Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
HARDHÍ,~AI f. sh. ~, ~TË 1. bot. (lat. Vitis vinifera) Bimë a shkurre kacavarëse, me trung të hollë e të gjatë, me gjethe të gjera si pëllëmbë, që bën rrush; pema e rrushit; pjergull. Hardhi e mureve. Fidan (kalem, rrënjë) hardhie. Gjethe (fletë) hardhie. Krasit hardhinë. Tenja e hardhisë.
2. bot. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme hardhie. Hardhi e egër (lat. Vitis sylvestris) paraardhës i hardhisë së të kultivuar të rrushit, larushk. Hardhia e luginës (lat. Vitis girdiana) lloj hardhie e egër, që ngjitet në bimë ose struktura të tjera, me gjethe të mëdha të dhëmbëzuara, me sipërfaqe të gjethes shpesh të mbuluar me qime të holla, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile të zbehtë, me fruta si kokrra të vogla të rrumbullakëta, me ngjyrë vjollcë ose blu të errët kur piqen; rrushi i egër i shkretëtirës. Hardhia e malit (lat. Vitis monticola) bimë ngjitëse shumëvjeçare, me fije dredhuese që i mundësojnë të ngjitet mbi pemë e shkurre, me gjethe zakonisht të rrumbullakëta, me anë të dhëmbëzuara, me sipërfaqe të gjethes me ngjyrë të gjelbër të errët në pjesën e sipërme dhe të çelët poshtë, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza të dendura, me fruta si kokrra të vogla me ngjyrë vjollcë ose blu të errët, me lëkurë të hollë, që piqen në fund të verës; rrushi i malit. Hardhia gjembake (lat. Vitis davidii, Vitis armata) bimë drunore shumëvjeçare, me degë të mbuluara me gjemba të vegjël e të mprehtë, me gjethe të rrumbullakëta në bazë, me dhëmbë të thellë në buzë, me sipërfaqe të sipërme me ngjyrë jeshile të errët dhe e poshtmja më e zbehtë, me lule të vogla, jeshile, me fruta si rrush të zinj në pjekje, me lëkurë të trashë dhe shije të thartë. Hardhia e Misirit (lat. Vitis lacinosa) lloj hardhie e egër, shumëvjeçare, që ngjitet me fije dredhuese, me gjethe me lobe shumë të thella, shpesh të ndara gati deri në bazë, me anë të dhëmbëzuara imët, me sipërfaqe me ngjyrë të gjelbër të errët, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë blu në vjollcë, me shije pak të thartë; rrush me gjethe të thelluara. Hardhia gjethepanjë (lat. Vitis acerifera, Vitis doaniana) bimë drunore shumëvjeçare, që ngjitet në pemë ose shkurre, me gjethe të mëdha, me formë të ngjashme me panjën, me sipërfaqe të lëmuar sipër dhe të mbuluar me push gri poshtë, me lule të vogla, me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, në tufëza të gjata, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë vjollcë të errët në të zezë, me shije të thartë. Hardhia gjethezemër (lat. Vitis cordifolia) një lloj rrushi i egër, shumëvjeçar, që mund të arrijë gjatësi deri në 20 metra, me kërcell të hollë dhe të fortë, që kacavaret me dredha, me gjethe në formë zemre, me majë të theksuar, me skaje të imta e të dhëmbëzuara, me faqen e poshtme me push të butë ose pothuajse e lëmuar, me lule të vogla në ngjyrë të gjelbër, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë të purpurt të errët në të zezë, me shije të thartë. Hardhia kalifoniane (lat. Vitis californica) bimë drunore shumëvjeçare, ngjitëse ose përhapëse, me gjatësi deri në 15 metra, me kërcell të hollë, që ngjitet me dredha, me gjethe të mëdha, me sipërfaqe të ashpër, me ngjyrë jeshile, me lule të vogla, me ngjyrë të gjelbër, të grupuara në tufëza, me fruta si rrush sferikë, me ngjyrë vjollcë të errët deri në blu, shumë të ëmbël kur piqen, që konsumohen nga zogjtë dhe kafshët e egra, si dhe përdoren edhe për verë artizanale ose reçel. Hardhia e ranishtes (lat. Vitis rupestris) bimë shumëvjeçare, që rritet më shumë si shkurre e ulët, që formon shtrat të dendur pranë tokës, me gjethe të vogla deri mesatare, zakonisht të rrumbullakëta, me anë të dhëmbëzuara imët, me lule të vogla me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza të dendura, me fruta si kokrra të vogla, me ngjyrë të zezë në vjollcë, me shije të fortë dhe aciditet të lartë. Hardhia e përhime (lat. Vitis baileyana) bimë kacavjerrëse shumëvjeçare, me gjethe me tre deri pesë lobe të theksuara, shpesh me forma të ndryshueshme, me sipërfaqe të sipërme të lëmuar, me ngjyrë jeshile të errët, me lulet të vogla, të mbledhura në tufëza, me fruta të vegjël, të rrumbullakët, me ngjyrë vjollcë të errët, me shije të fortë dhe aciditet të lartë. Hardhia spanjolle (lat. Vitis berlandieri) hardhi shumëvjeçare, ngjitëse ose gjysmë shkurrore, kacavjerrëse, me gjethe të trasha dhe lëkurore, me ngjyrë jeshile të errët, shpesh me sipërfaqe të shndritshme, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza, me fruta me rrush të vegjël me ngjyrë blu në vjollcë, me lëkurë të trashë dhe shumë fara, zakonisht jo të ngrënshëm. Hardhia e zogut (lat. Vitis munsoniana) hardhi shumëvjeçare, lloj i rrushit të egër tropikal, me gjethe të rrumbullakëta, me anë të dhëmbëzuara imët, shpesh me sipërfaqe të lëmuar e me shkëlqim në pjesën e sipërme, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile në të verdhë, të mbledhura në tufëza, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë blu në vjollcë, me lëkurë të trashë dhe shije të ëmbël në të thartë, i ngrënshëm, shumë i përdorur për verë lokale ose reçel. Hardhia e Floridës (lat. Vitis cinerea floridana) bimë kacavarëse, që mund të ngjitet mbi pemë ose shkurre, me gjethe të mëdha, zakonisht me 3–5 lobe, me sipërfaqe me ngjyrë të gjelbër të errët dhe pjesë të poshtme të mbuluar me qime të hirtë ose kafe, me lule të vogla, të verdha në të gjelbër, të mbledhura në tufëza, me fruta të vegjël, me ngjyrë e purpurt të errët, pothuajse të zezë kur piqen, që kanë shije të thartë. Hardhia e Arizonës (lat. Vitis arizonica) bimë gjetherënëse, me gjethe në formë zemre, më dhëmbë të çrregullt, me lule të vogla, me pesë petale të bardha, që rritet në shumëllojshmëri habitatesh; një lloj rrushi i ngrënshëm, i egër, i trashë dhe i zi. Hardhia e Amurit (lat. Vitis amurensis) bimë zvarranike që mbështjell degët e bimëve fqinje, me lëvore të errët, me luspa, me gjethet të forta, vezake ose të rrumbullakosura, të harkuara në bazë. Hardhia e argjendtë (lat. Actinidia polygama, Actinidia volubilis, Trochostigma polygama) bimë gjetherënëse, që mund të arrijë deri në disa metra në fazën e pjekurisë, me lule të bardha, me fruta të vogla, me ngjyrë të verdhë deri në të kuqe, në formë veze, mishtore dhe me shumë fara, pjesa e brendshme e frutave i ngjan kivit të zakonshëm. Hardhia amerikane (lat. Parthenocissus quinquefolia) bimë kacavjerrëse gjetherënëse, me gjatësi deri në 20 – 30 metra, me gjethe të përbëra prej pesë fletëzash, në formë eliptike ose vezake, që kërkon tokën të pasur me lëndë ushqyese dhe lulëzon si në hije ashtu edhe në diell; rrushi me erë. Hardhia e baldosës (lat. Holboellia coriacea) bimë zvarranike, me gjethe të përbëra nga tre fletëza të zgjatura, me tufa lulesh të zbehta me ngjyrë vjollcë, të ndjekura herë pas here nga fruta të gjelbra në vjollcë. Hardhia e çajit (lat. Gynostemma pentaphyllum) bimë kacavarëse, që rritet spontanisht në natyrë, me gjethe të dhëmbëzuara në grupe prej pesë gjethëzash. Hardhia e fierit (lat. Muehlenbeckia complexa) lloj bime me degë të ndërthurura, me numër të reduktuar gjethesh, që formon një masë të dendur, të trashë, me kërcej të hollë, të fortë dhe të drunjëzuar, që zvarriten e mbështillen mbi bimë ose shkëmbinj. Hardhia indiane (lat. Momordica charantia) bimë ngjitëse njëvjeçare, me dredha që kapen në mbështetje, me kërcell të hollë, me brazda të lehta, që mund të arrijë deri në 4 – 5 metra gjatësi, me gjethe të ndara thellë në 5 – 7 segmente, me ngjyrë të gjelbër e me teksturë të butë, me lule me ngjyrë të verdhë, me aromë të lehtë, me fruta të zgjatur dhe me sipërfaqe të valëzuar, fillimisht të gjelbër, pas bëhen me ngjyrë portokalli ose të verdhë në pjekje. Hardhia japoneze (lat. Ampelopsis tricuspidata) urthi i Japonisë; bimë drunore kacavarëse, e ngjashme me rrushine egër, me kërcell të hollë, të degëzuar, që ngjitet me rrënjëza ngjitëse, që fiksohen fort në mure ose trupa pemësh, me fruta si rrush të vegjël sferikë, me ngjyrë blu të errët, me një shtresë dylli, të hidhur dhe helmues për njeriun. Hardhia e kangurit (lat. Cissus antarctica) bimë ngjitëse drunore, gjithnjë e gjelbër, e ngjashme me rrushin e egër, me gjethe të mëdha, ovale deri eliptike, me buzë të dhëmbëzuara, me ngjyrë jeshile të errët dhe shkëlqim të lehtë në sipërfaqe, me lule të vogla jeshile, me fruta si rrush sferikë, me ngjyrë vjollcë të errët në pjekje, të ngrënshëm për zogjtë, por pa vlerë ushqimore për njeriun. Hardhia e katranit (lat. Borhavia diffusa, Borhavia coccinea, Borhavia Repens) bimë barishtore shumëvjeçare, përhapëse ose ngjitëse, që formon një tapet të dendur mbi tokë, me kërcell të hollë, me ngjyrë të kuqërremtë ose jeshil, shpesh i degëzuar dhe i përkulur, me gjethe të thjeshta ovale, deri eliptike, me ngjyrë jeshile në pjesën e sipërme dhe pak më të çelët poshtë, me lule të vogla, me ngjyrë rozë në të purpurt, të mbledhura në tufa të vogla, me fruta të vogla, të ngurta, me sipërfaqe ngjitëse, që ndihmojnë në shpërndarjen e farës. Hardhia e kreshpët (lat. Pueraria hirsuta, Pueraria Thunbergiana) bimë ngjitëse ose zvarritëse, shumëvjeçare, me kërcell të gjatë, që formon rrënjë nyjore, me sipërfaqe të mbuluar me qime të dendura, me gjethe trifletëshe, ovale ose gjerësisht vezake, me lule me ngjyrë vjollcë në të purpurt ose blu të thellë, me fruta në formë bishtaje.
3. zool. Pjesa e dytë e disa emërtimeve të pathjeshta që përcakton disa lloje dëmtuesish të hardhisë. Pleshti i hardhisë (lat. Altica ampelophaga, Altica oleracea) insekt dëmtues që sulmon hardhinë e rrushit, kryesisht gjethet. Merimanga e hardhisë (lat. Tetranychus urticae Koch) një nga dëmtuesit më të përhapur dhe më të rrezikshëm të hardhisë së rrushit, sidomos në periudha të thata e të nxehta. Zhuzhaku i hardhisë (lat. Byctiscus betulae) brumbull karakteristik për vreshtat e Ballkanit dhe Evropës Jugore, i njohur për dëmtimet që shkakton në gjethe, lastarë dhe sytha të hardhisë. Turigjati (hundëgjati) i hardhisë (lat. Otiorhynchus singularis, Otiorhynchus sulcatus) insekte dëmtuese të hardhisë, që njihen për hundën e tyre të gjatë harkore, me të cilën shpojnë dhe dëmtojnë indet bimore të hardhisë, duke ngrënë skajet e gjetheve të reja e duke lënë shenja gjysmërrethore karakteristike. Këpusha e hardhisë (lat. Eriophyes vitis) merimangë mikroskopike, që dëmton gjethet, lastarët dhe sythat e hardhisë së rrushit; këpusha e hardhisë; merimanga e butë e hardhisë.
✱Sin.: pjergull, vilez, rrush.
♦ E bën murrizin hardhi (dikush) e zbukuron jashtë mase diçka, e përshkruan si të përsosur; e paraqet diçka të keqe si të mirë; e bën shterpën pëlle.
HARDHÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Hedhje, gjuajte.2. Kërcim, vallëzim
Shfaq përkufizimin e plotë →HARDHINGRËNË mb., fig. Fatprerë. U trete, moj hardhingrënë, u trete qiri më këmbë (folk.).
Shfaq përkufizimin e plotë →HARDHIÓRE,~T f. kryes., sh., bot. Tërësi shkurresh kacavarëse që bëjnë pjesë në familjen e hardhive.
Shfaq përkufizimin e plotë →HARDHÍSHT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT [HARDHÍSHT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET] 1. Lastar i vogël hardhie. 2. Vend i mbjellë me hardhi, vresht.
Shfaq përkufizimin e plotë →HARDHÍZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT anat., mjek. 1. Emërtim për sëmundjen e tiroideve, të strumës etj. 2. bised., vet. sh. Bajamet. ✱Sin.: bajame, grykë.
Shfaq përkufizimin e plotë →HARDHÍÇ,~I m. Pije e athët freskuese që nxirret nga kokrrat e dëllinjës, që përdoret për të ndihmuar tretjen e ushqimit, si dhe për të qetësuar dhimbjet.
Shfaq përkufizimin e plotë →HARDHÍÇK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. Hardhje e vogël. 2. fig., iron. Ajo që është shumë e lëvizshme dhe e shkathët.✱Sin.: hardhucë, hardhje, hardhi.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë