Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
HÍDHUR (i,e) mb. 1. Që ka një shije të pikët si të helmit, si të pelinit etj.; që ka hidhësirë; kund. i ëmbël. Kafe e hidhur. Trangull i hidhur. Bar (ilaç) i hidhur. I hidhur si helm (si pelin). E kam gojën të hidhur.
2. fig. Që është plot vuajtje e mundime, me shumë hidhërime, që është shumë i rëndë e i vështirë. Jetë e hidhur. Fat i hidhur. E kaluara e hidhur. Kohë të hidhura.
3. fig. Që të hidhëron, që të bën të vuash shpirtërisht, që të lëndon në zemër e të mundon shumë; që të sjell hidhërime e brenga, që të shkakton vuajtje e mundime; i papëlqyeshëm, i pakëndshëm. Fjalë e hidhur. Lajm i hidhur. Qortim i hidhur. Ngjarje (histori) e hidhur. E vërteta e hidhur. Me pasoja të hidhura. Përvojë e hidhur. Me përshtypjet më të hidhura.
4. fig. Që hidhërohet shpejt, zemërak, hidhërak. Njeri i hidhur.
5. fig. Që shpreh vuajtje shpirtërore a hidhërim. Lot të hidhur. Vështrim i hidhur. Buzëqeshje (psherëtimë) e hidhur. Mendime të hidhura. Ndjenjë e hidhur. Heshtje e hidhur.
6. fig. Që të pret, të than ose që të bën të ndjesh shumë vapë a nxehtë (për motin e ftohtë ose shumë të nxehtë) Të ftohtë (acar) i hidhur. Mot i hidhur. Vapë e hidhur.
✱Sin.: i hidhët, i shtarët, farmak, i helmët, shafran, i helmatisur, hidhërak, hidhtak, i helmuar, i mundimshëm, i pikëlluar, i egër, zemërak, i ashpër.
HÍDHUR ndajf. 1. Në mënyrë të tillë që të shkakton hidhërim e të lëndon zemrën, duke e prekur e rënduar dikë në shpirt; shumë keq, rëndë, ashpër. Flet hidhur. E shau hidhur.
2. Me hidhërim, në mënyrë të brengosur e të pikëlluar, me zemër të lënduar. Qante hidhur. Buzëqeshi hidhur. I erdhi hidhur u prek në zemër e u hidhërua nga diçka që nuk i pëlqeu, i erdhi shumë keq.
3. Me inat dhe zemërim të madh. I rrinte hidhur dikujt.
4. Me të ftohtë të madh që të hyn në palcë, ashpër (për motin). Bëri hidhur dimri sivjet.
✱Sin.: rëndë, ashpër, zemërvrarë, zemërplasur, shpirtlënduar, ashpër, ftohtë.
♦ I erdhi hidhur (diçka) nuk i pëlqeu, u hidhërua nga diçka që nuk e donte, i erdhi shumë keq, u mërzit; u prek.
HIDHURÁZI ndajf. Hidhur.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë