Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
KAP vep., ~A, ~UR kal. 1. Zë, prek dikë a diçka me dorë ose me një mjet; e rrok dhe e shtrëngoj diçka për t’u mbajtur, për të mos u rrëzuar etj.; prek; kund. lëshoj. Kap me dorë (me mashë). Kap dikë për këmbe (për mënge, për jake, për flokësh). Kap kalin për freri.
2. E zë përposh dikë dhe e lëndoj; i bie diçka papritur dikujt përsipër dhe e lag, e shtyp etj.; e kapërthej. Ia kapi dera gishtin. Rrota ma kapi këmbën. Na kapi shiu (bora) kur ishim në udhëtim dhe u qullëm.
3. Mezi arrij të takoj një njeri, një kafshë etj., që është duke ecur shpejt a duke vrapuar; e zë dhe përpiqem ta mbaj me qëllim që të mos më ikë a të mos largohet. E kapa qenin (zogun, lepurin). E kapa trenin (autobusin) e arrita trenin (autobusin) pa u nisur. E kapën të arratisurin. E kapën të gjallë (rob). E kapi me grackë (në kurth). Kapi një gjarpër (një peshk).
4. Mbërthej a lidh diçka me një tjetër, duke e qepur me pe, duke e ngjitur me zamkë etj. Kap flokët me karficë. E kap me pe (me gjilpërë, me gozhdë).
5. edhe fig. Arrij të zbuloj dhe të ndaloj dikë që ka kryer një faj, që shkel normat morale; zë një kafshë shtëpiake duke bërë dëme ose diçka të keqe. E kapi duke vjedhur. E kapi mësuesi duke kopjuar. I kapën duke shkelur ligjet (duke kryer korrupsion). Kapi bagëtinë duke dëmtuar të mbjellat.
6. vet. v. III Arrin; përbën. Kap shifrën100. Shpenzimet kapin 5% të buxhetit.
7. edhe fig., kryes. v. III (me një trajtë të shkurtër përemërore). Më zë papritur diçka e padëshiruar dhe pa qenë i përgatitur (një sëmundje, një fatkeqësi, një fiksim etj.); më kapërthen. Na kapi dimri në befasi. E kapi gripi (lia, rrufa, kolla). E kapën të dridhurat (ethet). E kapi dhembja. Bimët i kapi ngrica (bryma). Më kapi frika (tmerri). E kishte kapur uria (etja).
8. edhe jokal., kryes. v. III Ndesh në diçka; prek. Kapi tavanin me kokë u rrit, hodhi shtat menjëherë. Dora i kapi diçka të butë. I kapi koka në tra.
9. edhe fig., kal. Marr a zë një vend të privilegjuar në një klasifikim a në një garë; arrij të fitoj diçka që nuk kisha mundur ta fitoja më përpara. Kap një vend (pozicion) kyç (në punë). Kapi kreun e listës. Kap një post të lartë (në qeveri). Kapi majat e pushtetit.
10. fig. Arrij të kuptoj a kam aftësinë të mësoj shpejt, të përvetësoj diçka ose të zgjidh një problem, një çështje etj. Nxënësi e kapi mësimin (problemin). E kap diçka nga themeli (nga rrënjët). Kapi atë që është më e rëndësishme. Nuk e kapi dot atë që i thashë.
11. dhe jokal. Filloj, nis. Dimri ka kapur me të egër. Nuk dinte nga ta kapte s’dinte nga të fillonte.
12. vet. v. III E përfshin diçka (për një ligj, ndarje administrative etj.). E kapi ligji (amnistia). Atë fshat e kap rrethi (qarku) i Tiranës.
✱Sin.: zë, rrok, ndesh, prek, mbaj, ngërthej, mbërthej, kapërthej, arrij, kuptoj, nis, filloj, përfshin.
♦ E kanë kapur *dallgët (dikë). E kap për *degësh (diçka). Kapet pas *degëve (dikush). I kap (i zë) *dora (dikujt). S’e kap (s’e zë) me *dorë (diçka). E kapën *dridhmat (dikë). S’ka ku ta kapë *ferra (dikë). Ia kap (ia zë) *fillin (diçkaje). S’ia kap (s’ia pret) *fiqiri (dikujt). E kap për *flokësh (diçka). E kapi (e zuri, e mbërtheu) për *fyti (dikë). Nuk i kap *grepi (dikujt). E kapi (e zuri, e mbërtheu) për *gryke (dikë). Ma kap (ma zë, ma ndien, ma heq) *hunda (diçka). E kapi (e zuri) për *jake (dikë). E kapi (e zuri) *kalemi (dikë). Kap çfarë të kapësh përfito nga rasti a nga rrethanat, bëj a merr ç’të mundësh shpejt e shpejt. E kapi (e zuri për *këmishe) (dikë). E kapi (e zuri) ndër *lakra (dikë). S’ia kap (s’ia rrok, s’ia pret *mendja (dikujt). Të kap (të zë) për *mënge (dikush). E kapi (e zuri) për *palltoje (dikë). Nuk ia kap (nuk ia rrok) *pëllëmba (diçka). E kapën ata të *përroit (dikë). S’ka ku ta kapë (ku ta zërë *qeni) (dikë). E kap nga *rrënjët (diçka). S’ma kap (s’ma rrok) *syri (dikë a diçka). Sa të kap (sa të zë, sa të rrok) *syri. E kapi për *sysh (dikë). E kap (e marr) për *veshi (dikë). Më kap (më zë) *veshi (diçka). E kapi (e zuri) nga (për) *veshi (dikë). Kërkon të kapë *erën (dikush). E kapi për *zverku (dikë) shpërf.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë