Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
►LÁ/HEMI jovep., ~VA (u), ~RË 1. vetv. Pastrohem me ujë, me ujë e me sapun etj. e duke u fërkuar; futem në ujë për t'u pastruar nga pluhuri, nga balta etj. ose për t'u çlodhur; bëj banjë; laj trupin, laj veten. Vend për t'u larë. Lahet përditë (çdo mëngjes). Lahet me ujë të ngrohtë (të ftohtë). Lahem me sapun. Lahet vetë. Lahen në banjë (në dush). Lahen në det (në lumë, në liqen). Po lahet macja lëpin trupin me gjuhë.
2. vetv. Më heq shumë bark, më lan barku. U la fare (nga barku). Iu lanë zorrët.
3. vet. v. III. Pastrohet nga retë, kthjellohet. U la qielli.
4. kryes. sh., vet. v. III Rrihen (peshqit). Lahen peshqit.
5. pës. e LAJ.
✱Sin.: pastrohem, shpëlahem.
♦ I lahet me *be (dikujt). Lahet e lyhet (dikush). 1. Kujdeset shumë për pastërtinë e bukurinë e vet; pispilloset. 2. shih të lan e të lyen (dikush). Është larë e shkuar (dikush) është në çastet e fundit para vdekjes, i ka orët të numëruara, ka marrë fund (për dikë që dihet se do të vdesë patjetër ose që është duke vdekur); është në buzë të varrit (të gropës).
►LÁ/HEMII jovep., ~VA (u), ~RË vetv. 1. edhe fig. I kthej dikujt borxhin që më ka dhënë ose i bëj një të mirë për të mirën që më ka bërë, shlyhem me dikë, s'kam më asnjë detyrim ndaj tij. U lanë me njëri-tjetrin. U lamë bashkë. Nuk lahet kurrë me mua.
2. fig. E nxjerr veten pa faj, shfajësohem. Deshi të lahej përpara të tjerëve.
✱Sin.: shlyhem, shfajësohem, sqarohem.
LIDH vep., ~A, ~UR 1. kal. Bashkoj skajet e një filli, të një litari etj. ose skajet e fijeve të ndryshme e i shtrëngoj së bashku nyjë; bëj nyjë në një fill; var a kap diçka në trup ose në një vend tjetër, duke bashkuar e duke shtrënguar fijet a rripat që ka; kund. zgjidh, çlidh. Lidh perin (spangon, litarin, telin). Lidh fjongon (lidhëset e këpucëve). Lidh përparësen. Lidh kravatën (shallin). E lidh nyjë (komb, fjongo, pisk), E lidh fort (shtrënguar).
2. kal. Shtrëngoj ose kap pas një sendi dikë a diçka me litar, me zinxhir etj. që të mos luajë a të mos largohet prej andej; i kap e i shtrëngoj dikujt duart a këmbët me litar, me zinxhir etj.; kund. zgjidh. Lidhi qenin (lopën, viçin). E lidhi pas shtyllës (pas pemës). Lidh domatet nëpër hunj. E lidh me litar (me zinxhir, me tel). Ia lidhën duart (këmbët). E lidhën me hekura (me pranga).
3. kal. Mbledh bashkë disa gjëra dhe i shtrëngoj me pe, me tel, me litar, me rrip etj.; bëj tufë diçka dhe e shtrëngoj me pe, me spango, me rrip etj.; e mbështjell diçka në shami dhe i shtrëngoj nyjë skajet e kësaj; mbështjell foshnjën me shpërgënj e me dizgje; kund. zgjidh. Lidh duajt e grurit. Lidh preshtë (qepët) në tufa. I lidh flokët prapa. Lidh grykën e thesit. Lidh bukën në shami. Lidhi djalin në djep. E lidhi foshnjën kopanec. Lidhte cigare. bised. dridhte cigare.
4. kal. Mbështjell një pjesë të trupit, një plage etj. me një rrip pëlhure a me diçka tjetër; kund. zgjidh. Ia lidhën këmbën (dorën, gishtin) e vrarë. Ia lidhën sytë ia zunë sytë me një rrip pëlhure.
5. kal. Bashkoj fletët e një libri etj., i kap e i shtrëngoj me diçka dhe i mbështjell me kapakë. Lidh librat (fletoret, blloqet). E ka lidhur bukur albumin.
6. kal. I kap mirë sendet njëri me tjetrin; i ngjit a i bashkoj fort pjesët e diçkaje, e bëj më të fortë a më të qëndrueshme diçka; jokal., vet. v. III bashkohet e ngjit mirë, kap, mban. Lidh gurët e themelit. Murin e ka lidhur me llaç. Plehu e lidh tokën. Tullat kanë lidhur mirë.
7. bised., kal. E vë një kafshë pune në zgjedhë a në karrocë për ta tërhequr; mbrej. Lidh qetë. Lidh kalin në karrocë.
8. spec., kal. Mbërthej a bashkoj një pjesë me një pjesë tjetër ose me tokën, me një send etj.; mbyll, kyç. Lidh në qark të shkurtër (fiz.). E lidh me tokën (elektr.) e tokëzoj. E lidh me rrjetin. (elektr.).
9. kim., kal. Bashkoj grimcat e një elementi kimik me ato të një tjetri dhe i ndryshoj gjendjen e tij të lirë (në kiminë joorganike); bashkoj një element kimik me një tjetër (në kiminë organike). Lidh kimikisht.
10. jokal., vet. v. III. Formon frytin, bën kokrra; zë bukë (për pemët, drithërat e bimët e tjera). Lidh pema (rrushi, shega). Lidh kalli gruri. Kanë lidhur arrat. Ka lidhur bukë misri (gruri). Lidhi boçe pambuku. Lidhën domatet. I lidhën kokrrat. Sa lule çelin, të gjitha nuk lidhin. (fj. u.).
11. fig., kal. I rreshtoj e i thur mirë fjalët, i shpreh qartë e rrjedhshëm mendimet; e hartoj bukur diçka, duke i arsyetuar gjërat mirë e qartë. Lidh mendimet (fjalët). S'di të lidhë as dy fjalë nuk di të flasë e të shprehë qartë mendimet. E ka lidhur mirë atë letër.
12. kal. Vë në marrëdhënie ose bashkoj me rrugë a me një mjet ndërlidhjeje dy qendra të ndryshme, dy qytete etj., që janë larg njëri prej tjetrit. E lidh me telefon (me radio). E lidhi me Prishtinën.
13. fig., kal. Afroj dy vetë ose dy palë, i vë në marrëdhënie të ngushta e të drejtpërdrejta, i bashkoj; vet. v. III e bashkon, e afron diçka a dikë me një tjetër. E lidhi me shokë të mirë. Lidhi jetën me të u martua me të. - Ç’e lidh me të? - S’e lidh asgjë me mua.
14. fig., kal. Bëj një marrëveshje me dikë; bashkohem me dikë për një veprimtari të caktuar; vendos marrëdhënie të afërta me dikë. Lidhën kontratën. Lidhën besën (fjalën, kuvendin). Lidhën krushqi. Lidhën miqësi u bënë miq. Lidhën fejesë u fejuan.
15. fig., kal. E vë në marrëdhënie të ngushta a të pandara me diçka; përcaktoj se me kë a me se ka të bëjë diçka ose nga varet. Fjalën e lidh me veprën. Lidh mësimin me punën (me jetën). Lidh teorinë me praktikën. Veprimet e tij i lidhin me shkaqe (me ndikime) të ndryshme.
16. fig., bised., kal. I jap një rrogë a një pension që ta ketë përgjithmonë (sipas një rregulli), i caktoj. I lidhën rrogë dikujt. I kanë lidhur pension pleqërie.
17. fig., bised., kal. E pengoj dikë të merret me diçka a të veprojë, nuk i jap mundësi që të shkojë e të largohet nga vendi ku jeton a punon; nuk e lë diçka të zhvillohet. E kanë lidhur fëmijët. E ka lidhur puna është i zënë me punë dhe s'mund të vejë gjëkundi. Ia ka lidhur duart (krahët) nuk e lë të lirë të veprojë, i është bërë pengesë e pakapërcyeshme. Ia ka lidhur këmbët a) dikujt nuk e lë të shkojë gjëkundi; b) diçkaje po ia pengon zhvillimin, nuk e lë të zhvillohet.
18. fig., vjet. I bëj magji dikujt për ta penguar që të ketë marrëdhënie me një femër; i bëj magji për diçka (sipas besimeve popullore); kund. zgjidh. Kujtonte se e kishte lidhur magjistarja. Besonin se orët lidhnin e zgjidhnin.
19. fig., bised., kal. E ndërpres a e pres fare një ushqim, nuk e ha a nuk e pi më diçka. E ka lidhur rakinë e ka prerë rakinë, nuk e pi më. Lidhnin mishin (vjet.). E ndërpritnin mishin për një kohë të caktuar (gjatë kreshmëve). Lidhnin kreshmët (fet.) nuk hanin mish e bulmet gjatë kreshmëve.
20. fig., bised., kal. Nuk e lë dikë të gjejë rrugëdalje për të përligjur a arsyetuar diçka, e zë ngushtë dikë, ia mbyll gojën; e bëj të ngecë. E lidhi me fjalë. E ka lidhur keq.
✱Sin.: bashkoj, shkrij, leqoj, shtrëngoj, zë, kapërthej, kap, mbledh, zgjedhoj, ngjis, mbështjell, vendos, bashkohet, mban, mbreh, mbërthej, arrestoj, prangos, mbyll, kyç, shënon, rreshtoj, thur, shpreh, hartoj, afroj, i caktoj, pengoj, ndërpres, pres.
♦ Di të lidhë edhe *gurë (dikush). *Korr e nuk (e mos) lidh (dikush). E lidh me *be (dikë). I ka lidhur (i ka mbledhur) *dengjet (dikush). (Është bërë) për ta lidhur në *djep (dikush). Lidh (kryqëzon) *duart (dikush). I lidh *duart (dikujt). Lidh *fjalën (me dikë). E lidh në *gisht (diçka). Ia lidh *gjuhën (dikujt). Iu lidh (iu pre) *gjuha (dikujt). Lidh *jetën (me dikë). E ka lidhur *kalin (dikush). Ia lidhi (ia zuri) *këmbët (dikujt a diçkaje). Ia lidh *kryet (diçkaje). S’kam lidhur (s’kam vënë) *kurorë (me dikë) tall. Ia lidh *lart (dikush) iron. E lidh lekun me *ushkur (dikush) tall. Lidh *macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Lidha *mendjen (për diçka). Lidh (vë) *mish. E lidhi *qesen (dikush). I ka lidhur *telat (me dikë). Nuk e lidh dot *thesin (dikush). S’di të lidhë (as) *ushkurin (dikush) bised. Lidh e zgjidh (vetë) (dikush) bën si do vetë, nuk pyet njeri; vendos vetë; bëhet ashtu siç thotë a siç do ai; ka (në dorë) edhe gurin edhe arrën; bën ligjin. As të lidh e as të zgjidh (dikush) të mban me shpresa e nuk të mbaron punë, të mban me fjalë; nuk thotë as jo e as po për diçka; as të fal e as të vret. Të lidh e të zgjidh (dikush) është i zgjuar e i shkathët; është i zoti i gojës; ta rrëmben fjalën nga goja; të ha në dritë të syrit; të merr gjak në vetull.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë