Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
HYRÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. mit. Vajzë a nuse shumë e bukur, që parafytyrohej sikur qëndronte në parajsë për të bërë më të lumtur shpirtrat e njerëzve; virgjëresha e parajsës. Hyritë e xhenetit.
2. folk. Personazh që përfytyrohet si grua bukur dhe e mirë (figurë në përrallat popullore). Hyria e bukur. Hyria e detit figurë e përrallave, që përfytyrohet gjysma si peshk e gjysma si grua.
3. fig. Grua a vajzë shumë e bukur, që s'e ka shoqen për bukuri; perri.
HYJ,~I m. sh. ~, ~TË 1. fet., vet. nj. Zoti, Perëndia (në besimet monoteiste). Adhuroj Hyjin e plotëfuqishëm që sundon Tokën dhe qiejtë.
2. fet., mitol., edhe sh. Zot, perëndi (sipas besimeve pagane dhe sipas mitologjisë). Hyji ynë është përmbi të gjithë hyjtë.
✱Sin.: Zot, Perëndi, Allah, i Plotëfuqishmi, Fuqiploti, Fuqimadhi, i Gjithëfuqishmi, Krijuesi, Mëshirëmadhi, Hirmadhi, hyjni, perëndi.
HYJ vep., HYRA, HYRË jokal. 1. Shkoj e futem diku brenda, duke ecur a duke lëvizur; futem në një vend të mbyllur a të rrethuar; kund. dal. Hyri fshehurazi (papritur). Hyri zvarrë. Hyri me vrap (me nxitim, me vrull, me forcë, me zor). Hyri në shtëpi (në dhomë, në kasolle, në vathë). Hyri në klasë (në shkollë). Hynë në shpellë. Hyj në oborr (në kopsht, në stadium, në fushë). Hyri në pyll (në kopsht). Vapori hyri në port. Nuk hyjnë rrezet e diellit. Hyri nga dera (nga dritarja). Në barkë kishte hyrë shumë ujë. Era hynte tejembanë. Ku hyn dielli nuk hyn mjeku.
2. Zhytem diku në thellësi, bie brenda në diçka. Hyj në ujë (në lumë, në det, në liqen, në pus). Hyri në baltë. Hyri thellë deri në gju.
3. vet. v. III Ngulet në thellësi te diçkaje; arrin të futet e të vendoset brenda në diçka, e merr a e nxë diçka. Hyri thellë gozhda. I ka hyrë plumbi në mish. Ka hyrë në tokë (huri, urithi). I ka hyrë një gjemb. Thoi ka hyrë në mish. Nuk hyn në xhep s'e nxë xhepi.
4. Futem e zë vend në një mjedis njerëzve a sendesh; ndërhyj për dikë a për diçka. Hyri në mes (ndërmjet tyre). Hyri si pykë. Hyri ndërmjetës (dorëzanë, lajmës). Kjo çështje nuk hyn këtu. Mos hyr në punët e tij.
5. Futem a arrij të depërtoj në një vend ose në një hapësirë (e prek, e shkel a e pushtoj). Hynë në qytet (në fshat). Aeroplani hyri në hapësirën ajrore. Anija hyri në ujërat territoriale.
6. fig. Futem diku, prek një çështje të fshehtë a të panjohur, arrij të zbuloj diçka, futem thellë në diçka, depërtoj thellë, zhytem. Hyri në të fshehtat e dikujt. I hyj në botën e brendshme dikujt. Hyri në temë (në thelbin e çështjes). Hyri në hollësira. Ka hyrë shumë në atë punë. Hyri në mendime të thella.
7. fig. Bie në një gjendje të caktuar; më kap diçka, më zë dhe vij në një gjendje të veçantë shpirtërore a materiale. Hyri në rrezik. Hyri në sherr (në grindje). Hyri borxh (në borxh) mori hua. I hyri frika u frikësua. I hyri lakmia. I hyri meraku për dikë a për diçka u merakos. Na hyri të ftohtët kemi të ftohtë. I hynë të dridhurat (nga të ftohtët, nga frika).
8. vet. v. III Ulet, bie, fundoset. Ka hyrë toka. Kanë hyrë themelet. I kanë hyrë faqet (sytë). I ka hyri gjoksi brenda.
9. vet. v. III Është a bën pjesë diku; përfshihet brenda diçkaje. Hyri në radhë. Hyri në listë. Në këtë përmbledhje hyjnë disa tregime. Kjo fjalë ka hyrë thellë në gjuhë. Sa herë hyn pesa te njëzeta?
10. fig., vet. v. III Futet thellë te dikush a te diçka, përvetësohet nga dikush. I ka hyrë (i është futur) në gjak. Ka hyrë në jetën e përditshme. Hyn në jetë diçka bëhet e zakonshme në jetën a në punën e përditshme. Ka hyrë në modë është bërë e modës.
11. edhe fig. Filloj a nis të marr pjesë në një punë a në një veprimtari diçka; filloj të merrem me diçka; vendos e nis të veproj, i futem a i përvishem diçkaje. Hyj në punë. Hyj në organizatë. Hyj në shoqatë. Hyj në kurs gjuhësh. Hyj në garë. Hynë në bisedime (në kuvend, në marrëveshje). Hyri në lidhje. Hyj në valle. Hyn në përdorim. Ia hyj një pune. Ia hyri me dru nisi ta rrihte. Hyri në vegjë (në tezgjah) nisi të punonte në vegjë. Hyri në govatë nisi të lante rrobat. Hyri në magje filloi të gatuante bukë etj. Ia hyri me drapër nisi ta korrte I hyri me kazmë nisi ta gërmonte. Hyn në fuqi (një ligj).
12. fig., vet. v. III Fillon një periudhë e re kohe; nis një kohë e caktuar. Hyri në të tetin (hyri për tetë) ka filluar moshën tetë vjeç. Hymë në një epokë (në një fazë, në një periudhë) të re. Kemi hyrë në vitin jubilar. Hyri prilli (marsi). Hyri dimri.
13. vet. v. III Tkurret a mblidhet diçka, zvogëlohet, shkurtohet. Kanë hyrë rrobat nga të larët. Ky dok nuk hyn në ujë. Hyn për së gjati (për së gjeri).
14. bised., vet. v. III Perëndon. Hyri dielli (hëna).
15. sport. I ndërhyj; i futem. I hyj me të dyja këmbët.
✱Sin.: futem, zhytem, shkoj, depërtoj, ngulem, nxë, fundoset, përfshihem, ndërhyj, zvogëlohet, shkurtohet, rrufitet, përfshihem, nis, filloj, përvishem, perëndon.
♦ Fishek hyri e fishek doli (dikush) keq. I ka hyrë babëzia (dikujt). Hyj në *binarë. Hyj në *borxh. I hyj (i futem) *brenda (diçkaje). U ka hyrë *bukla. Hyjmë e dalim (me dikë) kemi marrëdhënie të mira, jemi si të shtëpisë; shkojmë e vijmë te njëri-tjetri; japim e marrim; kam hyrje e dalje (me dikë). Si hyri doli (dikush) nuk mori vesh se ç’u bë, nuk kuptoi asgjë; s’përfitoi asgjë; nuk mësoi asgjë; hyri shul e doli lloz (shkoi shul e erdhi lloz); hyri në këtë derë e doli në atë derë; si vajti erdhi. Këtej i hyn andej i del (dikujt) mospërf. nuk kupton asgjë fare, nuk merr vesh asgjë nga ato që dëgjon, nuk përfiton a nuk merr asnjë mësim; s’i mbetet asgjë në mendje; nga një vesh i hyn nga tjetri i del. Më hyri (më zuri) *data. I hyri *dorë. I hyri *dridhma (dikujt). I hynë *të dridhurat (dikujt). Hyri në *dhe (dikush). I hynë *ethet (dikujt). I hynë *ferrat (dikujt). I ka hyrë *fitili (dikujt) bised. I hyj në *fjalë (dikujt). Hyn në *fuqi drejt. Hyri (ra) në *gojë (të dikujt). I ka hyrë *grerëza (dikujt). Hyj në *gjak (me dikë) etnogr. I ka hyrë (i është futur) në *gjak (diçka). Më hyri *gjembi. S’i hyn *gjembi (dikujt). I hyj në *gji (dikujt). Hyri në *gjynah (dikush). I hyri në *hak (dikujt). I hyn në *hesap (dikujt). Nuk hyn (nuk zihet) në *hesap. I hyri në *hise (dikujt). Hyn në *histori (dikush a diçka). I hyn ndër *hundë (dikujt). Hyj në *jetë. Hyn në *jetë (diçka). I hyj me kalem (me *laps) (diçkaje). Nuk më hyn (nuk më futet) në *kaptinë (diçka) bised. Më ka hyrë (deri) në *kockë (diçka). I hyri në *kokë (në krye) (dikujt). Nuk më hyn (nuk më futet) në *kokë (në krye) (diçka). I hyj në *krah (dikujt). I hyri *krimbi (dikujt). I hyri në krye (në *kokë) (diçka). Nuk më hyn në *kut (diçka). I hyj me *laps (me kalem) (diçkaje). Hyj (futem) në *lëkurën (e dikujt). Hyn (futet) në *lojë (dikush). Hyn me *mend e del pa mend (diku). Hyj (futem) në *mes. I hynë *mizat (dikujt). Hyj në *pazar (me dikë). Ia hyj një *të përpjete. I hyri në *pjesë (dikujt). I hynë *pleshtat (dikujt). S’më hyn në *punë (diçka). Hyn (futet) si *pykë (dikush). I hyri *pyllit (dikush). Më ka hyrë në *qejf (dikush a diçka). Nuk më hyn në *qese (diçka). Hyj (futem) në *rol libr. S’më hyn në *sy. I hyri në *sy (dikujt). I ka hyrë *shtati në shtat (dikujt). Më hyri *tartakuti. I ka hyrë *tenja (dikujt). Nuk më hyn në *trastë (në torbë) (diçka). Nuk më hyn në *tru (diçka). I hyri (i vajti) *thellë (dikujt) bised. vulg. Hyn nën *udhë (dikush). S’hyn në *ugar (dikush) keq. Ka hyrë në *ujë (dikush) shaka. Hyn (futet) në *valle (dikush). Hyri në *vathë (dikush). I hyri *vemja (dikujt). I hyri *veremi (për dikë a për diçka) vjet. S’i hyn në *vesh (dikujt). Nga një *vesh i hyn nga tjetri i del (dikujt). I ka hyrë vetja në *qejf (dikujt). Nuk më hyn (gjë) në *xhep. I hyri *zekthi (dikujt). Më ka hyrë në *zemër (në shpirt) (dikush a diçka). Hyri në *zgjedhë (të dikujt). I ka hyrë *zia (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë