Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
DÍTUR (i, e) mb. 1. Që dihet prej të gjithëve, që e njohin të gjithë, i njohur kund. i paditur. Gjë e ditur. Është e ditur. Ia bëj të ditur dikujt e njoftoj, ia bëj të njohur, e vë në dijeni.
2. Që ka njohuri të gjera e të thella në një fushë a në disa fusha, që di shumë; që është shumë i aftë e i zoti në punën e vet; i mençur; kund. i paditur. Njeri i ditur. Është shumë i ditur.
DI vep., ~TA, ~TUR kal. 1. Kam njohuri pak a shumë të plota ose të veçanta për diçka, e njoh mirë diçka pasi e kam parë, e kam dëgjuar, e kam studiuar etj.; e kam mësuar diçka, e zotëroj. Di dy gjuhë. E di drejtshkrimin. E di mirë shqipen (frëngjishten, anglishten...). E di mirë rolin. E di zanatin e vet. E di përmendsh (ujë, për fije, në majë të gishtave, me sy mbyllur) e di shumë mirë. S’e di si duhet. Aq di, aq bën. Më mirë të dish se të kesh. (fj. u.). E di gomari ku e vret samari. (fj. u.). E di mesi se ç'ka thesi. (fj. u.). Njeriu që nuk di, turbullon ujin që pi. (fj. u.). E di mirë se kush është. S’di gjë ende. Se di pse u zemërua. Do të dijë gjithçka. E di gjendjen. Siç e di... S’di ç'të them. S'e di ç'kanë vendosur. Me sa di unë nga të dhënat a njoftimet që kam unë, nga ç'kam dëgjuar e ç'kam marrë vesh unë. - E di rrugën? - Di ndonjë mënyrë tjetër?
2. Jam i zoti për të bërë diçka, kam aftësitë e shprehitë e nevojshme për t'i dalë në krye një pune (me një folje në mënyrën lidhore). Di të lexojë (të shkruajë, të vizatojë). Di të notojë. Di t'i bjerë violinës (çiftelisë, pianos...). Di ta rregulloj (ta ndreq). Di të drejtojë (të udhëheqë). Di të sillet. Di të jetojë. Di të arsyetojë. Di ta përmbajë veten. Nuk di të lidhë dy fjalë (bashkë) s'është i aftë t'i shprehë qartë mendimet, mezi flet.
3. Jam i vetëdijshëm për diçka, e kuptoj mirë diçka, ia njoh vlerën e rëndësinë, e çmoj; ruaj masën a kufijtë. Di se ç’bën. E di detyrën time. Ia di vlerën. E di vendin tim. E di masën. As vetë s'e di se ç'kërkon. E di, ai ka shumë punë, por... Kur s’e ke një gjë, atëherë ia di kimetin. (fj. u.).
4. E njoh, e kam provuar a e kam përjetuar diçka. S’e di ç’është rakia (duhani). E di ai ç’është varfëria (uria). S’dinte ç’ishin përkëdheljet. S’dinte të ngopur nuk ngopej kurrë.
5. edhe jokal. Jam në gjendje të kuptoj diçka, marr vesh; kuptoj. Di diçka nga muzika (nga piktura). E bëri pa e ditur. S’ditën nga ikën ikën të shpërndarë. -E di ç’të bëj unë?
6. zakon. moh. (edhe me foljen dua). Nuk i nënshtrohem diçkaje a dikujt, nuk pyes për të, nuk e përfill, nuk trembem, nuk thyhem; nuk merrem kurrë me diçka, nuk e bëj asnjëherë diçka. Nuk di ç’është frika nuk ka frikë fare. S’di ç’është rreziku. Nuk di ç'është gënjeshtra nuk gënjen kurrë. Nuk di ç’është pushimi nuk pushon asnjëherë. Nuk do t’ia dijë nga të ftohtët (nga shiu, nga dëbora, nga balta). S’donin t’ia dinin. Ku do t'ia dijë ai!
7. Pandeh, kujtoj; besoj; mendoj. E dinin njëri-tjetrin të vrarë. E kam ditur njeri me mend. E dinim për njeri të mirë. Unë kështu e dija.
8. Ngulit në mend; mësoj. - Dije mirë. – T’i dish numrat përmendsh. - Dije se ai është shoku im.
✱Sin.: njoh, çmoj, kuptoj, pandeh, kujtoj, besoj, mendoj, mësoj.
♦ Një *avaz di (dikush). S’di tjetër *avaz (dikush). E di edhe *bufi! (diçka) tall. Ia di (ia njoh) *burmat (dikujt a diçkaje). I di *bytha (dikujt) tall. vulg. Ia di *çarkun (dikujt). Nuk di *fjalë (dikush). Ia di *gjuhën (dikujt). E di Gjoni çfarë ka *trasta (thesi). S’di *këngë tjetër (dikush). Ia di *kimetin (dikujt a diçkaje). Kjo *kockë e di! I di *koka (dikujt). Ia di *kokën (dikujt). S’di *ku të futet (dikush). Nuk di (nuk njeh, nuk ka) *kufi (dikush a diçka). I di *lëkura (dikujt). Ku ta dish? ndoshta, mbase. Di ku *shkel (dikush). E ku di unë … mospërf. e të tjera të tilla; e plot të tjera, që s’kanë rëndësi, që s’më interesojnë. E di ç’ke ti? fj. ndërm. përdoret për t’i tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit, kur i themi për një punë a kur e këshillojmë për diçka. *Djalli (dreqi) e di (e merr vesh)! bised. Dreqi (*djalli) e di (e merr vesh)! bised. Nuk *do t’ia dijë (dikush a diçka). S’do t’ia dijë (s’dëgjon) nga ajo *anë (dikush). E di edhe *lopa (diçka) tall. Nuk di *llafe. Ia di për *të mirë (dikujt). Ia di për *nder (dikujt). Ia di *pirrën (dikujt). I di *rradakja (dikujt) bised. Nuk ia di *skajin (diçkaje). Di ku *shkel (dikush). Ia di mirë *shtegun (shtigjet) (diçkaje). Nuk ia di *tymin (dikujt a diçkaje). Ia di (ia njoh) *vidhat (dikujt a diçkaje). Ia di *vlerën (dikujt a diçkaje). Një *Zot e di!
DITURÁK,~E mb. Dituror. Vepër (revistë, fletore) diturake. Shoqëri diturake.
Shfaq përkufizimin e plotë →DITURÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Tërësia e njohurive të fituara me studime e në praktikë; tërësia e njohurive që kemi në një fushë a për diçka, shkalla e njohjes së diçkaje; dije; kund. …
Shfaq përkufizimin e plotë →DITURÓR,~E mb. Që lidhet me diturinë a me dijen; që ka për qëllim të japë njohuri, të përhapë dije a dituri; që bëhet për të fituar dije; që bëhet për studime a për qëllime shkenco…
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë