Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
GAZ,~II m. sh. ~E, ~ET dhe ~RA, ~RAT 1. Lëndë a substancë, zakonisht pa ngjyrë dhe e padukshme, pa formë dhe pa vëllim të përcaktuar, që përhapet lehtë e mbush plotësisht çdo hapësirë apo enë. Gazi natyror nxirret nga nëntoka dhe përdoret për djegie a për ndriçim. Disa substanca çlirojnë gaz. Gaz i rrallë (fisnik). Gaz i thatë (i lëngshëm). Gaz i plogët gaz që nuk bashkëvepron a nuk lidhet kimikisht me lëndë të tjera. Gaz karbonik. Gaz sulfuror. Gaz metan. Gaz natyror. Gaz i djegshëm (ndriçues). Gaz lotsjellës (helmues). Gazrat e naftës. Gazi i minierave (i kënetave). Gaz pa ngjyrë (me ngjyrë). Vetitë e gazit. Lëngështimi i gazit. Shkëmbimi i gazeve. Ujë me gaz. Balonë me gaz. Stufë me gaz. Pianurë me gaz. Bombël gazi. Ngrohje me gaz. Mbush me gaz. Punon me gaz. Dhoma e gazit dhomë e ndërtuar enkas për ekzekutime masive, ku viktimat futeshin me forcë dhe vriteshin përmes lëshimit të gazrave helmues (hist.).
2. Lënda djegëse e lëngët (benzinë, naftë etj.), e cila futet në trajtë piklash në motorët e ndryshëm dhe digjet aty për t’i vënë këta në lëvizje. I jap gaz (i pakësoj gazin) motorit i jap shpejtësi a fuqi (i ul shpejtësinë a fuqinë) motorit. Shkel gazin shkel një këmbëz të posaçme për t’i dhënë motorit të automjetit më shumë lëndë djegëse.
3. vet. sh. ~RA, ~RAT Lëndë në trajtë të gaztë që dalin nga stomaku a nga zorrët; pordhë. Gazrat e stomakut (e zorrëve). Ka gazra.
4. bised. Vajguri. Llambë (kandil) me gaz. Enë për gaz.
5. krahin. Bishtuk me vajguri. Ndez (shuaj) gazin.
♦ Ia shkel gazit (në dërrasë) 1. Iki me vrap, nis të nxitoj shumë, vrapoj, shpejtoj; ia mbath me të katra; (vrapoj) sa më hanë këmbët; ia jap (ia ther) vrapi. 2. Ngutem shumë në një punë dhe e bëj pa kujdes e keq, nuk vë re për cilësinë; tregohem i nxituar e i pamatur në një veprim. Qet (hedh) gaz në gaca (dikush) shih i hedh benzinë zjarrit (dikush).
GAZ,~III m. 1. Ndjenjë gëzimi e kënaqësie; gjendje e gëzueshme; gëzim. Gaz i madh (i papërshkrueshëm). Gazi i punës (i fitores). Lotë gazi. Gjithë (plot) gaz e hare. Ndien gaz. Këndon me gaz. Fluturonte nga gazi. I sjell gaz. E kemi për gaz të vdesim për vendin tonë.
2. Të qeshura të forta e me zë të lartë që shprehin gëzim; e qeshur. Me buzë në gaz (me gaz në buzë) duke qeshur, me gëzim, buzagaz. Shkrihet (shkulet, vdes, fiket) gazit qesh me të madhe. Mbaj gazin. Krisi (pushoi) gazi. Ia plasi gazit. I hipi gazi. Vë (çoj shpie, bëj) buzën në gaz qesh pak, buzëqesh. Iu tha gazi në buzë pushoi menjëherë së qeshuri nga diçka e papëlqyer që i erdhi papritur.
3. edhe sh. ~E, ~ET Ngjarje e shënuar që i sjell njeriut gëzim e kënaqësi, rast i gëzueshëm; festimi i kësaj ngjarjeje; gëzim. Gazi i parë (i fundit). Gaz për derë! (ur.) Për gaz e për të mira! (ur.) Qoftë për gaz! (ur.) U mblodhën për gaz (për gazin e fëmijës). Kemi shumë gaze përpara.
4. bised. Dikush a diçka që na sjell gëzim e kënaqësi të veçantë. Gazi i zemrës (i prindërve, i nënës). Ai është gazi i shtëpisë.
5. Shaka, tallje, hoka; shpoti. Bën gaz me shokët. Vë në gaz dikë. E pati me (për) gaz. Foli për gaz. U bë për gaz. U bë gazi i botës (i dheut, i shoqërisë).
6. Qejf, zbavitje, dëfrim. Udhëtonte për gaz e jo për punë.
7. bised. Çifti që martohet (dhëndri dhe nusja). Gazi të trashëgohet! ur.
✱Sin.: gëzim, e qeshur, shpoti, shaka, tallje, hoka, shpoti, qejf, zbavitje, dëfrim.
♦ U bë gazi i botës (dikush) u bë qesharak, e tallin dhe e përqeshin të gjithë; u bë lojë; u bë beja e dheut. Gaz paç! (ur.) qofsh gjithnjë i gëzuar! Për gaz të tokës (të dynjasë) shumë keq; për faqe të zezë. Gazi i zemrës njeri shumë i dashur e i dëshiruar; njeri që na jep gëzim. I ngriu gazi në buzë (dikujt) i iku menjëherë gëzimi nga një e keqe e papritur, ngriu, u pre. Ia plasi (ia dha) gazit (dikush) qeshi me të madhe; u shkul së qeshuri; mban hijet me dorë. E vë buzën në gaz buzëqesh; qesh lehtë; iron. qesëndis.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë