Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
FÓLUR,~IT (të) as., gjuh. 1. Aftësia e njeriut për të folur; vënia e kësaj aftësie në veprim; shprehja e mendimeve me anë të gjuhës; veprimtaria ligjëruese; e folura. Organet e të folurit. Zhvillimi i të folurit.
2. Gjuha si e flasim, ligjërimi gojor; gjuhë. Kultura e të folurit. Të folurit dhe të menduarit.
3. Mënyra se si flet a se si i shqipton dikush fjalët e një gjuhe; mënyra se si i shpreh dikush mendimet e tij me fjalë, si u drejtohet të tjerëve ose si merret vesh me ta. Të folur i shpejtë. Të folur teatral. Të folur skenik mjeshtëria artistike e të folurit në skenë, fjala artistike. Të folur me thumba.
✱Sin.: gjuhë, fjalë, ligjërim, gojë.
FLAS vep., FÓLA, FÓLUR 1. jokal. Nxjerr me anë të organeve të të folurit tinguj të artikuluar dhe formoj fjalë e fjali për të shprehur e për të kumtuar mendimet, shqiptoj fjalë; kam aftësinë natyrore për të shqiptuar fjalë; i shqiptoj tingujt e fjalët në një mënyrë të caktuar; shprehem në një gjuhë të caktuar, zotëroj një gjuhë. Flas shqip. Flet anglisht (frëngjisht, turqisht). Flet me zë të ulët (me zë të lartë). Flet qartë. Nuk di (nuk ka filluar) të flasë.
2. jokal. Shpreh me fjalë një mendim, një gjykim etj.; i drejtohem dikujt me fjalë; them; zë në gojë, përmend. Flas të drejtën (të vërtetën). Flet fjalë me vend. Flet gënjeshtra. Flet qartë (mirë, keq, kot, hapur, përçart). Flet shumë. Flet rrjedhshëm. Flet pa gabime. Flas me bindje. Flas me shaka. Foli me zemërim. Flet me vete. Flet nëpër dhëmbë. Mos e fol atë fjalë! Çfarë flet ashtu?
3. jokal. Marr fjalën në një mbledhje, mbaj një fjalim para disa njerëzve; zhvilloj një temë, trajtoj a shtjelloj diçka; shpreh para të tjerëve pikëpamjet e mia ose diskutoj për diçka. Flas në mbledhje (në konferencë). Flas në radio (në televizion). Na foli gjatë. Foli pa letër.
4. jokal. Hyj në bisedë me dikë, bisedoj me dikë për një çështje. Foli me shokët. Flas me telefon. Folën për të gjitha çështjet. Kemi shumë për të folur.
5. jokal. Bisedoj me të tjerët gojë më gojë për dikë a për diçka, marr nëpër gojë. Flet bota. Për këtë flisnin të gjithë. Për të flet tërë fshati.
6. jokal., bised. Bëj fjalë, grindem a zihem me dikë, përflitem. Folën e u përfolën.
7. jokal. Tregoj a shpreh me shkrim, bëj fjalë për diçka. Artikulli flet për çështje me rëndësi.
8. jokal., vet. v. III, fig. Shpreh a shfaq diçka pa fjalë, me shenja, me lëvizje; provon; dëshmon; tregon. Flisnin sytë e saj. Vështrimi (qëndrimi) i tij fliste më shumë. Flasin faktet.
9. kal., bised. Shqiptoj, shpreh me fjalë. Fëmija foli fjalën e parë. Foli fjalë me vend. Flas të drejtën.
10. kal., bised. I bëj zë dikujt, e thërras; ftoj. Foli djalit! I flas në emër. Foli të vijë!
11. kal., bised. Ngushëlloj dike në rast vdekjeje. Shkova për t’i folur.
12. kal. I pëshpërit diçka në vesh dikujt; e nxit, e shtyj kundër dikujt. I flisnin të tjerët.
13. jokal. Tregoj a shpreh me shkrim, bëj fjalë për diçka. Autori flet për çështje të rëndësishme.
14. Di të përdor; zotëroj. Flet disa gjuhë.
15. Këshilloj; qortoj me fjalë; i bëj zë; thërras; ftoj. Do t’i flas unë. Mjaft i fole djalit. I foli në emër. Më foli për darkë.
16. Pëshpërit në vesh (diçka dikujt); e nxit, e shtyj (dikë) kundër dikujt. I flisnin të tjerët në vesh.
✱Sin.: shqiptoj, fjalos, fjaloj, fjalëtoj, llafos, them, shpreh, bëzaj, bisedoj, kuvendoj, qortoj, thërres, thërras, ngushëlloj, pëshpërit, tregoj, dëshmoj, vendos.
♦ Flas pa perde flas hapur, pa rezerva. I flas derës të dëgjojë qilari. I bie pragut të dëgjojë dera. E bëj të flasë me *vete (dikë). Flasim gjuhë të ndryshme nuk merremi vesh. Flasim me nge. Flasim shtruar. Flet me *bark (dikush). Flet në *erë (dikush). Flet në *hava (dikush). Të foltë (të këndoftë) *hoxha! mallk. Flet *imët (dikush). Flet (është) *kaluar (dikush). Flet pa *kapistër (dikush). Flet (është) pa *leqe (dikush). Kur të flasin *lopët iron. Flet në *mulli (dikush). I flet *murit. Fol o gur, fol o mur. Fol me *murin! keq. Flas *ndryshe (me dikë). Flet si pasnesër flet kot, pa përgjegjësi. Flet *përçart (dikush) keq. Të foltë (të këndoftë) *prifti! mallk. (Është) fol e qesh (dikush) është gazmor e i dashur, është shumë i gjallë e i shkueshëm me të gjithë; (është) buzë më buzë. Flet e shflet (dikush) nuk e bën atë që thotë; nuk e mban fjalën; premton kot; e dredh (e përdredh) fjalën. Flet në *tym (dikush). Flet në çdo *udhëkryq (dikush). Vetë flet e vetë dëgjon (dikush) s’e dëgjon asnjëri, nuk ia vë veshin askush; flet kot; është llafazan. Kija inatin dhe foli hakun. Kija matin po hakun mos ia ha. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt sido që të jetë, duhet të themi të vërtetën. Vetë flet, vetë dëgjon s'e dëgjon asnjeri; flet kot.
FÓLUR/A (e) f. Të folurit. E folura te fëmijët. E folura në publik. E folura në gjumë.
Shfaq përkufizimin e plotë →FÓLURI (së) ndajf. Përdoret pas një foljeje. Nuk pushon (resht) së foluri.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë