Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
GËNJ/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. kal. I them dikujt diçka që s’është e vërtetë, i them dikujt gënjeshtra për të fshehur me vetëdije të vërtetën ose për ta mashtruar. Gënjejnë njëri-tjetrin. Nuk të gënjej. E gënjeu pa dashje (pa qëllim). E gënjeu sy ndër sy.
2. jokal. Nuk them a nuk tregoj të vërtetën, them gënjeshtra, them gjëra të paqena për dikë a diçka. Gënjen shpesh (pa masë, pa pikë turpi). Pse gënjen? Nuk di të gënjejë. E ka zakon të gënjejë. Mos gënje!
3. kal. Josh dikë me fjalë të bukura a me sjellje jo të çiltra për ta bërë për vete e për të përfituar diçka prej tij; mbaj, ushqej dikë me shpresa të kota e me premtime; ia bëj me hile, ia hedh dikujt; pres në besë dikë, shkel fjalën a premtimin që i kam dhënë dikujt; mashtroj. Gënjej armikun (kundërshtarin). E gënjen me shpresa (me fjalë). Gënjen veten mbahet me shpresa të kota.
4. kal. Bëj që dikush ta marrë dikë a diçka jo ashtu siç është në të vërtetë, bëj që të gabohet, e gaboj. Syri të gënjen. E gënjeu mendja. Na gënjeu pamja. E gënjyen veshët. Të gënjejnë shpresat.
5. kal. I tregoj ose i jap diçka dikujt që beson lehtë (zakonisht një fëmijë) për ta zbavitur, për ta pushuar kur qan etj.
6. sport., kal. E mashtroj kundërshtarin me top për t’iu shmangur ose për t’i kaluar përpara, dribloj.
♦ E gënjen (e rren) *mendja (dikë). Më gënjejnë (më gabojnë) *sytë. Më gënjejnë (më bëjnë) *veshët. Gënjen *veten (dikush).
✱Sin.: gënjej, mashtroj, mbaj, tall, shkel, rrej.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë