Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
KURRÍZ,~I m. sh. ~E, ~ET 1. anat. Pjesa e prapme e trupit të njeriut, bashkë me shtyllën vertebrore dhe me shpatullat; shpinë. Dhembja e kurrizit. Me kurriz të kërrusur. Përkul (kruaj) kurrizin. I ra (i hipi) në kurriz. Palca e kurrizit (anat.) palca kurrizore. Shtylla e kurrizit (anat.) shtylla vertebrore.
2. Veshja që mbulon këtë pjesë të trupit të njeriut; shpinë. Nëna mbaroi (thuri, qepi) kurrizin.
3. Pjesa e sipërme e trupit të disa kafshëve, të gjitarëve etj., që ndodhet në dy anët e shtyllës kurrizore; shpinë. Kurrizi i kalit (i mushkës, i kaut, i lopës).
4. Gungë mbi shpatullat e dikujt që krijohet nga pleqëria ose nga ndonjë sëmundje. I ka dalë kurrizi.
5. Gjëja e sipërme e diçkaje që ka pozicionin dhe trajtën e gungës (tek njeriu, tek kafshët etj.); ana e prapme e një objekti (e një kodre a mali, e një thike etj.); shpinë. Kurrizi i dorës (i hundës). Kurrizi i kodrës (i Dajtit). Kurrizi i pallatit (i shtëpisë, i kishës). Kurrizi i thikës. Në kurriz të ndërtesës.
6. bujq. Pjesa më e ngritur e tokës së lëvruar a e hullisë etj. Kurrizi i brazdës (i lehes).
7. edhe fig. Pesha sa mund të mbajë njeriu ose kafsha mbi shpinë; fuqia sa mban kafsha a njeriu; shpinë. Nuk ia mban kurrizi (shpina) nuk mund ta bëjë dot një punë a një detyrë (sepse është e rëndë). Jeton (rron) në kurriz të të tjerëve jeton me mundin dhe djersën e të tjerëve.
✱Sin.: shpinë, krah, shpatull, sup, gungë, fuqi.
♦ M’u bashkua *barku me kurrizin. M’u bë kurrizi *tevlik. Ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun (dikujt) e rrahu shumë, e zhdëpi në dru, e shqepi, e zbrujti; ia zbuti kurrizin; e bëri për vaj e për uthull (dikë); ia veshi këmishën me uthull; e bëri peshk (dikë); e bëri pelte (dikë); e bëri petë. Ia bëri kurrizin *qull (dikujt). Rashë në kurriz (në *shpinë). I ka dalë dhjamët në kurriz (dikujt) përb. është shëndoshur shumë; tul e dhjamë; për ta ndarë (për ta çarë) më katërsh; s’e nxë as derë as ortë (dikë); është bark e bythë (dikush) përçm. vulg. E di kurrizi (*lëkura, shpina) (i dikujt). E drejtoi kurrizin (*shpinën) (dikush). I fërkon kurrizin (dikujt) keq. shih i fërkon krahët (dikujt) keq. E futi *qafën në kurriz (dikush). I ha *fasha e kurrizit (dikujt). I ha (i kruhet) kurrizi (shpina, rruaza) (dikujt) jep shkak vetë që ta qortojnë rëndë a ta rrahin; e kërkon sherrin vetë; i ha (i kruhet) koka; i hanë (i kruhen) hundët; i hanë brirët. Të ha pas kurrizit (pas *shpine) (dikush). E hodhi pas (prapa) kurrizit (diçka) shih e hodhi pas (prapa) krahëve (diçka). I ka hipur në kurriz (në *shpinë) (dikujt). S’ka kurriz për atë barrë (dikush) shih s’ka qafë për atë këmborë (dikush). M’u këput (më ra) kurrizi kam punuar shumë e jam lodhur së tepërmi, u këputa, u rraskapita, u shkreha fare; më ranë (m’u këputën) kryqet; më ra bretku. Kërrusi kurrizin (*shpinën) (dikush). I ktheu kurrizin (*shpinën) (dikujt a diçkaje). Kurriz më kurriz fare pranë, ngjitur. Ia la në kurriz (në shpinë) (diçka) ia la dikujt ta bëjë vetëm një punë a një detyrë që duhej ta bënin bashkë, ia vuri si barrë, i ngarkoi atij diçka. E mban mbi kurriz (në shpinë) (dikë) e ushqen e kujdeset për të; përgjigjet për të; e ka si barrë. Më mban kurrizi (shpina) (diçka) jam në gjendje të përballoj një punë, i kam mundësitë e aftësitë e nevojshme, jam në gjendje ta bëj diçka; duroj; i mban samari (dikujt) tall. *Mëngë në mes të kurrizit. Ia ndreqi kurrizin (dikujt) shih ia ndreqi samarin (dikujt). I ngul *thikën prapa kurrizit (pas shpine, prapa krahëve) (dikujt). M’u ngjit *barku (mulla) me kurrizin (për shpine). Qesh *kërmilli kurrizin e breshkës iron. Rron (ha) në kurriz (në shpinë) (të dikujt) nuk punon vetë dikush e rron me mundin e djersën e dikujt tjetër, është parazit. Kur të shohë kurrizin (*shpatullat, shpinën) pa pasqyrë (dikush) iron. I sheh edhe kurrizi (*shpina) (dikujt). Shtatë *pëllëmbë në (mbi) kurriz. Shtroj (ul) kurrizin i vihem punës me të gjitha forcat, shtrohem mirë në punë, nuk i shmangem punës, ia hyj seriozisht; përkul (ul) mesin; përvesh krahët. E uli (e shtroi) kurrizin (shpinën) (dikush) përb. shih e uli qafën (zverkun) (dikush) përb. Më vajti pas (prapa) kurrizit nuk hëngra i qetë, nuk më lanë të ha mirë, më shqetësuan e ma ndërprenë disa herë të ngrënët, më bezdisën; nuk e shijova ushqimin. I vuri kurrizin (diçkaje) e mbajti veshur për një kohë të gjatë, e përdori shumë (pallton, kostumin etj.). Ia zbuti kurrizin (shpinën) (dikujt) keq. e rrahu fort, e zhdëpi mirë e mirë, e shqepi, e zbrujti; ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun; ia zbuti brinjët; ia ndreqi samarin bised.; i nxori rripa nga lëkura; e bëri për vaj e për uthull (dikë); e bëri peshk (dikë); e bëri pelte (dikë); e bëri petë (dikë); e bëri tul (dikë) tall.; ia theu samarin përb. Nuk ia ka zënë trari kurrizin (dikujt) nuk i kanë rënë halle a telashe mbi kokë; nuk ka pasur ndonjë hall a barrë të madhe mbi shpinë, ka qenë rehat; nuk e ka vrarë (nuk e ka shtrënguar) këpuca (dikë); nuk e ka vrarë (nuk e ka shtrënguar) opinga (dikë); nuk e ka vrarë samari (samari) tall.
KURRIZDÁLË mb., mospërf. Që i ka dalë kurrizi si një gungë; gungaç. Njeri (burrë, djalë, grua) kurrizdalë.✱Sin.: gungaç, kurrizo.
Shfaq përkufizimin e plotë →KURRÍZO,~JA f. sh. ~, ~T mospërf. 1. Njeri kurrizdalë; njeri gungaç.2. si mb. Kurrizdalë. Burrë kurrizo.✱Sin.: kurrizdalë, gungaç.
Shfaq përkufizimin e plotë →KURRIZÓR,~E mb. 1. anat. Që ka të bëjë me kurrizin dhe me shtyllën vertebrore; që i përket kurrizit a shpinës; që gjendet në kurriz ose në shtyllën e kurrizit; vertebror; shpinor. …
Shfaq përkufizimin e plotë →KURRIZÓRË,~T m., vet. sh., zool. Emërtim i përgjithshëm kryesisht për kafshët që kanë skelet dhe shtyllë kurrizore (ku hyjnë gjitarët, shpendët, peshqit, rrëshqanorët etj.); kërbis…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë