Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
KEQ (i), ~E (e) mb. 1. Që ka veti ose cilësi jo të duhura (për një produkt, për një mjet a vegël etj.); që nuk është bërë mirë, që është bërë me shumë të meta (për një punë, veprimtari etj.); i lig; i pamirë; kund. i mirë. Prodhim (mall) i keq. Gjellë (gatesë, pije) e keqe. Rrugë (urë, vepër, punë) e keqe. Veprimtari (punë) e keqe. Fillim i keq.
2. edhe fig. Që të dhemb a të lëndon shpirtërisht; që ka pasoja të pakëndshme dhe të dëmshme; që shënon a shpreh një brengë, një ndjenjë, një fatkeqësi të madhe; i lig; kund. i mirë. Plagë (sëmundje) e keqe. Lajm (njoftim) i keq. Ndjenjë (ndjesi) e keqe. Vit i keq. Krizë (gjendje, situatë) e keqe.
3. Që nuk ka kapacitetin e duhur, që nuk e bën dot punën e vet; i pazoti, i paaftë; kund. i mirë. Shkrimtar (lojtar, mësues, piktor, artist, organizator, politikan) i keq. E larguan (e pezulluan) drejtorin e keq.
4. I pasjellshëm, i pamoralshëm; i pandershëm dhe i pacipë, që sillet ose që vepron jo në përputhje me normat morale e shoqërore; i lig; i papranueshëm nga shoqëria; negativ; që është veçori a karakteristikë e një njeriu të tillë; i shëmtuar; kund. i mirë. Njeri (shok, mik) i keq. Mësues (edukator) i keq. Sjellje e keqe.
5. I vrenjtur (për kohën a motin); kund. i mirë. Kohë e keqe. Mot i keq.
6. Që nuk të pëlqen ta kesh pranë, ta prekësh, t’i mbash erë etj.; i papëlqyeshëm dhe i padëshirueshëm; kund. i mirë. Erë (aromë) e keqe.
7. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta që shënojnë a emërtojnë sëmundje të rënda. Fyti i keq (mjek.) difteria. Kolla e keqe (mjek.) tuberkulozi. Tumor i keq (mjek.) tumor i pashërueshëm, kancer që vijon të lëshojë metastaza. Fruthi i keq (mjek.) fruthi i zi.
8. bised. Që ka nivel, veti a cilësi të një shkalle të lartë; i fortë. Trim i keq.
✱Sin.: lig, i pazot, i paaftë, i shëmtuar, i dëmshëm, i prapë, i poshtër, i pasjellshëm, i pamirë, i pandershëm, negativ, i vrenjtur, i fortë.
♦ *Ana e keqe euf. *Bar i keq keq. *Bimë e keqe përb. *Farë e keqe përb. Për *fat të keq. *Gojët e këqija (e liga) keq. Si pa *gjë të keqe. Është me *hënë të keqe (dikush). Është në *orë të keqe (dikush). E ka mendjen të keqe (dikush) mendon gjithnjë për keq, ka synime të këqija, mendon të bëjë diçka që mund të sjellë dëm e fatkeqësi; i punon mendja për prapësira. E ka me *sy të keq (të lig) (dikë). Ka *sy të keq (të lig) (dikush). E ka thuan të keq (dikush) keq. vjedh; e ka ves vjedhjen; ka dorë. E ka zemrën të keqe (dikush) është zemërlig; ka zemër të keqe; e ka zemrën të ligë; kund. e ka zemrën të mirë. Mori *rrugë (udhë) të keqe (të shtrembër). *Pjellë e keqe (e shejtanit) përb. Prish *syrin e keq etnogr. *Stof i keq shpërf. *Syri i keq (i lig). Jam parë me *hënë të keqe (me dikë). E sheh me *sy të keq (të lig) (dikë). Me *shpirt (me zemër të keqe).
KEQ,~TË (të) as. 1. Sjellje, veti etj. e keqe; e keqja; kund. të mirët. I foli me të keq.
2. Hall i madh, ndjesi e keqe, frikë e madhe; datë; tmerr. Më ka zënë të keqtë.
✱Sin.: e keqe, e ligë, hall, datë, tmerr.
♦ S’ia sheh kush të keqtë (dikujt) tregohet shumë i matur, është i durueshëm e i sjellshëm. Më shtiu (më shpiku) të keqtë (dikush) shih më futi (më shtiu) veremin (dikush a diçka) vjet.
KEQ ndajf. 1. Jo ashtu si duhet, me cilësi të dobët, me të meta; ligsht; dobët; keqas; mbrapsht; kund. mirë. Është bërë (është ndërtuar) keq. Punonte keq.
2. Në mënyrë të pasjellshme ose të gabuar; jo në përputhje me normat morale e shoqërore; në mënyrë të pahijshme; pa edukatë, pa kulturë e pa urtësi; me ligësi, ligsht; shëmtuar; negativisht; kund. mirë. Sillej (vepronte, lexonte, shqiptonte) keq.
3. Në kushte të vështira shëndetësore, ekonomike, politike etj.; tukeq; në mënyrë të padrejtë; kund. mirë. Jetonte (rronte) keq. Keq e më keq.
4. Pa ndonjë kënaqësi, pa dashuri; pa ndjenjë; kund. mirë. Na priti keq.
5. bised. Në një shkallë të lartë; fort; rëndë; derrçe. E rrahu (u sëmur, u plagos) keq. E pinte keq rakinë.
6. si em. f., edhe as. Gjë e keqe, të keq; e keqja; fatkeqësi. I bëri keq (rakia).
✱Sin.: ligsht, keqas, dobët, mbrapsht, tukeq, shëmtuar, negativisht, rëndë, derrçe.
♦ *Gjallë e keq (e ngushtë). Keq e keq me vështirësi të madhe, me shumë mundim, mezi; si të mundet; zhyt e mbyt. Shkeli keq (dikush) bëri një veprim të gabuar, veproi keq; gaboi, shkau. E pa keq (dikush), në vështirësi a në rrezik; e pa pisk. Mos të paftë syri keq! ur. kalofsh një jetë të mirë, pa halle e pa fatkeqësi; mos vuajtsh e mos paç kurrë fatkeqësi. Shtie keq (dikush) i ngatërron njerëzit, i fut në sherr; fut fite. Më vjen keq hidhërohem e dëshpërohem për dikë a diçka, e ndiej veten keq; më dhimbset; i qaj hallin (dikujt).
KEQ- fjalëform. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra me kuptimin e mbiemrit «i keq» dhe të ndajfoljes «keq», si p.sh. keqmenaxhim, keqmenaxhoj, keqmenaxhues, i keqmenaxhuar etj.
Shfaq përkufizimin e plotë →KEQÁN,~E mb. 1. Zemërkeq, shpirtkeq; që ka ligësi a ndjenja të këqija ndaj dikujt; që nxit dikë për të keq. Zemër keqane. Sjellje keqane.2. Shëndetlig. Fëmijë keqan. ✱Sin.: keqdash…
Shfaq përkufizimin e plotë →KÉQAS ndajf. 1. Shumë keq, në kushte të këqija; me pasoja të këqija; keq. Punonte (vepronte, jetonte) keqas. Ushtria u shpartallua keqas. 2. Në shkallën më të lartë; fort. E rrahën…
Shfaq përkufizimin e plotë →KEQBESÍM,~I m. Mungesë e plotë besimi; mosbesim. Atmosferë keqbesimi.
Shfaq përkufizimin e plotë →KEQBËRËS,~E mb. 1. Që i bën të këqija dikujt, shoqërisë etj.; keqdashës, bakeqës; kund. mirëbërës. Keqbërës i rrezikshëm.2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.✱Sin.: bakeqës…
Shfaq përkufizimin e plotë →KÉQ/E,~JA (e) f. sh. KËQÍJA, KËQÍJAT (të) 1. Gjendja e keqe a e vështirë në të cilën ndodhet dikush; diçka e keqe që të mundon, të shqetëson dhe të dëmton etj. (për një punë, situa…
Shfaq përkufizimin e plotë →►KÉQ/EM jovep., ~A (u), ~UR bised. 1. vetv. Bëhem keq; keqësohem, përkeqësohem. U keq nga shëndeti.2. vetv. (me trajtë të shkurtër përemërore) I kanosem a i kërcënohem dikujt me in…
Shfaq përkufizimin e plotë →KEQËSÍM,~I m. 1. Përkeqësimi i shëndetit a i një sëmundjeje; ligie. Keqësimi i shëndetit.2. Acarimi i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve a ndërmjet palëve; përkeqësim, ligështim. Keqë…
Shfaq përkufizimin e plotë →KEQËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj më keq a më të keqe diçka (një punë, një gjendje etj.); përkeqësoj, ligështoj; tukeq. Keqësoi gjendjen. 2. edhe fig., kryes. v. III. Acaron …
Shfaq përkufizimin e plotë →KEQËSÚES,~E mb. 1. Që të keqëson, që shkon keq e më keq, që sjell të këqija; ligështues. Gjendje (situatë) keqësuese.2. gjuh. Që shpreh ngjyrim a konotacion të keq; që thekson më s…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë