Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
LLOKÚM,~I m. sh. ~E, ~ET [LLOKUM/E,~JA f. sh. ~E, ~ET] 1. Ëmbëlsirë e butë që bëhet me niseshte e me sheqer ose edhe me arra a me bajame dhe që ndahet në copa të vogla me trajta të ndryshme; një copë prej kësaj ëmbëlsirë. Llokum me arra (me bajame). Llokum bajamesh llokum që bëhet me brumë bajamesh të shtypura. Kuti me llokume. Llokumin pse është i ëmbël e hanë gjënë e mirë e duan pikërisht se është e tillë. Nuk hamë çdo ditë llokume nuk mund të kemi çdo ditë festa e dëfrime. Llokumja e hasmit (e armikut) e ka helmin brenda (të mbetet në fyt) armiku të merr me të mirë e të josh për të të dëmtuar; mos u beso lajkave e premtimeve të armikut!
2. fig. Ajo që është shumë e dashur dhe e ëmbël.
3. spec. Copë e vogël nga një lëndë plasëse e butë. Llokum dinamiti. Vuri një llokum në vrimën e shkëmbit.
4. si mb., fig. Që është i butë; që është i majmë. Tokën e kemi llokum. Mishi ishte llokum.
5. si mb., fig. Që ta bëjnë gati të tjerët; i përgatitur. E do llokum çdo gjë.
6. si ndajf. Shumë (me mbiemrat i ëmbël, i butë). I ëmbël llokum. Llokum i butë.
✱Sin.: dudë, i butë, i majmë.
♦ Ia dha llokum (në gojë) (dikujt) ia bëri gati çdo gjë, ia krijoi të gjitha lehtësitë dikujt që ai vetë të mos mundohet fare; ia dha në pjatë; ia dha në tabaka; ia dha në tepsi. E ka gojën llokum (dikush) flet mirë e butë, është gojëmbël, është gojëmjaltë; e ka gojën sheqer; nxjerr sheqer nga goja; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë