Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
LËNGËT (i, e) mb. 1. Që është në gjendje të ujshme, që është lëng. Trup i lëngët. Ajër (gaz) i lëngët. Gjendje e lëngët.
2. Që ka ujë me tepri, i lëngshëm. Gjellë e lëngët.
3. gjuh. Që është i zëshëm dhe shqiptohet lehtë pas një bashkëtingëlloreje të shurdhët (për bashkëtingëlloret l, ll, r, rr). Bashkëtingëlloret e lëngëta.
4. fig. Që nuk është e fortë, e butë. Të vetmet fruta të pjekura në breg të atij ishulli të vogël vullkanik, qenë yjet e tropikut tek pikonin përmbi ta një dritë të lëngët e të ëmbël, që i vuri në gjumë.
✱Sin.: i ujësuar, i ujshëm, i lëngshëm, i lëngësht, i zëshëm.
LËN/G,~GU m. sh. ~GJE, ~GJET 1. fiz. Lëndë që nuk ka formë të përcaktuar, sepse ka veti të rrjedhë e të marrë formën e enës ku ndodhet dhe që përfaqëson një nga tri gjendjet kryesore të trupave (duke u dalluar nga trupat e ngurtë e të gaztë). Lëngjet dhe gazet. Uji është një lëng pa ngjyrë.
2. Pjesa e ujshme brenda qelizave, indeve a organizmave bimorë e shtazorë; pjesa e ujshme që del kur shtrydhim pemët e perimet ose kur ziejmë barishtet, mishin etj.; çdo ushqim i ujshëm. Lëngu qelizor (indor). Lëngu gastrik. Lëng pemësh (frutash, perimesh). Lëng rrushi (molle, qershie, portokalli, limoni, domatesh, karotash). Lëng gruri (orizi). Lëng mishi. Mish me lëng. E këshilluan të pijë sa më shumë lëngje. Nxjerr (lëshon) lëng.
3. Përzierja e hollë e një trupi të ngurtë në ujë ose në një lëndë tjetër të ujshme; diçka e ujshme. Lëng larës (pastrues). Lëng djegës (helmues). Lëng qelqor (xhami). Lëng gëlqereje.
4. bised. Lagështia që mban toka, vlagë. Ka lëng toka. Ara është në lëngun e vet. Toka është tul e lëng toka është shumë e mirë, shumë pjellore.
5. fig., bised. Plëng, mall e gjë, pasuri. Kishte zënë lëng. Kishin shumë lëng. Me lëng e me plëng me gjithçka kishte, me të gjitha, me laçkë e me plaçkë.
6. fig., bised. Diçka e mirë, e këndshme e tërheqëse që ka dikush a diçka, lezet, kripë, hijeshi, bukuri; vlerë. Njeri pa lëng. Fjalë (muhabet) pa lëng. S’ka (fare) lëng. Nuk ka pikë lëngu. I doli lëngu i doli kripa, u bë si i shpëlarë, e humbi lezetin; e humbi vlerën.
7. krahin. Hirrë qumështi. Pinte lëng.
✱Sin.: lagështi, vlagë, shurdhjesë, lëngësirë, lënguth, ujth, lëngështirë, pije, plëng, mall, gjë, pasuri, lezet, kripë, hijeshi, bukuri, vlerë, bulmet, hirrë.
♦ M’u bë gjaku lëng (armeje) shih m’u bë gjaku ujë. Është bërë për lëng (dikush) është i sëmurë rëndë, nuk ka asnjë shpresë shpëtimi; i ka ditët të numëruara; iu mblodh (iu mbështoll) lëmshi (dikujt). U bënë lëng për qentë keq. u zunë keqas, u kacafytën, u vranë e u prenë me njëri-tjetrin; (u bë) bjeri burri burrit! (diku). Ma bëri gjakun lëng (armeje) (dikush a diçka) shih ma bëri gjakun ujë (dikush a diçka). M’i bëri trutë lëng (dikush) keq. më lodhi shumë me biseda e me fjalë, më mërziti; ma bëri kokën daulle. Hoqi lëngun e ullirit (dikush) shih hoqi të zitë e ullirit (dikush). S’është as për lëng e as për thelë (dikush) keq. shih s’është as për furkë e as për çorap (dikush). E ka për lëngun e hudhrave (dikë) mospërf. e nënvlerëson e nuk e përfill fare, nuk e trajton mirë; e ka në bërryl; s’e bën përse; s’e bën për osh; s’i hedh as qurrat (dikujt) përb.; kund. e kam (e mbaj) mbi krye (mbi kokë) e lart (e sipër) (dikë). E lë lëngun e hyn në thela (dikush) e thotë copë diçka, nuk i bie anës e anës, e nis drejt e me çështjen kryesore a me thelbin e çështjes; nuk e zgjat; hyn (drejt e) në thela. Lëng gështenjash kafe shumë e hollë ose gjellë shumë e hollë, pa yndyrë e pa shije; lëng hithre. Lëng groshe mospërf. njeri pa vlerë e pa rëndësi, të cilin nuk e do e nuk e përfill asnjeri. Lëng hardalli iron. shih lëng pas lëngu (stërlëngu) mospërf. Lëng hithre shih lëng gështenjash. Lëng në lakra mospërf. gjë fare pa rëndësi, diçka fare pa vlerë, dokrra; asgjësend. Me lëng e (me) plëng shih me laçka e (me) plaçka. Lëng pas lëngu (pas stërlëngu) mospërf. njeri shumë i largët nga lidhjet e gjakut ose nga lidhjet e tjera me dikë; lëng hardalli iron.; farë hardalli iron. I lëshon (i shkon) goja lëng (dikujt) ka shumë dëshirë për diçka, i pëlqen shumë diçka, do shumë që ta ketë; i lëngëzon goja; i shkojnë (i kullojnë) jargët; i lëshon goja jargë. Ka marrë lëng nën bisht (dikush) keq. ka marrë tepër hov, është azdisur e zor se shtrohet; është tërbuar nga të mirat. S’i ka mbetur lëng (dikujt) ka humbur vlerat e lezetin, është bërë si i shpëlarë; i doli kripa. Ia ka pirë lëngun. 1. (dikujt) mospërf. E njeh mirë, ia di të gjitha vlerat, veset e huqet; (e njeh) (me) dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë); ia ka thithur vlagën; ia ka ngrënë çorbën; ia pa hairin iron.; i ka marrë erë në qafë. 2. (diçkaje) E ka shfrytëzuar deri në fund, ia ka marrë vlerat; nuk e do më a nuk i hyn më në punë. 3. (dikujt a diçkaje) Nuk i bën përshtypje a nuk e përfill; nuk e tërheq më, është mësuar me të për një kohë të gjatë; ia ka thithur vlagën. Piji lëngun! (diçkaje) iron. s’ka më vlerë, s’të hyn më fare në punë, por vetë e ke kërkuar; e mbajtsh me shëndet! (diçka); i pafsh hairin! Ka pirë lëngun e gjarprit (prej dikujt) ka vuajtur shumë, ka hequr mundime të mëdha prej dikujt; ka hequr të zitë e ullirit (dikush); ka hequr lëngun e ullirit (dikush). *Pikë lëngu. Pa *pikë lëngu. Ka zënë lëng (dikush) ka vënë ca mall e pasuri, është zënë; ka vënë dhjamë. Ka zier në lëng çeliku (dikush) ka vuajtur shumë në jetë dhe është kalitur në vështirësi; është regjur, është i rrahur në jetë dhe është bërë i fortë e i durueshëm; ka përvojë të madhe; është i rrahur (i regjur) me vaj e me uthull; ka rënë (shumë herë) nga kali. Zihet në lëng të vet (dikush) e përballon çdo gjë me forcat e me mundësitë e veta, ia del diçkaje me ato që ka vetë; fërgohet (skuqet, tiganiset) me dhjamin e vet.
LËN/G,~GU m. sh. ~GJE, ~ET 1. fiz. Lëndë që nuk ka formë të përcaktuar, sepse ka veti të rrjedhë e të marrë formën e enës ku ndodhet dhe që përfaqëson një nga tri gjendjet kryesore të trupave (duke u dalluar nga trupat e ngurtë e të gaztë). Lëngjet dhe gazet. Uji është një lëng pa ngjyrë.
2. Pjesa e ujshme brenda qelizave, indeve a organizmave bimore e shtazore; pjesa e ujshme që del kur shtrydhim pemët e perimet ose kur ziejmë barishtet, mishin etj.; çdo ushqim i ujshëm. Lëngu qelizor (indor). Lëngu gastrik. Lëng pemësh (frutash, perimesh). Lëng rrushi (molle, qershie, portokalli, limoni, domatesh, karotash). Lëng pishe. Lëng gruri (orizi). Lëng mishi. Mish me lëng. E këshilluan të pijë sa më shumë lëngje. Nxjerr (lëshon) lëng.
3. Përzierja e hollë e një trupi të ngurtë në ujë ose në një lëndë tjetër të ujshme; diçka e ujshme. Lëng larës (pastrues). Lëng djegës (helmues). Lëng qelqor (xhami). Lëng gëlqereje.
4. bised. Lagështia që mban toka, vlagë. Ka lëng toka. Ara është në lëngun e vet. Toka është tul e lëng toka është shumë e mirë, shumë pjellore.
5. fig., bised. Plëng, mall e gjë, pasuri. Kishte zënë lëng? Kishin shumë lëng. Me lëng e me plëng me gjithçka kishte, me të gjitha, me laçkë e me plaçkë.
6. fig., bised. Diçka e mirë, e këndshme e tërheqëse që ka dikush a diçka, lezet, kripë, hijeshi; bukuri; vlerë, bulmet. Njeri pa lëng. Fjalë (muhabet) pa lëng. S'ka (fare) lëng. Nuk ka pikë lëngu. I doli lëngu i doli kripa, u bë si i shpëlarë, e humbi lezetin; e humbi vlerën.
7. krahin. Hirrë qumështi. Pinte lëng.
✱Sin.: limfë, vlagë, pasuri, kripë, hijeshi, hirrë.
♦U bë lëng u lag shumë, u bë qull. Lëng ndër lakra gjë fare pa rëndësi, diçka fare pa vlerë. Lëng *gështenjash. Lëng *groshe mospërf. Lëng (farë) *hardalli iron. Lëng stërlëngu (lëng pas lëngu) mospërf. shumë i largët nga lidhjet e gjakut ose nga lidhjet e tjera. Ia ka *pirë lëngun (dikujt) mospërf.. M'u bë gjaku lëng (*ujë). Heq (vuan) lëngun (të zitë) e *ullirit. Lahet me lëngun e vet është njëfarësoj, s'është as i mirë as i keq (për një bagëti). Më lëshon (më rrjedh, më shkon) goja lëng kam shumë dëshirë për diçka, më pëlqen shumë diçka. E *luan gishtin e lëngut (e shëllirës) (dikush). Ka marrë lëng nën bisht (dikush) ka marrë tepër hov, është azdisur dhe zor se shtrohet, është tërbuar nga të mirat (për një njeri). U nda nga lëngu e nga përsheshi (dikush) u largua përgjithnjë, u nda përgjithmonë (thuhej sidomos kur një i varfër largohej nga fshati ose kur vdiste). Ka pirë lëngun e gjarprit (prej dikujt) ka vuajtur shumë, ka hequr mundime të mëdha prej dikujt. Nuk u është puqur lëngu me thelë nuk kanë shkuar mirë njëri me tjetrin, nuk janë ulur asnjëherë në një sofër. Zihet në lëng të vet e përballon çdo gjë me forcat e me mundësitë e veta, fërgohet me dhjamin e vet. Është zier në lëng *çeliku. U derdh lëngu e ra në lakra s'u bë ndonjë dëm, nuk pësoi asnjë humbje. Lëre lëngun e hyrë në thela! iron. thuaje copë diçka!, mos i bjer anës e anës!
LËNGËTÓR,~E mb. gjuh. 1. E lëngët; lëngëzore. Bashkëtingëllore lëngëtore. Tingull lëngëtor.2. si em. f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
Shfaq përkufizimin e plotë →LËNGËTÝR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT keq. Gjellë e keqe dhe e pashijshme me shumë ujë e me fare pak yndyrë. - Asaj lëngëtyre bajate i thua ushqim?!✱Sin.: lëngurinë, lëtyrë, spirë, spirilën…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë