Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
GÓZHD/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Kunj metali me kokë në njërën anë, që ngulet për të mbërthyer diçka. Gozhdë trarësh (potkonjsh). Gozhdë këpucësh. Fabrikë gozhdësh.
2. fig. Merak i madh që të bren përbrenda; peng. I ka mbetur (ia la) gozhdë (në zemër).
✱Sin.: peronë, shajkë, telishtë, peng.
♦ I bëj sytë gozhdë shikoj me vëmendje dhe i përqendruar për një kohë të gjatë; nuk ia ndaj shikimin; ia ngul sytë (dikujt a diçkaje); ia ngjit (ia qep) sytë (dikujt a diçkaje); nuk ia shkëput (nuk ia heq) sytë (dikujt a diçkaje). I bie gozhdës e potkoit (për diçka) flet vazhdimisht për po atë gjë, ngul këmbë për diçka, po aty e ka fjalën; i bie thumbit (e potkoit). Për një gozhdë shkoi potkoi për diçka fare të vogël humbi a vajti dëm diçka e madhe; për një potkua shkoi kali. Gozhda e Nastradinit iron. diçka që dikush e lë varur, të pambyllur, me qëllim që të ketë të drejtë të ndërhyjë sa herë të dojë. Gozhdë e ndryshkur keq. njeri i pazoti e i pavlerë; pushkë e lagur (dyfek i lagur) mospërf. E kam gozhdë në zemër (në shpirt) (diçka) e kam merak të madh, që më bren përbrenda e nuk më hiqet; e kam peng në zemër; e kam thikë në zemër; e kam brengë në zemër. (E kërkoi) si *breshka gozhdën (dikush). E mbath kalin pa gozhdë (dikush) iron. shih heq (tërheq) buallin nga bishti (dikush) keq. I ngeci *sharra në gozhdë (dikujt). Ngriti *këmbën e nguli gozhdën (dikush). I mbeti gozhdë (diçka) i bëri përshtypje të madhe, nuk e harron, e ka merak derisa ta shlyejë; i mbeti kunj; i mbeti peng (në zemër). E mbërtheu me gozhdë. 1. (diçka). E tha diçka në mënyrë plotësisht të vendosur, e nguli mirë dhe e bëri si të paluajtshme. 2. (dikë). E zuri në fjalë, e bëri të heshtë e të nënshtrohet me arsye të forta, s’ka nga luan; e vuri me shpatulla pas murit. Na nallban një gozhdë! tall. ia bën të keqen vetes, dëmton veten, mbi të bie çfarë bën; vetë e ka fajin; vret veten me gishtin e madh. I ngeci *sharra në gozhdë (dikujt). Ngul gozhdë (dikush) të thumbon keq me fjalë, të shpotit në mënyrë therëse; i hedh (i fut) thumba (dikujt). Njëri i bie gozhdës (thumbit) e tjetri potkoit secili bën sipas kokës së vet, nuk veprohet në mënyrë të bashkërenduar e të harmonishme, nuk ka mirëkuptim, nuk merren vesh njëri me tjetrin; njëri i bie kudhrës e tjetri çokut (çekiçit); unë për lisa e ti për fshesa; ku i bie daulles unë e ku e hedh vallen ti! *Pilaf me gozhdë tall. Pres gozhdë (thumba) mërdhij shumë, ngrij së ftohti, dridhem e më kërcasin dhëmbët nga të ftohtë. Rri mbi gozhdë nuk jam i qetë, i lirshëm a i shkujdesur; nuk rri dot në një vend; kam një hall të madh që më mundon e nuk më lë të qetë; rri mbi gjemba; jam (rri) në (ndër) grepa. Në vend që t’i bjerë gozhdës (thumbit), i bie potkoit (dikush) nuk qëllon aty ku duhet, nuk thotë a nuk bën atë që duhet. I zuri *sharra në gozhdë (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë