Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
LËM/Ë,~Í m. sh. ~ÉNJ, ~ÉNJTË 1. Shesh i vogël, zakonisht i shtruar me rrasa guri dhe me një strumbullar në mes, ku shihen të lashtat me kuaj; vendi ku mblidhen duajt e të lashtave dhe shihen me makinë. Lëmi i drithit (i grurit, i elbit, i thekrës). Kuajt e lëmit. Strumbullari (druri) i lëmit. Rrasat e lëmit.
2. Sasia e drithit që shihet njëherësh; sasia e prodhimit që nxirret njëherësh nga përpunimi i diçkaje. Lëmi i parë (i dytë). Lëmë ulliri.
3. Koha e shirjes së të lashtave dhe vetë shirja e të lashtave; koha e prodhimit të diçkaje; koha e vjeljes së pemëve. Koha e lëmit. U mbyll lëmi. Para (pas) lëmit. Në lëmë të grurit (të rakisë, të ullinjve, të pemëve). Puno sot e paratë në lëmë. (fj. u.).
4. bised. Vend i sheshtë e i gjerë ku grumbullohet lënda e parë e diçkaje ose ku sillen prodhime të ndryshme. Lëmi i druve. Lëmi i barit (i kashtës së bagëtive). Lëmi i pambukut (i leshit). Lëmenjtë e kripës oxhakët e mbushur me kripë.
5. Vend i hapët ku zhvillohet diçka; shesh pushimi; fushë, shesh. Në lëmë të qytetit (të fshatit) në qendër të qytetit a të fshatit. Lëmi i burrave. Lëmi i luftës (i betejës). Lëmi i shkallëve. Ra në lëmë të mejdanit.
6. Gropë e gjerë, ku gatuhet balta për të bërë qerpiç, tulla, tjegulla ose enë të ndryshme; vendi ku hapen, thahen dhe piqen këto sende prej balte. Lëmi i kumisë (i kaminës). Lëmi i tullave (i tjegullave).
7. fig. Fushë e veprimtarisë njerëzore. Në lëmin e ekonomisë (e arsimit, e kulturës, e shkencës). Në lëmin e mbrojtjes. Në çdo lëmë të jetës.
8. bised. Numër i madh njerëzish a kafshësh; sasi e madhe sendesh; grumbull. Lëmë njerëzish. Lëmë kuajsh (gomarësh). Lëmë drush. Lëmë me domate (me bostan).
9. Rreth i errët që bëhet përqark syve nga lodhja, nga pagjumësia ose nga ndonjë sëmundje. Lëmi i syrit. I ka zënë syri lëmë.
10. Rreth i ndritshëm që shihet nganjëherë rrotull hënës a diellit; rreth. Lëmi i diellit. Ka vënë lëmë hëna. Dallëndyshja bën lëmë në ajër vjen rrotull në ajër.
11. Njollë e madhe e diçkaje; pellg. Lëmë gjaku. Lëmë boje. U bë gjaku lëmë u derdh shumë gjak.
12. Rrotullamja e mullirit të vajit, që shërben për të shtypur ullinjtë. Lëmi i mullirit të vajit. I shtien (i shtypin) ullinjtë në lëmë.
13. bised. Zgjua, koshere bletësh. Lëmi i bletëve.
14. si ndajf., bised. Plot; grumbull. E gjeti të shtruar lëmë. U mbush vendi lëmë. U mblodhën lëmë njerëzit. Fusha ishte lëmë me të vrarë. E shtroi (e bëri) lëmë mbrëmë.
✱Sin.: shesh, vrah, shirje, prodhim, vjelje, vendgrumbullim, sheshpushim, gropë, fushë, degë, mori, grumbull, rrathë, brerore, pellg, rrotullame, zgjua, koshere, plot.
♦ U bë lëmë (diçka) u shkatërrua fare, u sheshua e u thërrmua krejt; u bë rrafsh me tokën; u bë lëndinë. E bën lëmë (dikush) është shumë mikpritës, s’di ç’të bëjë që të të kënaqë, të pret me gjithë zemër; e ndan bukën në çerep; e ka derën të hapur; pret e përcjell; i rri sofra shtruar (dikujt). E bëri lëmë. 1. (diçka) E shkatërroi fare diçka, e shkretoi; e rrafshoi, e sheshoi; e thërrmoi krejt; e bëri rrafsh me tokën; e fshiu (e zhduku) nga faqja e dheut. 2. (diku) E bëri rrëmujë diku a e mbyti me plehra. Ia bën lëmë (dikujt) ia paraqit të lehtë, të zbukuruar a të këndshme diçka; e bën fushë me lule (dikush); e bën shesh me lule (dikush). Flet për *gogla dushku në lëmë (dikush). E gjeti lëmë të shirë (dikush) e gjeti gati a të përfunduar diçka; nuk u mundua fare vetë; e gjeti sofrën (lëmin) të shtruar. E gjeti lëmin (sofrën) *shtruar (dikush) keq. E kam lëmë kam plot të mira, nuk më mungon asgjë, jam në bollëk. Lëmë pa drithë (pa bereqet) dikush a diçka që nuk sjell ndonjë dobi ose nuk ka ndonjë vlerë; pemë pa kokrra. Në lëmë të duhanit kurrë, asnjëherë; kur të hipë gomari në fik; kur të pjellë mushka; kur të flasin lopët; kur të bëhen dy ditë bashkë. (Sillet) si *kali në lëmë (dikush) mospërf. Në lëmë të qepëve iron. shih në lëmë të urovit tall. Në lëmë të urovit tall. kurrë, asnjëherë; kur të shijë Hajdini urovë; në lëmë të duhanit. Ta shet lëmin me gjithë *byk (dikush) keq. (Shin) si *kali në lëmë (dikush). Shin lëmë (dikush) bën si do vetë, nuk përfill e nuk pyet askënd, vepron sipas kokës së vet.
LEM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. gjuh. Zëri i çdo artikulli në një fjalor, në një enciklopedi, dhe që zakonisht shkruhet me shkronja të ndryshme dhe më të dukshme; trajta përfaqësuese e fjalës në analizën gjuhësore dhe në fjalorë.
2. mat. Pohim ose teoremë ndihmëse që përdoret për të provuar teorema më të rëndësishme ose më komplekse.
LË vep., LÁSHË, LËNË kal. 1. Nuk e marr diçka nga vendi ku është, nuk ia ndryshoj vendin, nuk e heq, nuk e shkëput, nuk e nxjerr a nuk e luaj prej atje; nuk e marr me vete dikë a diçka kur iki ose e harroj diku, largohem pa të. Nuk e lanë misrin në arë. E lanë kashtën në lëmë. E la çelësin në bravë. I ka lënë qetë në zgjedhë. Ia la frerin në gojë. E la shulin në derë. Ia lanë plumbin në trup. La disa degë pa i prerë. I la fëmijët në shtëpi (tek e motra, në Elbasan). Ia ka lënë nënës vajzën që ta rritë. Nuk i kujtohej ku e kishte lënë çantën (çadrën, letërnjoftimin). - Lëre aty tek është!
2. Vendos diku në një mënyrë të caktuar një gjë që e kam në dorë ose që e kam marrë a sjellë nga një vend; e vë. I la arkat përpara dyqanit. - Lëri pjatat (gotat) mbi tryezë. - Lëri në vend të pastër! E la drejt (shtrembër, varur, shtrirë, më këmbë). E la mbështetur pas murit.
3. Më hiqet diçka nga trupi, më mbetet diçka nga vetja diku; humb. Delet e lanë leshin nëpër ferra. I la pendët (një shpend) i ranë pendët, mbeti pa pupla. E la krahun në luftë. I la këpucët nëpër shkëmbinj iu prishën a iu shkatërruan këpucët nëpër shkëmbinj. E la bishtin në akull (dhelpra) iu këput bishti, i mbeti bishti në akull. I la paratë në bixhoz.
4. edhe fig. I jap diçka një tjetri për ta ruajtur a për ta përdorur, i dorëzoj; i besoj një detyrë, i ngarkoj një punë a i jap një porosi, një këshillë etj. Ia la çelësin fqinjës. I la një porosi (një fjalë). Ia la amanet. I la emrin. U zhduk pa lënë drejtimin. Ia lë barrë dikujt ia ngarkoj një punë. Ia lë në besë dikujt ia besoj. E ka lënë me të shkruar (me gojë).
5. edhe fig. Ia jap dikujt si trashëgim, bëj që ta ketë ai (një pronë, një pasuri etj.); bëj që diçka ta ketë a ta gëzojë një pasardhës. Ia ka lënë babai (gjyshi). Na e kanë lënë të parët tanë. Na ka lënë dy vepra të shquara. I ka lënë emër të mirë dikujt. I la nam të keq.
6. bised. Ia shes një gjë dikujt (zakonisht me një çmim të përshtatshëm për të), ia jap dikujt. Ia la për pesëdhjetë lekë. - Nuk e lë më lirë?
7. Lëshoj; kund. mbaj. S’e lë pushkën (lopatën, librin) nga dora. E mban fort, s’e lë të bjerë (të rrëzohet).
8. edhe fig. Bëj një shenjë a një gjurmë diku; bëj një përshtypje të caktuar, shkaktoj një pasojë. I la shenjë (njollë) në faqe. La gjurmë. La mbresa të mira (të thella, të këqija). I la një damkë familjes.
9. Ndaj mënjanë diçka dhe e ruaj për ta përdorur më vonë; heq mënjanë, vë mënjanë; e ruaj për një tjetër. Kishte lënë para mënjanë. I la në arkën e kursimit. I la për dimër (për dasmë). I la për darkë. - T’i lëmë për nesër. Ia la mollët vëllait. Ua linte shokëve pjesët më të mira.
10. I jap mundësi dikujt të bëjë diçka, nuk e pengoj të bëjë një punë; i jap pëlqimin për një punë; lejoj; kund. ndaloj. E lë të shkojë (të kalojë, të niset, të hyjë, të dalë). E lanë të fliste sa deshi. - Lëre ta shohë! - Lëre të flejë! E la ta bënte vetë. Nuk e lë të pijë raki (duhan). I lë dorë (fushë, shesh) të lirë e lejoj të veprojë lirisht. I ka lënë kohë ka pasur kohë. Nuk e lë sëmundja (mosha). Nuk lë asnjë shkelje. Ka lënë shumë raste të tilla. Rëra e lë ujin të kullojë. Xhami e lë dritën të hyjë.
11. E mbaj diçka, nuk e nxjerr jashtë, nuk e përjashtoj; e ruaj siç është, nuk e heq; e lejoj të vijojë; kund. heq. E lanë në rendin e ditës. Ia lanë emrin në listë. Lanë në antologji pjesët më të bukura. E la jashtë diçkaje nuk e përfshiu. Ia lanë bursën. E lë me ato mendimet e veta.
12. bised. E caktoj diçka për një kohë të përshtatshme, i caktoj një afat; e shtyj për më vonë diçka; heq dorë përkohësisht nga diçka për ta bërë në një kohë tjetër. La takim me dikë. - E lëmë në orën gjashtë? - Aksionin e kemi lënë ditën e diel. Dasmën e lanë për në tetor. E lanë mbledhjen për nesër. La një provim për në vjeshtë. - E lëmë për një herë tjetër! Punën e sotme mos e lër për nesër. (fj. u.).
13. Liroj diçka, e lë të lirë një vend që të rrijë ose të kalojë dikush a diçka. - Lëri pak vend! E la të lirë kalimin. I lë një shteg (një vrimë). I la një dritare (një dalje). I lënë një grykë sipër.
14. Braktis një punë, nuk e përfundoj, e ndërpres; heq dorë përkohësisht a përfundimisht nga diçka; e pres përgjithnjë, nuk e vijoj më tej; ndahem a largohem për ca kohë a përgjithnjë nga dikush a nga një vend. Nuk e la punën (mësimin, studimin). E la stërvitjen (lojën). E ka lënë shtetësinë. E la rakinë (duhanin) nuk e pi më. E la gjiri i iku qumështi, nuk ka më gji për t’i dhënë fëmijës (për një grua që ka fëmijë në gji). I ka lënë gënjeshtrat (thashethemet). E la zinë nuk mban më zi. I la vezët pula nuk bën më vezë, i preu vezët. - Lëri këto, dëgjo ç’të them! La rrugën kryesore dhe mori nga e djathta. I ka lënë miqtë (prindërit, shokët). E la vendlindjen. Nuk e lë vendin e rojës. - Mos e lër vetëm! Na la përgjithnjë vdiq. Na la gjuhëtari i madh Idriz Ajeti. Na ka lënë prej kohësh a) ka ikur prej kohësh; b) ka kohë që ka vdekur. Nuk e kanë lënë shpresat shpreson ende për diçka. Ka lënë dy fëmijë vdiq dhe i kanë mbetur dy fëmijë. Nuk ka lënë njeri (pas vetes) ka vdekur dhe nuk ka asnjë fëmijë a pasardhës.
15. bised. Ndaj (bashkëshortin). E la burrin (gruan, të fejuarin, të fejuarën).
16. vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) edhe fig. Nuk më punon më një pjesë e trupit, s’kam më fuqi ose aftësi trupore a mendore. E la dora (këmba). E ka lënë fuqia (shëndeti). E kanë lënë sytë (veshët) nuk shikon (nuk dëgjon) më. E la kujtesa.
17. bised. E vë dikë në një detyrë, në një punë etj., e ngarkoj të bëjë diçka, e caktoj; e mbaj a e lejoj në një punë, në një detyrë etj., nuk e heq, nuk e përjashtoj, nuk e ndërpres, nuk e pushoj; kund. heq. E kanë lënë roje dikë. E lanë portier. sport. E lanë në punë (në shkollë, në zanat). E lanë si drejtor.
18. Ia ruaj diçkaje a dikujt gjendjen e mëparshme kur largohem, nuk ia prish e nuk ia ndryshoj gjendjen, nuk e luaj; nuk e prek, nuk e trazoj. E la dhomën siç ishte. E la shtëpinë rrëmujë. E la punën të ngatërruar. I la gati (stivë). E la derën (dritaren) hapur (mbyllur). E la ushqimin pa ngrënë (pa prekur). E la duke punuar (duke lexuar, mbi libra). E la zgjuar (në gjumë). E la të sëmurë (të shëndoshë, të mërzitur). E la në pritje. E la të qetë. E la në të vetën (në të tijën) nuk e kundërshtoi dikë. - Lëre në punën e tij!
19. edhe fig. Bëj që të jetë a të bjerë në një gjendje të caktuar (kryesisht të keqe a të vështirë), ia krijoj vetë një gjendje të tillë, i krijoj kushte të rënda a i shkaktoj një të keqe, duke ia marrë, duke ia prishur a duke ia zhdukur diçka; e bëj të përjetojë diçka të rëndë. E la pa gjumë. E la pa bukë (pa ujë, pa rroba, pa shtëpi, pa qerre, pa kalë, pa para). E la pa ngrënë (pa pirë, pa folur). E la pa gjë. S’i la gjë. E la lakuriq (zhveshur, zbathur). E la pa njeri (pa vëlla, pa motër, pa baba). E la të vrarë. E la vetëm. E la pa sy e verboi. E lë pa fuqi një urdhër (një ligj). libr. e shfuqizon. E la si të ngrirë (si hu). E la në gjendje të keqe (thatë, në vështirësi, në baltë, në llucë, në zall). E la punën përgjysmë. E la të habitur.
20. edhe fig. I dal përpara dikujt, e kaloj, e kapërcej, e tejkaloj. E la prapa (në rrugë, në vrapim). E la pas në mësime.
21. Përdoret me mohim në grupe fjalësh me folje të tjera, kur veprimi duhet të ndodhë patjetër. Nuk e lëmë pa kryer do ta kryejmë medoemos. - Mos e lër pa ardhur! hajde patjetër! Nuk e lë pa shkuar do të shkojë doemos. Nuk e lë pa i folur do t’i flasë patjetër.
22. si pj. Përdoret në mënyrën urdhërore kur flasim për diçka, të cilën nuk duam ta zëmë në gojë. - Lëre, ç’ka për të thënë më vonë! - Lëre, lëre se ç’e ka gjetur!
✱Sin.: humb, humbas, dorëzoj, besoj, ngarkoj, jap, jap, shes, lëshoj, vë, caktoj, mënoj, shtyj, liroj, braktis, shkreh, ndërpres, ndahem, largohem, shtyj, lejoj, kaloj, kapërcej.
♦ Kë të *zë e kë të lë. E *lagu s’e lagu (bishtin dhelpra). Ia la *bajgat (dikujt) tall. vulg. E la në *baltë (dikë). Ia la *barrën (dikujt). La *bishtin (dikush). E la *në bisht (dikë). La *boshllëk (dikush a diçka). Na la *bukën (dikush). E la në një *cep (diçka). Nuk e lë të bëjë *çap (dikë). S’ta lë dalë (dikush). Ia la në *daltë (dikujt). E la në *diell (dikë). Më la në *djep (dikush). E lë në *dorë (të dikujt). Ia lë në *dorë (dikujt). E la pas *dore (dikë a diçka). S’e lë (s’e lëshoj) nga *dora (diçka). E la *drita (dikë). E la *dyshekun (dikush). La *emër (dikush). E la në *errësirë (dikë a diçka). La eshtrat (*kockat) (diku). E ka lënë *fiqiri (dikë). E lë me *fjalë (me dikë). E la pa *frymë (dikë). S’i la *fytyrë (dikujt). E la *gisht (dikë). I la *glasën (dikujt) mospërf. bised. Më la *gojëhapur (dikush a diçka). E la *gojëthatë (dikë). Nuk lë *gur mbi gur (dikush). Më kanë lënë (më lëshuan) *gjunjët. Më lë pa *gjumë (dikush a diçka). Lë *gjurmë (të thellë) (diçka a dikush). E la në *hava (dikë a diçka). E lë në *heshtje (diçka). I la *hijen (dikujt) iron. E la në *hije (diçka a dikë). E la jatakun (*shtratin, krevatin) (dikush). E la *kalli (dikë). La *kaptinën (dikush) bised. Më lanë (m’u prenë) *këllqet. Më kanë lënë *këmbët. Lë *kockat (për dikë a për diçka). La *kockat (eshtrat) (diku). Lë *kokën (kryet) (për dikë a për diçka). Sa të lësh *kokën. E la (e bëri) *kopan (dikë) bised. E la pas *krahëve (dikë a diçka). E la krevatin (*shtratin, jatakun) (dikush). E la *kripë (dikë). Lë kryet (*kokën) (për dikë a për diçka). Ia la në *kurriz (në shpinë) (diçka). E la *lakuriq (dikë). I lë *lamtumirën (dikujt). E la (e hodhi) në *ledh (dikë). E la *lehe (diçka). Lë *leshtë keq. Lë *lëkurën (për dikë a për diçka). Ia la *lëpendrat në dorë (dikujt) iron. E la në *llucë (dikë). Nuk ta lë *mangët (dikush). *Merr e lër. Më lë *mbresë (dikush a diçka). E lë (e hedh) pas *mendsh (dikë a diçka). La *mendtë (e kokës) (dikush). E lanë (e lëshuan) *mendtë (dikë). E la pa *mend (dikë). La *mendjen (pas dikujt a pas diçkaje). Të lësh *mendjen (pas dikujt a diçkaje). E ka lënë *mendja (dikë). E la në *mes (diçka). Nuk ta lë *metë (dikush). E la në *mezhdë (dikë) keq. Lë *mënjanë (dikë a diçka). E la në *mjegull (diçka). E ka lënë *mortja (dikë) përçm. E ka lënë *moti (dikë) iron. La *nam (dikush). Nuk ta lë për *nesër (dikush). Lëre mos e nga (mos pyet)! iron. shumë keq, sa s’ka ku të shkojë më tej; mos pyet! E la *ngrehur (diçka). I la *opingat (dikujt) iron. E lë pas (*prapa) (dikë a diçka). Ia la *pendët në dorë (dikujt) iron. Ma la (ma bëri) *peshqesh (dikë a diçka). E lë *pezull (dikë a diçka). E la *pirg (dikë). I la *potkonjtë (dikush). E lë *prapa (pas) (dikë a diçka). Ia la *puplat (në dorë) (dikujt) iron. E la *pykë (dikë). Ia la (ia vari) në *qafë (për qafe) (dikujt). Nuk më lë *të qetë (dikush a diçka). E la *qull (diçka a dikë). E la në *qull (dikë). Lë *rrashtën (për dikë a për diçka). I lë *rrikën (dikujt). E la *rrogoz (dikë). La *rruazën (diku). I la rrugë (*udhë) (diçkaje). E la në *rrugë (në udhë) (diçka). E kanë lënë (e kanë lëshuar) *sendet (dikë). Lë *sytë (pas dikujt a pas diçkaje). S’i la *sy e faqe (dikujt). E lë *shajak (punën etj.) (dikush). E la *shakull (dikë). E la *shëndeti (dikë). Na la *shëndetin (dikush). I lë *shëndetin (dikujt). Lë *shteg (për diçka). I lë një *shteg (dikujt). Ia la *shtupë (dikujt). Ia la *shuk (diçka). Na la *shurdh (të shurdhër) (dikush). Na la të shurdhër (*shurdh) (dikush). E la *top në vend (dikë). E la *trokë (dikë). E kanë lënë *trutë (dikë). E la *presh në diell (dikë). E kanë lënë *trutë (dikë). E la *thes në vend (dikë). (Sa) të lësh *thonjtë. E la në udhë (në *rrugë) (diçka). E kanë lënë (e kanë lëshuar) *sendet (dikë). Ia lë (ia dorëzoj) *stafetën (dikujt) libr. Ia la në shpinë (në *kurriz) (diçka). E la *tagjinë (dikush) tall. E la në *terr (dikë a diçka). E la *trashë (diçka). E kanë lënë *trutë (dikë). E la në *tym (diçka). E la *thatë (dikë). (Sa) të lësh *thonjtë. I la *udhë (rrugë) (diçkaje a dikujt). Na la *uratën (dikush a diçka). E la *vakëf (diçka). E kanë lënë jashtë *valles (dikë). E lë *varur (dikë a diçka). E la (e bëri) *të vdekur (dikë). E la në *vend (dikë). S’ia lë (s’ia lëshon) *vendin (dikujt). I lëshoj *vendin (dikujt). E kanë lënë *veshët (dikë). Më la pa *veshë (dikush). E la (e ndali, e mbajti) *vrapin (diku). E la me *xanxë (dikë). E la *zbuluar (dike a diçka). Më la (më lëshoi) *zemra. E la *zhyt (diçka). (Të qeth, të kreh) e t’i lë *morrat brenda (dikush). (U zhduk, humbi) pa lënë *gjurmë (dikush a diçka). E la në *zall (dikë). Më la (më lëshoi) *zemra. E lë *zvarrë (diçka). E la *zhyt (diçka).
LE pj. 1. Përdoret para foljesh në lidhore, kur japim një urdhër a një udhëzim në mënyrë të zbutur ose kur shprehim një kërkesë a një grishje si nxitje, si lejim, si pëlqim, si miratim etj. - Le të nisen sa më parë! - Le të hidhemi në një çështje tjetër! - Le të ecim në shembullin e më të mirëve!
2. Përdoret kur duam të ripohojmë diçka me gjithë kundërshtimin e dikujt, kur duam të mos e zëmë më në gojë diçka etj.; lëre. - Le të mos u pëlqejë! - Le të thonë ç’të duan! - Le, ç’ka për të vajtur më vonë! - Le, po s’po na lënë të qetë edhe këta tani!
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë