Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
EII 1. Nyjë e përparme e emrave në rasën gjinore, e emrave dhe e mbiemrave të nyjshëm, e numërorëve rreshtorë dhe e disa përemrave. Vajzë e mirë. Fushat e gjera. Lugina e Drinit. Librat e studentëve. E reja nga Elbasani. Nga e hëna tek e diela. Klasa e parë (e dytë, e pestë). E mira s’ka fund. (fj. u.). Erdhën të gjitha shoqet e saj. Shprehu mendimin e vet. Thirri djalin e madh. I këshilloi djemtë e tij (e tyre).
2. Nyjë e përparme me kuptimin e përemrave pronorë të vetës së tretë të numrit njëjës, e cila përdoret me emrat femërorë që tregojnë lidhje gjaku a gjinie ose lidhje familjare; e tij, e saj. E ëma. E bija. E motra. E mbesa. E emta. E vjehrra. E shoqja. E kunata. E kushërira.
EIV lidh. 1. Përdoret për të lidhur dy përbërës të të njëjtit lloj në një fjali ose dy fjali të bashkërenditura këpujore; dhe. Të rinj e të reja. Bukë e kripë. Ha e pi. Shkoi e u kthye shpejt. Të ndalonte e të fliste me mirësjellje.
2. Përdoret për të lidhur dy fjalë të së njëjtës klasë (dy emra, dy folje, dy ndajfolje, dy mbiemra etj.) që tregojnë përsëritje ose vijimësi veprimi a gjendjeje, përforcimin e një tipari etj. (në lidhjet me bashkërenditje); dhe. Tani e tutje. Vetëm e vetëm që të fliste. Një herë e përgjithmonë. Rreth e rrotull. Për orë e orë të tëra. Keq e mos më keq. Mirë e më mirë. Ec e ec e s’ka të sosur. Bie e fle. Zë e gërhet.
3. Përdoret për të theksuar një fjalë, një grup fjalësh a një fjali që ka kuptim pak a shumë të kundërt me diçka që është thënë më parë; dhe, edhe. Duhet punë e jo fjalë. Duhej t’ia kishe thënë e jo të heshtje.
4. Përdoret për të treguar rezultatin e një veprimi; pastaj, atëherë. Hidhi ngjyrë të kuqe së verdhës e do ta shohësh çfarë do të ndodhë. Jepi një kitare e ai do të të habisë.
5. Përdoret në fillim të një fjalie për të dhënë një koment shtesë në lidhje me atë që është thënë pak më parë. E sot fshati duket si në festë. E u nis pastaj tërë gëzim.
6. Përdoret te numërorët e pathjeshtë për të lidhur dhjetëshet me njëshet, qindëshet me dhjetëshet, mijëshet me qindëshet e kështu me radhë. Dyzet e nëntë. Njëqind e shtatëdhjetë e pesë. Dy mijë e njëzet e pesë.
✱Sin.: dhe, edhe, pastaj, atëherë.
EV pj., bised. 1. Përdoret në fillim të një fjalie pyetëse për të theksuar më shumë pyetjen ose për të tërhequr vëmendjen e bashkëbiseduesit; hë. - E, do të vish? - E, si thua, nisemi? - E? - pyeti ai përsëri.
2. Përdoret për të pohuar a për të miratuar diçka; po. - Nesër do të shkosh? - E, nesër.
✱Sin.: hë, po.
EVI pasth. 1. Përdoret kur shprehim habi, kur ndodhemi para diçkaje të papritur a të padëshirueshme, kur kujtohemi papandehur për diçka etj.; o. - E, kush na erdhi! - E, si e paskan prishur! - E, si nuk e lajmëruam që dje!
2. Përdoret kur shprehim ndjenja (gëzim, kënaqësi, keqardhje, zemërim, pikëllim, dëshpërim etj.) ose qortim, miratim etj.; ah, hë. - E, më ju lumtë dora! - E, t’u bëftë nëna! - E, sa u gëzova kur të pashë! - E, ç’e gjeti të ziun! - E, mor i shkretë!
✱Sin.: o, ah, hë.
Ë pj. 1. Përdoret zakonisht në fund të fjalive pyetëse për të përforcuar pyetjen. - Ashtu mendon ti, ë? - Atëherë kush duhet të përgjigjet për atë, ë? - S’të vjen mirë, ë? - Ë, si the?
2. Përdoret zakonisht në fund të një fjalie kur shprehim habi, ironi, qesëndi, mospërfillje, zemërim, miratim etj.; a. - Nuk do të vijë, ë? - Nuk ta dha, ë? - E ditka edhe ai, ë?
3. bised. Përdoret zakonisht veçan, kur kërkojmë të përsëritet një pyetje ose një mendim që nuk është dëgjuar mirë. - Ë? Flisni edhe një herë ju lutem, se nuk e dëgjova!
Ë pasth. 1. Përdoret (zakonisht e përsëritur a e zgjatur) për të shënuar zërin që del kur qajmë ose kur rënkojmë; ëh. Bënte ë, ë, ë.
2. Përdoret kur shprehim kënaqësi, miratim etj. ose për të përforcuar shprehjen e këtyre ndjenjave. - Ë, sa mu bë qejfi!
3. Përdoret kur kujtohemi papritur për diçka. - Ë, po, m'u kujtua tashti.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë