, është bërë më i ditur e më i mprehtë; i është holluar truri; kund. i është trashur mendja. Humbi mendjen (dikush) është dhënë aq shumë pas dikujt a pas diçkaje, sa s’është më në gjendje të gjykojë në mënyrë të shëndoshë; u harrua pas dikujt a pas diçkaje, nuk mendon për gjë tjetër; la mendjen; humbi mendtë (e kokës); s’është në vete. I iku (i fluturoi) mendja (dikujt) u çmend, lajthiti; iku nga mendtë (dikush); luajti nga mendja (dikush); luajti mendsh (nga mendtë) (dikush); doli mendsh (dikush); u prish nga mendja (dikush); u prish nga mendtë (mendsh) (dikush).Është afër mendjes (diçka) kuptohet vetvetiu, është fare e qartë; është afër mendsh; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; s’do fjalë; kund. është jashtë mendjes. Është më afër mendjes (diçka) ka më shumë të ngjarë, është më e mundshme; lë të kuptohet vetvetiu; është më afër mendsh. (Jam) me dy mendje s’di si të veproj a ç’anë të marr; nuk kam vendosur ende të bëj diçka, mund të pranoj ose mund të mos pranoj, jam mëdyshas; e kam (mendjen) më dysh; përkundem në dy djepe. Është *fushë nga mendja (nga mendtë, nga koka) (dikush) mospërf. Është *fyell nga mendja (nga mendtë, nga koka) (dikush) mospërf. Është jashtë mendjes (diçka) as që mund të mendohet diçka, s’ta pranon arsyeja, nuk mund të pajtohesh me të; s’ka të ngjarë, është i paqenë; është larg mendsh; kund. është afër mendjes. Është *kërcu nga mendja (dikush). Jam në një mendje (i një mendjeje) (me dikë) mendoj si dikush, pajtohem në mendim me të, nuk kam mendim tjetër nga ai; kam një mendje (me dikë).Është *poç nga mendja (nga koka) (dikush). Është *pupël (nga mendja) (dikush). Është *qyp nga mendja (nga koka) (dikush). Është *trëndelinë nga mendja (dikush) mospërf. Është *trokë nga mendja (dikush) keq. Jap një mendje propozoj diçka; jap një mendim se si mund të zgjidhet a të bëhet diçka. Ka katërqind mendje (dikush) nuk ka një mendim të përcaktuar qartë; i vijnë mendime të ndryshme; ndryshon shpejt mendim, nuk është i qëndrueshëm në një mendim. E ka mendjen (dikush). 1. Mendon të bëjë diçka; ka ndër mend. 2. shih e mban mendjen (te dikush a te diçka). Kam mendjen. 1. Ruhem, kam kujdes. 2. Mendohem mirë para se të bëj diçka, jam i kujdesshëm; hap sytë. Kam një mendje (me dikë) mendoj njësoj si ai; kam të njëjtën mendësi a mënyrë të menduari; jam në një mendje (i një mendjeje) (me dikë). E ka mendjen *aguridhe (dikush) keq. E ka mendjen *akull (dikush). E ka mendjen *brisk (dikush). E ka mendjen *çarçaf (dikush). E kam mendjen (kokën) *çorbë. E ka mendjen *esëll (dikush). E ka mendjen *femër (dikush). E ka mendjen *fije peri (dikush). E ka mendjen *firifiu (dikush). E ka mendjen *të fjetur (dikush). Ka mendje të ftohtë (dikush) e ka gjykimin të kthjellët; mendon e arsyeton me gjakftohtësi, qartë e me logjikë të shëndoshë; e ka mendjen akull. E ka mendjen (trurin) *fushë shpërf. E ka mendjen *të hollë (dikush). E ka mendjen *hu (dikush). E ka mendjen *kobure (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) në *kokë (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) prapa *kokës (dikush). E ka mendjen *të kthjellët (dikush). E ka mendjen *të kulluar (dikush). E ka mendjen *lëndinë (dikush) keq. E ka mendjen në *majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). E ka mendjen *të mbledhur (dikush). E ka mendjen *të mprehtë (dikush). E ka mendjen *okë (dikush). E kam mendjen *të prishur. E ka mendjen (i ka mendtë) pas *qafe (dikush). E ka mendjen për *sorra (dikush).E ka mendjen *qiqër (dikush). E kam mendjen (kokën) *rrëmujë. E ka mendjen *të shkurtër (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) pas *shpine (dikush). E ka mendjen *tel (dikush). E ka mendjen *top (dikush). Nuk e ka mendjen (kokën) në *vend (dikush). E ka mendjen *veri (dikush). E ka mendjen *xham (dikush). I kapërceu mendja (dikujt) shih luajti nga mendja (dikush). *Karafil nga mendja (dikush) tall. Nga këmbët *borroviq e nga mendja eksiq mospërf. *Kërcu nga mendja. Të kripsha mendjen! iron. mospërf. shih të kripsha trutë! iron. mospërf. I krisi mendja (dikujt) shih i krisi koka (dikujt). I krisur nga mendja i vrazhdë e i pasjellshëm; jo i arsyeshëm; kokëkrisur; i shartuar në degë përb. M’u kthye (më ndërroi) mendja u binda për diçka dhe nisa të mendoj ndryshe ose të mos bëj atë që kisha menduar më parë; e lashë një mendim të mëparshëm, u tërhoqa nga ajo që kisha vendosur; m’u prish mendja; m’u kthjellua mendja; hoqa dorë. Ia kthej (ia ndërroj) mendjen (dikujt) e bëj dikë të mendojë ndryshe ose të mos bëjë atë që kish menduar më parë; e bind që të ndryshojë mendim ose të tërhiqet nga ajo që kish vendosur; ia prish mendjen. M’u kthjellua mendja. 1. U qartësova e nisa të gjykoj mirë e drejt; më iku lodhja a turbullimi dhe e kujtoj fare qartë diçka. 2. Nuk kam më atë mendim që kisha, mendoj ndryshe; m’u kthye (më ndërroi) mendja. Ia kulloi mendjen (dikujt) e bëri që të njohë mirë e të kuptojë diçka, e bëri t’i shohë gjërat ashtu siç janë; ia shpëlau mendjen; ia shpëlau kokën. I kullot mendja (gjetkë) (dikujt) mendon për dikë a për diçka tjetër ose që ndodhet larg, mendimi i shkon për një kohë të gjatë te dikush a te diçka, nuk e ka mendjen këtu, mendon për shumë gjëra të tjera lirisht e vetvetiu; sodit lirisht; i bredhërin mendja; i livadhis mendja; i fluturon (i ikën) mendja3. S’i kuqet *e bija e mendjes (dikujt) përçm. E laj mendjen (nga dikush a nga diçka) nuk mendoj më për dikë a për diçka, ndërpres së menduar për të; nuk shpresoj më që ta shoh dhe e harroj; e heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka); e hedh (e lë) pas mendsh (dikë a diçka).Është lehtësuar nga mendja (dikush). 1. I është dobësuar kujtesa dhe përgjithësisht aftësia mendore (zakonisht nga pleqëria). 2. tall. Është bërë mendjelehtë; është trëndelinë (nga mendja). La mendjen (pas dikujt a pas diçkaje) u habit shumë, u çudit, u mahnit, mbeti si i shastisur; shkalloi fare, u çmend pas dikujt a pas diçkaje; humbi mendjen; la mendtë (e kokës); humbi mendtë (e kokës); la sytë. E ka lënë mendja (dikë) është bërë budalla; është marrosur, është çmendur; e lanë (e lëshuan) mendtë; e kanë lënë trutë; është prishur nga mendtë (dikush). Të lësh mendjen (pas dikujt a diçkaje) është shumë i bukur, shumë i mirë; t’i marrësh (t’i rrëmbesh) kokën (dikujt); shtie hënën përdhe (dikush); të rrëzon nga kali (dikush). E la mendja në udhë (dikë) u hutua fare, s’është në vete, s’di ku është a ç’duhet të bëjë, u shastis; e humbi toruan (dikush); e humbi busullën (dikush);e humbi si lepuri në thekra (dikush). I livadhis mendja (dikujt). 1. Nuk është i përqendruar, e ka mendjen të shpërndarë, i shkon mendja lirisht nga një gjë në një tjetër; i bredhërin mendja; i kullot mendja (gjetkë); i fluturon (i ikën) mendja3. 2. Ëndërron lirisht për gjëra të paarritshme, fantazon. Lodh mendjen (për diçka) mundohem të kuptoj diçka a të gjej një zgjidhje; përpiqem me këmbëngulje të mësoj a të përvetësoj diçka; vras mendjen; më hahen mendtë (ndër vete); lodh trurin; lodh kokën (kryet). Nuk më luan mendja nuk tundem nga mendimi që kam; jam i vendosur për diçka; nuk ndërroj (nuk kthej) mendje. Luajti nga mendja (dikush) u çmend, shkalloi, lajthiti, shkau; luajti mendsh (nga mendtë); lajthiti nga mendtë; i iku mendja (dikujt); u prish nga mendja; doli mendsh; mori malet. E luajti nga mendja (dikë) e çmendi, e shkalloi; e luajti mendsh (nga mendtë) (dikë). (Po) më luan mendja (e kokës) po çmendem nga dhembje të mëdha, nga shumë shqetësime, telashe a probleme që s’di si t’i zgjidh; s’di ç’të bëj nga gjithë ato halle; po humbas arsyen e gjykimin; po çmendem; (po) më luan (më ikën) kapaku i kokës; (po) më digjet mjekra. Ia mori mendjen (dikujt) shih ia mori mendtë (dikujt). Ma merr (ma ha, ma pret) mendja jam i bindur për diçka; besoj se mund ta bëj një punë a se mund të ndodhë diçka; besoj, kujtoj se...; ma do mendja. Ta merr (ta pret) mendja natyrisht, kuptohet vetvetiu, kuptohet lehtë që ashtu është; s’ka se si të jetë ndryshe; sigurisht, patjetër, s’ka dyshim; s’do mend; është afër mendsh; del (vjen) vetvetiu; merret vesh; s’do fjalë. Merr mendjen (e dikujt) dëgjon vetëm fjalët e dikujt, vepron siç thotë ai, nuk gjykon vetë në mënyrë të pavarur; merr mendtë (e dikujt). I ka marrë mendja (koka) *erë (dikujt). I ka marrë mendja *revan (dikujt) përçm. Mbaj mendjen! kujdes, të mos lajthitësh!; eja në vete!;mos u lësho e mos e humb! E mban mendjen (te dikush a te diçka) mendon vazhdimisht për të, nuk e harron për asnjë çast; e ka mendjen (te dikush a te diçka); i punon mendja; i rreh mendja; i rri mendja; i mbeti (i ngeli) mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka). Më mban mendja (për diçka a te dikush) shpresoj te dikush a te diçka; vetëm nga ai ose nga ajo pres diçka; besoj; kam shpresë; i var shpresat (te dikush a te diçka);e kam syrin (i kam sytë) (te dikush a te diçka); i mbaj sytë (te dikush a te diçka). E mban mendjen në *vend (dikush). I mbeti (i ngeli) mendja (te dikush a te diçka) nuk e harron; i ka bërë përshtypje a ka merak dhe gjithnjë për të mendon; e ka mendjen; e mban mendjen; i punon mendja; i rreh mendja; i rri mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka). Më ka mbetur (më ka ngelur) në mendje (diçka) nuk e harroj dot, për atë mendoj; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja. Më mbiu në mendje (diçka) më erdhi papritur një mendim e m’u ngul në kokë; aty e kam mendjen; më shkrepi në mendje; më mbiu në kokë (në krye); më mbiu në tru. E mblodhi mendjen (dikush). 1. Vendosi për diçka, pasi s’kishte ç’të priste më ose të shpresonte për një gjë; u mendua mirë e u bind të kthehej në rrugë të mbarë; e ndau mendjen; e mblodhi (e ndau) mendjen top; i ra mendjes prapa; i erdhi mendja në vend (dikujt); i thirri mendjes; i vuri gishtin kokës; i shtrëngoi rrathët. 2. U qetësua pasi u sigurua për diçka, nuk ka më frikë a dyshime. Mbuloi *balta baltën përb. Ia mbush mendjen (dikujt) e bind më në fund për diçka, e bëj që të mos jetë më i lëkundur a mëdyshas; ia mbush kokën (kryet). M’u mbush mendja u binda plotësisht për të bërë diçka; e vendosa, s’kam më lëkundje, nuk jam më mëdyshas; jam i bindur e nuk dyshoj më; m’u mbush mendja top; m’u mbush mendja qyp; më fle mendja. Nuk i mbushet mendja (dikujt) nuk bindet a nuk beson për diçka; dyshon shumë dhe s’është i vendosur për diçka; nuk arsyeton mirë; nuk i mbushet koka (kryet); nuk ha arsye (dikush); s’lidhet as për bishti as për krye (dikush); s’i fle kandari. M’u mbush mendja *qyp. M’u mbush mendja *top. Me mendje të arratisur. 1. I shpërqendruar fare; krejt i hutuar, sa s’di si të veprojë; me mendje të çakërdisur.2. Që ka humbur diku, i tretur larg; i shpërndarë. Me mendje të çakërdisur krejt i hutuar, sa s’di si të veprojë; i shpërqendruar fare; me mendje të prishur; me mendje të arratisur. Me mendje të errësuar i paaftë për t’i parë gjërat ashtu si janë, i shastisur. Me mendje të errët me synime të këqija; me gjykim të errësuar. Me mendje të fjetur. 1. I qetë, pa ndonjë shqetësim; i sigurt për diçka që pres; pa merak. 2. I ngathët nga mendja; jo shumë i zgjuar. Me mendje të ftohtë jo i lodhur a i ngarkuar mendërisht, i qartë; që e merr diçka shtruar e me qetësi, i qetë; kund. me mendje të nxehtë. Me mendje të lehtë me mendjelehtësi. Mendja e madhe mendjemadhësia. Me mendje të mbledhur. 1. Duke qenë i vendosur për të vepruar ose për të mos vepruar, kur e ke punën të qartë dhe nuk ke ç’pret më a nuk shpreson më për diçka; pa lëkundje e pa mëdyshje; me mendje të mbushur; me mendje të ndarë. 2. I qetë, pa ndonjë shqetësim; qetësisht; me mendje të shtruar. Me mendje të mbushur i bindur përfundimisht për diçka, i palëkundur, i pamëdyshje; me mendje të mbledhur; me mendje të ndarë. Me mendje të ndarë i vendosur njëherë e mirë për diçka, i bindur e i palëkundur; pa mëdyshje; me mendje të mbledhur; me mendje të mbushur. Mendje e ndritur lart. njeri i ditur, me veti e merita të larta, shumë i ngritur e i shquar; kokë e madhe. Me mendje të ndriçuar (të ndritur) i ditur e i kulturuar; i arsimuar e i civilizuar. Me mendje të ndryshkur keq. që ka mbetur prapa zhvillimit të jetës e të shoqërisë, i prapambetur, i vjetruar, i mykur. Me mendje të ngritur i shqetësuar për diçka, që i punon mendja për diçka, i paqetë; kokën këtu e këmbët atje (dikush); kund. me mendje të shtruar. Me mendje të nxehtë shumë i shqetësuar dhe i nxituar; me inat a me zemërim, i nxehur, i ndezur; me kokë të ndezur (të nxehtë); kund. me mendje të ftohtë. Me mendje të njomë ende i papjekur, si fëmijë; i parrahur në jetë, delikat. Me mendje plot i mençur, i ditur; me kokë plot. Me mendje të prishur i hutuar e i çoroditur, sa s’di ku jam e ç’duhet të bëj; i shqetësuar e i shpërqendruar; me mendje të çoroditur. Me mendje të shtruar duke e parë punën me gjakftohtësi; i qetë; me mendje të mbledhur; kund. me mendje të ngritur. Me mendje të tredhur keq. i mpitë nga trutë, i paaftë të mendojë si duhet, torollak. Me mendje të turbullt (të turbulluar) i hutuar; i trullosur; i paqartë në të menduar. *I metë (çyryk, sakat) nga mendja (nga trutë) (dikush). E ndava mendjen (për diçka) e vendosa një herë e mirë për diçka, jam i bindur e nuk kam më lëkundje; e mblodha mendjen; e mblodha (e bëra) mendjen top; lidha mendjen; i dhashë karar (diçkaje). Ndriçoj mendjen fitoj dije e kulturë, arsimohem, bëhem i ditur. Ia ngriti mendjen (dikujt) e bëri të mendojë me shqetësim për diçka, e nxiti a e bindi që të bëjë diçka sa më shpejt; ia bëri mendjen veri; ia bëri mendjen firifiu. M’u ngrit mendja. 1. Nuk jam më i qetë, e kam mendjen te diçka tjetër që më shqetëson. 2. Më erdhi menjëherë një mendim për të bërë diçka dhe s’rri dot pa e bërë; më shkrepi, më hipi; m’u bë mendja veri. E ngul (e ngulit) në mendje (diçka) e shoh a e dëgjoj me kujdes ose e mësoj shumë mirë që të mos e harroj, bëj që të më mbetet në kujtesë për shumë kohë; e mbaj mend; e ngul (e ngulit) në kokë (në krye); e ngul (e ngulit) në tru; e var (e vë, e mbaj, e kam) vath në vesh; e vë (e fut) në xhep; kund. e heq (e shkul) nga mendja. Iu ngul (iu ngulit) në mendje (dikujt) i ka lënë mbresa të forta e të pashlyeshme sa nuk e harron për shumë kohë; i ra në mendje; iu ngul në kokë; iu ngul (iu ngulit) në tru; i ka rënë në tru të vogël. S’ma nxë mendja (diçka) shih s’ma nxë koka (diçka). E nxjerr nga mendja (dikë a diçka) e harroj vetë, nuk dua të mendoj më për dikë a për diçka; e lë në harresë, nuk dua ta kujtoj; heq dorë nga një mendim. I pëlqen mendja (e vet) (dikujt). 1. Është mendjemadh, i duket vetja si më i zgjuari, s’dëgjon askënd; shet mend (dikush); ika hyrë vetja në qejf; u jep mend të tjerëve (dikush). 2. Vepron në kokë të vet, pa pyetur njeri; i duket e mirë vetëm ajo që bën ai. S’ma përthekon mendja (diçka) shih s’ma merr (s’ma pret) mendja. Piu mendjen (dikush) mospërf. shih u bë tapë (dikush).E pjek mendjen (për diçka) vendos për diçka; e ndaj mendjen; i jap karar. I pjell mendja (dikujt). 1. Është i zoti për të shpikur dhe për të krijuar gjëra të reja; e ka mendjen femër (dikush); i pjell koka; i pjell truri. 2. keq. Sajon gjëra të paqena, trillon. S’ia pret (s’ia kap, s’ia rrok) mendja (dikujt) nuk e kupton, nuk e kap dot diçka; s’i hyn në kokë; s’ia pret koka; s’ia pret truri; nuk ka (as) pesë (as dy) para mend (dikush).I pret mendja *hollë (dikujt). Të bën atë që s’ta pret mendja (dikush) të bën një të keqe të madhe; është njeri i pamëshirshëm, që bën shumë të këqija e nuk përgjigjet përpara askujt; është kriminel; të bën gjëmën; të vret e s’të paguan; vret e pret. Ia prish mendjen (dikujt). 1. E bëj të mendojë ndryshe; e bëj të besojë atë që i them unë, të mendojë a të veprojë si i them unë; ia kthej (ia ndërroj) mendjen; ia marr mendtë. 2. E hutoj dikë, e turbulloj; ia marr mendtë; ia bëj kokën (mendjen) dhallë; ia bëj kokën (mendjen) sallatë. M’u prish mendja. 1. Fillova të mendoj ndryshe; nuk ruaj po atë mendim; m’u kthye (më ndërroi) mendja. 2. U hutova, u turbullova; m’u çakërdis mendja; m’u bë mendja ujë; më merren mendtë; e kam mendjen të prishur. U prish nga mendja (dikush) u çmend, u marros; u prish nga mendtë (mendsh); luajti mendsh (nga mendtë); i iku mendja (dikujt); iku nga mendtë; doli mendsh. I punon mendja (dikujt). 1. Është i zgjuar, i kap a i zbulon gjërat shpejt; i punon truri; i punon koka. 2. (për diçka). Mendon gjithnjë për diçka; e ka mendjen; e mban mendjen; i rri mendja (te diçka); i rreh mendja; i mbeti (i ngeli) mendja (te diçka); i qan mendja.*Pykë nga mendja. I qan mendja (për dikë a për diçka) mendon shumë për dikë a për diçka, është i shqetësuar për të; ku ta gjejë që ta ketë, e dëshiron shumë; e ka mendjen; e mban mendjen (te dikush a te diçka); i rri mendja (te dikush a te diçka); i punon mendja; i rreh mendja; i mbeti (i ngeli) mendja (te dikush a te diçka); i qan syri. *Qyqe nga mendja. Është ronitur nga mendja (dikush) është matufosur; ka rrjedhur, ka lënë; ka rrjedhur nga mendja; është ronitur nga trutë. E ruaj në mendje (dikë a diçka) nuk e harroj, e kujtoj vazhdimisht me dashuri. Rrah mendjen (për diçka) mendohem mirë e mirë për diçka, e shoshit si duhet diçka; lodh mendjen; vras mendjen; bluaj me mend. I rreh mendja (për diçka) është i shqetësuar për diçka dhe për atë mendon vazhdimisht; e ka mendjen (te diçka); e mban mendjen (te diçka);i punon mendja; i rri mendja (te diçka); i mbeti (i ngeli) mendja (te diçka); i qan mendja. Rrëshqiti nga mendja (dikush) u çmend, lajthiti, shkau; luajti nga mendja; luajti mendsh (nga mendtë); lajthiti nga mendtë; doli (iku) nga faza. I rri mendja (diku ose te dikush a te diçka) mendon vazhdimisht për dikë a për diçka; është i shqetësuar e ka merak vetëm për të; nuk i hiqet (nuk i shqitet) nga mendja (dikush a diçka);i mbeti (i ngeli) mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka); e ka syrin (ika sytë) (te dikush a te diçka). I rri (i rreh) mendja në një *vend (dikujt). *Rrip nga mendja përb. Ia rrit mendjen (dikujt) i bëj lëvdata të tepruara, e bëj të mburret e t’i pëlqejë vetja; bëj që ta ndiejë veten mbi të tjerët. I është rritur mendja (dikujt) është bërë mendjemadh, është fodull, mburret e krekoset; shet mend (dikush); i ka hipur mendja në qafë (në qiell); i është rritur hunda; i ka ngritur veshët (dikush); ka ngritur bishtin (dikush); mbahet më të madh (dikush); i ka hyrë vetja në qejf; i ka hipur kalit lakuriq (dikush);e mban bishtin përpjetë (dikush) iron. Ka rrjedhur nga mendja (dikush) është matufosur, nuk kupton shumë e nuk mban mend, ka rrjedhur; bën si budalla, bën budallallëqe; ka rrjedhur nga trutë; i është trashur mendja (dikujt); është ronitur nga mendja. Nuk ta rrok (nuk ta kap) mendja (diçka) është e pabesueshme a shumë e çuditshme, as që mund të mendohet; nuk ka anë e udhë.*Rrotë nga mendja përb. I sillet (i vjen) mendja (koka) përqark (*rrotull) (dikujt). Ia sjell mendjen përqark (*rrotull) (dikujt). E sjell në mendje (dikë a diçka) e kujtoj; e sjell ndër mend; e shkoj në mendje. Ia sjell mendjen përqark (dikujt) shih ia sjell mendjen rrotull (dikujt).Ia sjell mendjen *rrotull (përqark) (dikujt). Me sytë e *mendjes. E shkoj në mendje (diçka) e mendoj; e kujtoj rrëshqitazi; e sjell në mendje. Më shkon (më vete) mendja. 1. Mendoj se është..., them se...; kujtoj. 2. (për diçka). Kam dëshirë për diçka, më teket për diçka. 3. Mendoj për dikë a për diçka; kujtohem për dikë a për diçka; më erdhi (më vajti) në mendje. Shkoj (vete) me mendjen (se)... kujtoj (se)..., besoj (se)...; ma thotë mendja (se)... I shkrepi në mendje (diçka) i erdhi një mendim i shpejtë e i papritur për diçka; i mbiu në mendje; i shkrepi në kokë. Ia shkuli nga mendja (diçka) bëri që të mos e kujtojë më, ta harrojë, të mos mendojë më për të a të heqë dorë prej saj; ia shkuli nga koka. Na shkuli mendjen e kokës (dikush) na lodhi e na mërziti shumë me të bërtitura, me ankime etj., na dhemb koka prej tij; na shkuli nga mendtë. I shtegton mendja (dikujt) nuk është i përqendruar; mendon kalimthi për gjëra të ndryshme; i bredhërin mendja; i livadhis mendja. E shtroi mendjen (dikush) arriti në një përfundim të caktuar dhe mori një vendim për një çështje, e gjykon tashmë me gjakftohtësi; e mblodhi mendjen. Shtrydh mendjen (për diçka) mendohem fort për të kujtuar diçka, për të gjetur një zgjidhje etj.; vras mendjen; shtrydh trutë; shtrëngoj kokën me duar. I është trashur mendja (dikujt) nuk është më i zgjuar, është bërë si budalla; ka rrjedhur nga mendja (dikush); i është trashur koka; i është trashur truri; i ka zënë dhjamë truri (truri dhjamë); kund. i është holluar mendja. *I trashë nga mendja (nga trutë, nga koka). E tret mendjen mendoj për diçka të largët ose që ka ndodhur shumë kohë më parë; harrohem duke menduar për dikë a për diçka të largët. Trupi *boçkë e mendja lomçkë mospërf. Trupi (shtati) *pyll e mendja fyell. M’u turbullua (m’u mjegullua) mendja nuk mendoj më qartë e nuk e kam më veten në dorë, jam i turbulluar; m’u errësua mendja. Ma turbulloi (ma mjegulloi) mendjen (dikush a diçka) më bëri që të mos i shoh më gjërat qartë ashtu siç janë, të mos i kuptoj drejt dhe të veproj gabim; më errësoi mendjen. E kam tharë mendjen (për diçka) shih e ndava mendjen (për diçka). Ma thotë mendja se... mendoj se..., kujtoj se...; pandeh; ma do mendja; ma ha (ma merr, ma pret) mendja se...; shkoj (vete) me mendjen (se)...Më thotë një mendje (një mendje më thotë) mendoj një herë të veproj në një mënyrë të caktuar, prirem për të vepruar kështu ose ashtu. Ç’të thotë mendja. 1. Ç’mendim ke për diçka; ç’ke ndër mend të bësh, si mendon të veprosh. 2. iron. Ç’pandeh ti, kujton se je ashtu si mendon vetë?!; sigurisht që gabon. I thërras mendjes përpiqem të përmbahem e të mendoj mirë për një veprim, nis të arsyetoj si duhet e të kuptoj drejt; e mbledh mendjen; i vë gishtin kokës; e vë gishtin në tëmth; i bie veshit; i thërras arsyes. Të ka vdekur mendja! mospërf. mendon a flet gjëra të kota e pa vlerë, nuk e kupton drejt realitetin; s’je në rregull nga mendtë, ke rrjedhur. I vë mendjen (dikujt a diçkaje). 1. E dëgjoj me vëmendje. 2. Shqetësohem për dikë e kujdesem që të shkojë mirë. 3. (diçkaje). E shoh a e ndjek me kujdes, e trajtoj me vëmendje; i vë mend; vë re (dikë a diçka). E vë në mendje. 1. (diçka). E ruaj në kujtesë për të mos e harruar, kam kujdes që ta kujtoj kur duhet; e vë ndër mend; e mbaj (e kam) parasysh. 2. Mendoj të bëj diçka; bëj mend. Më vërtitet mendja jam i shqetësuar, mendoj lloj-lloj gjërash; kam shumë kokëçarje e nuk di si t’ia bëj; jam krejt i hutuar; më buçet koka; më vjen (i sillet) festja (takija) rrotull (përqark); më vjen (m sillet) mendja (koka) vërdallë; më vjen tjegulla përqark. E vërtit nëpër mendje (diçka) mendoj shumë për diçka, e shoshit nga të gjitha anët, mendoj gjatë para se të marr një vendim për diçka; vras mendjen. Më erdhi (më vajti) në mendje m’u kujtua; synova, mendova se...; më shkon (më vete) mendja; më erdhi (më shkoi) ndër mend; më erdhi në kokë. I vjen mendja të marrit (diku) është rrëmujë e madhe, s’kupton dot ku je, me kë je e çfarë bëhet; s’e njeh qeni të zotin; nuk e merr vesh (nuk e njeh) i pari të dytin. Më vjen (më sillet) mendja (koka) *rrotull (përqark). I erdhi mendja në vend (dikujt). 1. U përmend, e mblodhi veten, kupton se ku është. 2. U bind e u ndreq pas një çoroditjeje, u shtrua, u përmblodh, mendon si duhet; tregon pjekuri; e mblodhi mendjen (dikush). Më vjen (më sillet) mendja (koka) *vërdallë (dikujt). Vras mendjen (për diçka) mendohem shumë, përpiqem shumë për ta zgjidhur diçka; e arsyetoj dhe e rrah nga të gjitha anët diçka; shtrydh mendjen; rrah mendjen; më hahen mendtë (ndër vete); vras trutë; vras kokën; shtrëngoj kokën me duar. Më zien mendja jam shumë i shqetësuar për dikë a për diçka, aty e kam mendjen dhe s’di ç’të bëj; më zien (më mizëron) koka; më ziejnë trutë.
MËND vep., ~A, ~UR kal. 1. I jap gji foshnjës (për nënat); mëkoj. Gruaja mori foshnjën dhe e mëndi. Nuk harrojmë qumështin që na kanë mëndur nënat tona.
2. vet. v. III Ushqen me qumështin e vet, mëmëzon (për kafshët). Dosa mënd gicat.
3. Vë të voglin e një kafshe të pijë te një kafshë tjetër, kur i ka ngordhur e ëma; shtyj e ndihmoj një qengj, një kec, një viç etj. të porsalindur të pijë sisë tek e ëma. Mënd qengjin (kecin). Mënd viçin.
4. vet. v. III Pi gji tek e ëma (për kafshët). Qengji mëndi delen.
5. fig. E ushqej që në vogëli me një ide a me një ndjenjë të caktuar; edukoj, mëkoj. E mëndi djalin me ide përparimtare.
✱Sin.: mëkoj, tajit, mëzoj, ushqej, mëmëzoj, edukoj.
MEND,~TË f. vet. sh. 1. Aftësia e njeriut për të menduar dhe për të njohur botën, zotësia për të hyrë në thelbin e gjërave, për të shpjeguar ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë dhe për të vepruar në përputhje me to; aftësia për të kuptuar e për të gjykuar drejt, arsye; zgjuarsi, mençuri; truri si qendër e veprimtarisë mendore, mendje (edhe në një varg njësish frazeologjike). Njeri me mend. Kaq mend ka. Është i trashë (i mpitë) nga mendtë. Punon (sillet, vepron) me mend (në kokë). E kapi me mend. Ia çau mendtë më dysh. Shtat e hije, mend asnjë fije. (fj. u.).
2. Mendimi që kemi për diçka a për dikë; ajo çka mendon dikush, përmbajtja e të menduarit. Ndërroi mend. Mos shko me ato mend! Me ç’mend ka ardhur? Flet me mendtë e tjetërkujt.
3. Dije, mësim; përvojë; këshillë. Do (kërkon) mend nga shokët. U jep mend të tjerëve i këshillon; u shet mend. Erdhi për mend. Priste mend nga më të vjetrit.
4. Kujtesë (edhe në një varg njësish frazeologjike). E kam në (ndër) mend e kujtoj, e kam parasysh. E mbaj në (ndër) mend nuk e harroj. E sjell ndër (në) mend e kujtoj. Më shkon ndër mend kujtohem; mendoj. Më vjen (më bie) ndër mend më kujtohet. Ia shtie (ia fut) në (ndër) mend (në mendje) ia kujtoj. Nuk më hiqet nga mendtë. Më doli (më iku) nga mendtë (mendsh) e harrova.
✱Sin.: arsye, mençuri, fiqir, mendje, tru, kokë, tragë, tutkë, hatër, torua, terezi, mendim, gjykim, opinion, vlerësim, këshillë, dije, mësim, përvojë, kujtesë, kujdes.
♦ Aq mend ka (dikush) mospërf. aq di e aq kupton, nuk është shumë i zgjuar, mos kërko më shumë prej tij; aq ia pret. I ka mendtë në *këmbë (dikush) iron. Me një *barrë mend. Bëj mend. 1. Mendoj, them të bëj diçka; vendos; e bëj me mend (për diçka); kam mend; e ndava mendjen; kam ndër mend; them me mend; e vë në mendje. 2. Shkëmbej mendime me dikë; këshillohem me dikë. E bëj me mend (për diçka) shih bëj mend1. Bie në mend përpiqem të përmbahem e të mendoj mirë për një veprim, nis të arsyetoj si duhet e të kuptoj drejt; i thërras mendjes; e mbledh mendjen; i vë gishtin kokës; i thërras arsyes. Më ra ndër mend. 1. (dikush a diçka). U kujtova për të; më shkoi (më vajti) mendja. 2. (për diçka). Kam dëshirë ta kem diçka, më teket për diçka. Blen mend (dikush) merr nga të tjerët këshilla ta mira, e dëgjon fjalën e mirë, mëson. Bluaj me mend sjell e përcjell në mendje për të gjetur një zgjidhje; e mendoj mirë; e bluaj në mendje (diçka); e rrah me mend (diçka); rrah mendjen. I dalë mendsh (dikush) i çmendur; i dalë dushkut; ia ka shkundur era trutë (dikujt). Doli mendsh (dikush) s’është më në vete, u çmend, shkalloi; nuk di se ç’bën; i iku mendja (dikujt); iku nga mendtë; luajti nga mendja; luajti mendsh (nga mendtë); u prish nga mendja; u prish nga mendtë (mendsh); humbi mendtë e kokës. Më doli (më iku) nga mendtë (diçka) shih më doli nga mendja (diçka). I kanë dalë mendtë mbi *bishtaleca (mbi gërsheta) (dikujt). S’do mend me siguri, patjetër; dihet, s’ka nevojë të thuhet a të diskutohet, natyrisht; s’do fjalë; ta merr (ta pret) mendja; është afër mendsh; merret vesh; del (vjen) vetvetiu. Ia fut (ia shtie) në mend (diçka) ia kujtoj, e bëj që të mendohet a të interesohet për diçka; e mësoj si të veprojë; ia fut (ia shtie) në mendje; ia fut në tru. Më hahen mendtë (ndër vete). 1. shih vras mendjen. 2. Jam në mëdyshje, një mendje më thotë po, një mendje më thotë jo. I ka ngrënë mendtë (dikush) nuk di se ç’bën, sillet a vepron si i marrë, nuk punon me mend; nuk është në rregull nga trutë; nuk i ka mendtë në kokë (në krye). S’m’i ka ngrënë sorra (pula) mendtë nuk jam aq i marrë e aq budalla që të mos marr vesh a të mos kuptoj diçka; nuk e kam humbur mendjen. E hedh (e lë) pas mendsh (diçka) e harroj krejt, nuk përpiqem ta mbaj mend a ta kujtoj; e heq (e shkul) nga mendja; e hedh pas (prapa) krahëve; e laj mendjen. Nuk më hiqet (nuk më shkulet, nuk më shqitet) nga mendtë (dikush a diçka) shih nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja (dikush a diçka). Humbi mendtë (e kokës) (dikush). 1. Shkalloi, u çmend; e lanë (e lëshuan) mendtë; doli mendsh. 2. U shastis nga diçka e papritur, e jashtëzakonshme, shumë e bukur etj.; la mendtë (e kokës); la mendjen; humbi mendjen. Hyn me mend e del pa mend (diku) mahnitesh nga ato që sheh diku, është aq e papritur mrekullia atje; lë mendjen (dikush). Iku nga mendtë (dikush) u çmend, lajthiti; i iku mendja (dikujt); luajti mendsh (nga mendtë); u prish nga mendtë (mendsh); u prish nga mendja. Është afër mendsh (diçka) shih është afër mendjes (diçka); kund. është larg mendsh. Është më afër mendsh (diçka) shih është më afër mendjes (diçka). Është *fukara për mend (dikush). Është *fushë nga mendtë (nga mendja, nga koka) (dikush) mospërf. Është *fyell nga mendtë (nga mendja, nga koka) (dikush) mospërf. A je ndër mend? a e ke mendjen në rregull apo jo?, a je në gjendje të gjykosh se ç’po bën? (kur dikush thotë a bën diçka fare të papeshuar a të pamenduar); nuk e ke kokën (mendjen) në vend. Është larg mendsh (diçka) nuk ka asnjë dyshim, as që mund të mendohet ndryshe; është fare e pabesueshme; s’është e drejtë të mendohet që...; është jashtë mendjes; kund. është afër mendsh. Është *i lehtë nga mendja (dikush). Ia dha mendtë në *dorë (dikujt). U jep mend të tjerëve (dikush) mbahet si më i mençur a më i ditur dhe u jep këshilla të tjerëve; shet mend; i pëlqen mendja (e vet) (dikujt). Është *i shkundur nga mendtë (dikush). E kam me gjithë (me tërë) mend e kam me të vërtetë, nuk bëj shaka, nuk po tallem. Kam mend mendoj, them që...; bëj mend; them me mend; kam ndër mend. Kam ndër mend mendoj të bëj diçka, të shkoj gjëkundi etj.; them që...; kam mend; e kam mendjen; them me mend; bëj mend. E kam ndër mend (dikë a diçka) nuk e harroj; nuk e heq nga mendja. Nuk i ka mendtë në *kokë (në krye) (dikush). I ka mendtë (e ka mendjen) prapa *kokës (dikush). I ka mendtë në majë të *thanës (dikush). I ka mendtë *pupël (dikush). I ka mendtë (e ka mendjen) pas *qafe (dikush). I ka mendtë (e ka mendjen) pas *shpine (dikush). I ka mendtë në *tra (dikush) mospërf. I ka mendtë në *tufë të festes (dikush). Nuk i ka mendtë të veta (dikush) nuk është aq i zgjuar, shkon pas mendjes së të tjerëve. Ia ka mendtë vetes (dikush) ka kujdes që të mos pësojë gjë, ruhet të mos bjerë në gabime a të mos ia hedhë kush; është i kujdesshëm, e ruan veten. Ka një *okë mend (dikush). Nuk ka (as) pesë (as dy) *para mend (dikush). Lajthiti nga mendtë (dikush) u çmend, lajthiti; iku nga mendtë; luajti nga mendja; luajti mendsh (nga mendtë); doli mendsh; u prish nga mendtë. La mendtë (e kokës) (dikush) u habit shumë pas dikujt a pas diçkaje, u shastis, aq shumë i pëlqeu a u befasua; humbi mendtë (e kokës); la mendjen. E lanë (e lëshuan) mendtë (dikë) nuk është më në gjendje të mendojë ose të gjykojë thellë, ka rrjedhur, u çmend; luajti nga mendja (dikush); luajti mendsh (nga mendtë) (dikush); humbi mendtë e kokës (dikush); e ka lënë mendja; i ikën trutë (e kokës) (dikujt); iu zbërthyen dërrasat (dikujt). E la pa mend (dikë) e mahniti; e shastisi fare; e çmendi; e la me gojë hapur; ia dha mendtë në dorë (dikujt).E lënuri nga mendtë (dikë). 1. shih ia bëri mendjen (kokën) çorbë (dikujt). 2. Arriti ta çmendë fare, duke vepruar mbi të dalëngadalë e pa ndërprerje; e qiti mendsh. Luajti mendsh (nga mendtë) (dikush). 1. U çmend, u marros, shkalloi, lajthiti; luajti nga mendja; lajthiti nga mendtë; i iku mendja (dikujt); iku nga mendtë; u prish nga mendja; u prish nga mendtë (mendsh); doli mendsh; mbeti pa mend (në kokë); e lanë (e lëshuan) mendtë (dikë); luajti nga fiqiri; ka dalë nga binarët. 2. (për dikë a për diçka). E do shumë, e pëlqen jashtëzakonisht, çmendet për të. E luajti mendsh (nga mendtë) (dikë) shihe luajti nga mendja (dikë). Merr mendtë (e dikujt) shih merr mendjen (e dikujt). Merr mend (dikush) kupton, ha arsye; pranon këshilla; këshillohet me të tjerë; ha pykë. Më mori mendtë (dikush) më mërziti shumë; më trullosi, më hutoi fare (me zhurmë, me llafe etj.); më nxori mendtë; ma bëri kokën daulle. Ia mori mendtë (dikujt) e bëri për vete me lajka e lëvdata; e magjepsi; ia mori mendjen; ia prishi mendjen; ia bëri mendjen firifiu; ia bëri mendjen ujem; i ka hedhur trutë e gomarit; i ka bërë magji; i ra në kokë; i dha barin e ballkotit krahin. E marr me mend (diçka) e përfytyroj vetë zhvillimin e mëtejshëm të diçkaje, e kuptoj vetë si është puna, s’është e nevojshme ta shoh që ta di a të bindem. Ia ka marrë mendtë *era (dikujt). Mbahet mend (dikush a diçka) kujtohet gjatë, nuk harrohet. Mbaj mend kam zotësinë të riprodhoj atë që kam lexuar, që kam dëgjuar, që kam parë etj.; e ruaj diçka në kujtesë, kam kujtesë të mirë; kujtoj. E mbaj në mend (diçka) përpiqem që të mos e harroj; e ngulit e nuk e harroj; e ngul (e ngulit) në mendje. Mbeti pa mend (në kokë) (dikush) u mahnit, u habit pa masë; luajti mendsh (nga mendtë)1. I mblodhi mendtë (dikush) shihe mblodhi mendjen (dikush). U mbusha me mend u binda për diçka dhe nisa të mendoj ndryshe ose të mos bëj atë që kisha menduar më parë; e lashë një mendim të mëparshëm, u tërhoqa nga ajo që kisha vendosur; m’u kthjellua mendja; hoqa dorë. Me mend në kokë. 1. Me arsye e maturi, duke i menduar mirë gjërat, me pjekuri. 2. I zgjuar e i pjekur; i matur. Për mendtë e kokës (e kresë) kot, prej budallallëkut, nga pakujdesia, nga padija, nga nxitimi etj.; për hiçgjë; për fajin e vet. Me mendtë e tjetrit si e do a si e mendon dikush tjetër, pa pasur mendimin e vet; i varur nga dikush tjetër, si t’i thotë ai. Mend për tjetër herë tashti e di si duhet vepruar, nuk do të veproj më ashtu, mësim për tjetër herë (pas një pësimi që bëhet mësim). Merret me mend (diçka) përfytyrohet; kuptohet vetiu, kuptohet pa vështirësi; merret vesh. Më merren mendtë. 1. Nuk jam në gjendje të mbaj drejtpeshimin në të ecur, më duket sikur më sillet rrotull çdo gjë; më vjen (më sillet) mendja (koka) vërdallë. 2. Kujtoj se diçka është ashtu si e dua unë, nuk e shoh a nuk e kuptoj mirë të vërtetën, gënjehem; m’u prish mendja. I mpitë nga mendtë shumë i ngadaltë në të kuptuarit e gjërave, i ngathët në të menduar, jo i mprehtë; jo i zgjuar; i metë (sakat, çyryk) nga mendja; i është mpirë truri (dikujt). Më nxori (më qiti) mendtë (dikush) s’më la fare të qetë, më mërziti jashtë mase, më shastisi fare; më çmendi; më shkuli nga mendtë; më mori mendtë; më nxori trutë (e kokës). Me sa *palë mend?! E pjek ndër mend (diçka) e mendoj mirë e mirë dhe për një kohë të gjatë, e rrah me vete nga të gjitha anët; e bluaj në mendje; bluaj me mend; e bluan në bark. U plak me një *palë mend (dikush) mospërf. U prish nga mendtë (mendsh) (dikush) u çmend, u marros, lajthiti; u prish nga mendja; luajti nga mendja; luajti mendsh (nga mendtë); i iku mendja (dikujt); iku nga mendtë; doli mendsh; i krisi koka (dikujt). E qiti (e nxori) mendsh. 1. (dikë a diçka). E harroi; nuk u përpoq ta mbajë mend, e la në harresë. 2. (dikë). E mërziti me fjalë a me diçka tjetër, e mërziti aq sa e bëri si të çmendur; e lënuri nga mendtë. E rrah me mend (diçka) e mendoj mirë e mirë, e shoshit, e gjykoj nga të gjitha anët; bluaj me mend; rrah mendjen (për diçka). E sjell ndër mend (dikë a diçka) e kujtoj; e sjell në mendje; e çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka).Shet mend (dikush) përpiqet të tregohet më i ditur a më i zoti sesa është; është mendjemadh e mburret përpara të tjerëve, e paraqet veten më të zotin, më të zgjuar, më të bukur etj.; i është rritur mendja (dikujt); i pëlqen mendja (e vet) (dikujt); mbahet më të madh; kushedi ç’i duket vetja (dikujt) iron.; i ka hyrë vetja në qejf (dikujt); vret veten me gishtin e madh; e mban hundën përpjetë; e ka çuar (e ka ngritur) hundën (përpjetë); e mban kokën përpjetë; (mbahet) si gjeli majë plehut; rreh gjoksin; i bie gjoksit (me grushte); nxjerr gjoksin (përpara); (kapardiset) si maçoku në thekër; vret rëndë; i bie kashtës përmbi kalli; del kodër mbi mal. Më shkon ndër (nëpër) mend (diçka) mendoj që të bëj diçka, më vjen një mendim për diçka. Shkon me mendtë e botës (dikush) dëgjon vetëm fjalët e dikujt, vepron siç thotë ai, nuk gjykon vetë në mënyrë të pavarur; merr mendtë (e dikujt); merr mendjen (e dikujt). Na shkuli nga mendtë (dikush) na lodhi e na mërziti shumë me të bërtitura, me zhurmë të vazhdueshme, me ankime etj.; na shkuli mendjen e kokës; na nxori mendtë. Shtati (*trupi) pyll e mendja fyell. Them me mend mendoj me vete pa folur; synoj, bëj një plan me mend për diçka; bëj mend; kam ndër mend; kam mend. Vuri (zuri) mend (dikush) mësoi nga një pësim; përfitoi nga diçka; u bind; e kuptoi; i erdhën mendtë (dikujt). I vë mend (dikujt a diçkaje) shihi vë mendjen (dikujt a diçkaje). E vë ndër mend (diçka) shih e vë në mendje (diçka). I erdhën mendtë (dikujt). 1. shih erdhi në mend (dikush). 2. E kuptoi më në fund se si duhet vepruar; mësoi nga një pësim; vuri (zuri) mend (dikush). Erdhi në mend (dikush) u përmend; i erdhën mendtë (dikujt); erdhi në vete. Më vjen ndër mend (dikush a diçka) kujtohem për dikë a për diçka; nuk e harroj; bie në mendje (për dikë a për diçka); më vjen në kokë. Vuan për mendtë e kokës (dikush) vetë e ka fajin, të gjitha mundësitë i ka, por s’kupton, ia bën vetes të keqen; vuan për trutë e kokës.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë