Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
FORMÚAR (i, e) mb. 1. Që ka marrë formën e vet; që ka arritur zhvillimin e duhur. Trup i formuar.
2. Që është formuar nga ana botëkuptimore, politike, kulturore, profesionale etj., që ka marrë një edukatë të caktuar, që ka një zhvillim të përgjithshëm e të plotë, që ka përgatitje të gjithanshme e njohuri të thella; kund. i paformuar. Dijetar (mësues, artist) i formuar.
3. Që ka fituar tiparet themelore; i fortë e i qëndrueshëm, i kalitur (për karakterin, për vullnetin etj.). Njeri me karakter të formuar.
✱Sin.: i mbrujtur, i brumosur, i përgatitur, i fortë, i kalitur.
FORM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I jap një formë të caktuar diçkaje; derdh në kallëp, prodhoj sipas formave a modeleve të ndryshme. Formoj tulla (blloqe betoni).
2. Themeloj, krijoj një organ, një institucion etj. Formoi qeverinë e re. Formoj një komision të përkohshëm.
3. Bëj diçka të re, krijoj; bëj. Formoj fjalë të reja.
4. Bëj një figurë gjeometrike, vizatoj diçka. Formoi disa drejtkëndësha.
5. v. III Krijon, bën; zë diçka (një kore, një cipë etj.); vë. Bima formoi rrënjë. Lumi formon një kthesë.
6. Pajis dikë me një botëkuptim dhe edukatë të caktuar; e bëj të fitojë tiparet themelore të karakterit, sjellje e shije të caktuara; i jap njohuri të përgjithshme a të veçanta kulturore, shkencore etj.; edukoj dikë nëpërmjet shkollës, nëpërmjet praktikës dhe nëpërmjet jetës shoqërore; e përgatit a e zhvilloj dikë në mënyrë të gjithanshme. Formuam studentë të aftë.
7. E bëj diçka të fitojë tiparet themelore; e bëj të fortë e të qëndrueshëm, e kalit; e përsos. Formoj ndërgjegjen.
8. Bëj që të lindë e të ngulitet diçka në mendje; krijoj. Formuan bindje. Formoi një mendim.
9. v. III Është; përbën. Disa toga formojnë një kompani.
✱Sin.: krijoj, themeloj, prodhoj, ngre, mbruj, brumos, bëj, vizatoj, ndërtoj, edukoj, përsos, jam, përftoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë