Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
►DRÍDHEM jovep., DRÓDHA (u), DRÉDHUR 1. vetv., vet. v. III Rrotullohet vetë disa herë rreth vetes në një drejtim e shtrëngohet; përdridhet; kund. zhdridhet. U drodh peri (filli, litari). Iu drodh gjalmi.
2. bised., vetv. Rrotullohem në një drejtim, rrotullohem nga njëra anë në tjetrën, kthej trupin, kthehem. U drodh majtas (djathtas). Dridhet e përdridhet.
3. vetv., vet. v. III Merr trajtë të valëzuar, bëhet dredha-dredha; përdridhet. Kanë filluar t'i dridhen flokët.
4. bised., vetv. Ndërroj a kthej rrugën, lë rrugën që kam nisur e marr një tjetër, kthehem, dredhoj. U drodh nga e majta. U drodhën prapa kodrës.
5. vetv., vet. v. III Lëviz shpejt e shumë herë, bën lëkundje të shpeshta, ka dridhje. Dridhen gjethet e pemëve. Dridhet teli. I dridhet dora. I dridhej buza (mjekra). I dridhen gishtërinjtë. Dridhet si purteka në ujë. Dridhet flaka.
6. vetv. Me zënë të dridhurat, rrëqethem (nga ethet, nga të ftohtët etj.); kam të dridhura a rrëqethje në trup nga një ndjenjë e fortë; fig. drithërohem. Dridhej nga të ftohtët (nga ethet). Dridhej nga inati (nga dëshpërimi, nga frika). Dridhej për të birin.
7. edhe fig., bised., vetv. Tundet që nga themelet diçka, tundet a lëkundet fort, tronditet; më zë një frikë e madhe, më hyjnë dridhmat, trembem shumë. Dridhej toka prej tij. Dridhej para tij.
8. vetv., vet. v. III Del duke lëvizur lehtë më lart e më poshtë se toni kryesor, ngrihet e ulet pak (për zërin). I dridhej zëri nga mallëngjimi (kur këndonte).
9. vetv., vet. v. III Jep një shkëlqim herë të fortë e herë të dobët, vezullon. Dridheshin yjtë. Dridhet drita. Në sy i dridhej një dritë.
10. pës. e DREDH.
✱Sin.: përdridhem, spërdridhem, fërfërij, endem, shalakatem, dridhtohem, rrëqethem, ngjethem, përqethem, puprrohem, purtekem, tronditem, tmerrohem.
♦ Nuk i dridhet *bebja e syrit (dikujt). I dridhet *buza (dikujt). Nuk i dridhet *dora (dikujt). M’u drodhën *flokët. I dridhen *gjunjët (dikujt). I dridhen *këllqet (dikujt). I dridhen *këmbët (dikujt). M’u drodh *këmisha (në trup, në shtat). I dridhen *leqet (e këmbëve). M’u drodh (m’u ngjeth, m’u rrëqeth) *mishi (mishtë). I dridhet *mjekra (dikujt). Nuk i dridhet *pushka (dikujt). Nuk i dridhet (nuk i luan, nuk i lëviz) *qepalla (qerpiku) (dikujt). S’më dridhet *qimja. M’u drodhën *qimet e kokës. Nuk i dridhet (nuk i lëviz, nuk i luan) *syri (dikujt). M’u drodhën *telat e zemrës. Më dridhet (më përpëlitet) *zemra (shpirti) (për dikë a për diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë