Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
DET,~I m. sh. ~E, ~ET 1. gjeogr. Hapësirë shumë e madhe me ujë të kripur, që zakonisht është e rrethuar me tokë jo nga të gjitha anët dhe që qëndron disi e veçuar; pjesa më e madhe e rruzullit tokësor, e mbuluar me ujë të kripur. Deti Adriatik. Deti Jon. Deti Mesdhe. Deti i Kuq (i Zi). Det i hapur (i mbyllur). Det i thellë (i cekët). Det i qetë (i trazuar, me dallgë). Det i keq det me dallgë. Sipërfaqja e detit. Bregu (fundi) i detit. Ujë (kripë, rërë) deti. Valët (dallgët) e detit. Kafshë (bimë) deti. Mbi (nën) nivelin e detit. Deti është vaj deti është shumë i qetë. Deti ka dallgë. Çau (kapërceu) detin. Ra (u shtrua, u qetësua) deti. Rreh detet udhëton nëpër dete. Mori detin shkoi diku larg duke udhëtuar nëpër det. Lundron (noton) në det. Derdhet në det. E rreh deti. E zuri deti i vjen për të vjellë kur udhëton në det. E hodhëm në det e përzumë, e detyruam të ikte me det. Në det të hapur larg nga brigjet, thellë në det. Buzë (pranë) detit. Përtej (matanë) detit. Nëpër det. Në tokë e në det. Ka (ka nisur të bëjë) det deti është me dallgë. Ç'bën në det, e gjen në kripë. (fj. u.). Deti s'kalohet me këmbë. (fj. u.). Nuk soset (nuk thahet) deti me lugë. (fj. u.). S'matet deti me pëllëmbë. (fj. u.). Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala. (fj. u.). Noti mësohet në det, jo në tokë. (fj. u.). Në det ta hedhësh, me ujë nuk ngopet. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa kafshë të ujërave të kripura ose të bregdetit. Breshkë deti (lat. Chelonioidea) grup zvarranikësh detarë, me shtatë specie të njohura, që jetojnë në oqeane dhe dete tropikale e subtropikale. Dac deti (lat. Scyliorhinus caniculus) një lloj peshkaqeni i vogël, i njohur zakonisht si peshkaqeni mace, me trup të hollë, me njolla të errëta, që ushqehet me organizma të vegjël detarë. Dallëndyshe deti (lat. Exocoetus volitans) një lloj peshku tropikal, i njohur si peshku fluturues, që jeton në ujërat sipërfaqësore të oqeaneve, me aftësi për të rrëshqitur mbi ujë përmes pendëve të zgjatura të kraharorit, duke krijuar përshtypjen se “fluturon”. Kali i detit (lat. Hippocampus) specie detare, që ngjan me një kalë të vogël, me trup të gjatë dhe të mbuluar me pllaka kockore, me bisht të kapshëm, që jeton kryesisht në alga dhe korale. Kandil deti (lat. Cnidaria) kafshë detare që i përket llojit të meduzave, që lëvizin kryesisht me rrymat e ujit, me trup të butë, gjysmë transparent, me një “çadër” ose “kupë” që i jep formë karakteristike, me tentakula që mund të shpojnë dhe të lëshojnë toksinën e tyre. Lopë deti (lat. Odobenus rosmarus) një gjitar i madh detar, që gjendet kryesisht në zonat arktike, me trup të madh, me lëkurë të trashë dhe gëzof të hollë, me dy dhëmbë të gjatë që i dalin nga nofulla e sipërme. Yll deti (lat. Asteroidea). organizëm detar, me trup rrezor, zakonisht me pesë krahë, pa tru, që lëviz me sistemin vaskular ujor, që ka aftësi të rigjenerojë pjesët e humbura të trupit.
3. bot. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë të ujërave të kripura ose të bregdetit. Fik deti (lat. Opuntia ficus-indica) një kaktus shumëvjeçar, me gjethe të sheshta dhe të trasha, me fruta të ëmbla, që rritet gjerësisht në zona me klimë të ngrohtë dhe të thatë pranë detit. Lakër deti (lat. Crambe maritima) bimë barishtore, me rrënjë të fortë, me gjethe të trasha, me ngjyrë të gjelbër të errët, shpesh me shije të kripur, me lule me ngjyrë të bardhë ose vjollcë të lehtë, zakonisht të vogla dhe të grumbulluara në kokrra, që rritet kryesisht në rërë ose bregdete shkëmbore. Trëndafil deti (lat. Actinia) disa lloje të anemonave të detit, me pamje të ngjashme me lule trëndafili, zakonisht me petale të buta, me ngjyra të ndritshme si rozë, portokalli, apo të kuqe, që ngjiten në shkëmbinj ose pjesë të ngurta nën ujë, me petale si tentakula, që përdoren për të kapur organizma të vegjël që shërbejnë si ushqim.
4. Pjesë e sipërfaqes së Hënës, që nuk e zënë a e zënë fare pak rrezet e Diellit dhe që duket nga Toka si një njollë e errët. Detet e Hënës.
5. fig. Shumicë njerëzish, sendesh etj.; hapësirë e madhe, e mbuluar a e mbushur me diçka, diçka e pamasë dhe e pafund. Det njerëzish. Det dritash. Det lotësh (gjaku). Një det me grurë (me lule). Në detin e luftës. Në detin e lumturisë.
6. si ndajf. Me shumicë, shumë, pa fund; plot e përplot. U bë gruri det. Rrjedh det. Ishte det ara me misër. Det është pazari.
♦ *Barkë në mes të detit. U bë det. 1. (diku). U mbush plot me ujë, u mbyt nga ujët, u përmbyt; u lag krejt, u bë qull. 2. U mbush plot me diçka. 3. (dikush). Hëngri a piu shumë, u dend, u zhdëp. Bëri detin (për dikë) e qortoi a e shau rëndë, s’i la gjë pa thënë; e poshtëroi, e njollosi; s’i la sy e faqe (dikujt); e bëri leckë (rreckë) (dikë); e bëri për në bythë të qenit (dikë). Bëri një *urë në det (dikush). As në det e as në breg. 1. Në asnjë vend, asgjëkundi. 2. Në një gjendje të paqartë, kur s’di nga t’ia mbash; pa ditur ku je, pezull, në erë; as në qiell e as në tokë (në dhe). U bë deti *kos iron. Kur të bëhet deti *kos iron. I duket deti *kos (dikujt). Në *fund të detit. I futet detit me *hosten (dikush). Të fut në det (në *ujë, në pus, në lumë) e të nxjerr pa u lagur (dikush). I futet detit më *këmbë (dikush). Hyn në det (në *pus, në lumë) e del pa u lagur (dikush). E kalon detin më *këmbë (dikush). Sa ka deti ujë e rërë shumë, në sasi të madhe; sa rëra e detit; sa bari i tokës; sa t’i gërryesh (t’i ngresh) me lopatë. E ka zemrën det (dikush) është shumë bujar, është zemërgjerë; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka zemrën hazine. Kërkoj detin me shkop bëj të gjitha përpjekjet për dikë a për diçka; s’lë vend e mënyrë pa shfrytëzuar për t’ia arritur qëllimit, bëj të pamundurën. *Lumë e det (për lumë e për det). Merr detin (dikush) shkon diku larg (zakonisht duke udhëtuar nëpër det); merr detin në sy; (ikën) nga (ku) sytë këmbët. E mori deti (dikë a diçka) shih e mori lumi (dikë a diçka). Mori detin në sy (dikush). 1. I duket çdo gjë shesh me lule, ka besim, dëshira e shpresa të tepruara, kujton se do të bëj ëgjëra të mëdha; ia hyn një pune të madhe pa u matur mirë. 2. shih mori botën (dheun) në sy (dikush). Nuk ka marrë *kripë në det (dikush) mospërf. E mat detin me *filxhan (dikush). E mat detin me *lugë (dikush). E mat detin me *mastrapa (dikush). E mat detin me *pëllëmbë (dikush). Më ndan një det (i tërë) (nga dikush). 1. Jam shumë larg nga dikush (në hapësirë). 2. Kam mendime ose pikëpamje krejt të ndryshme nga dikush; kam gjendje shoqërore a ekonomike krejt të ndryshme; jam shumë larg tij në diçka. Ngre *kodra mbi det (dikush) iron. Nxjerr *sheqer nga ujët e detit (dikush). *Peshku në det e tigani në zjarr tall. Përzien detin me shkop (dikush) përb. është ngatërrestar i madh, bën hile e gënjen; do vetëm të grindet e të bëjë sherr; përzien e fut në sherr shumë njerëz; bën të pabërën; turbullon edhe rërën e detit; i thotë hurit “dil e mos rri në gardh”. Një *pikë ujë në det (në oqean). U poq (u puq) *qielli me detin. Prashit në det (dikush) mospërf. shih prashit (mih) në ujë (dikush). S’pyet Muçoja për *gjela deti bised. Sa *rëra e detit. Shpëtoi nga *lumi e ra në det (dikush). Turbullon (edhe) *rërën e detit (dikush) keq. E than detin me *lugë (dikush). Sa *ujët e detit. *Ujk deti.
DETÁJ,~I m. sh. ~E, ~ET Hollësi, imtësi; vogëlsi. Detaje të rëndësishme.
Shfaq përkufizimin e plotë →DETÁL,~I m. sh. ~E, ~ET tek. Pjesë e vogël e një makine a e një mekanizmi; secila nga pjesët përbërëse të një makine a të një mekanizmi. Detale prerëse (lidhëse). Detal i ri (i për…
Shfaq përkufizimin e plotë →DETÁR,~E mb. 1. Që lidhet me detin, që i përket detit, i detit; që ndikohet nga deti; që vjen nga deti. Hapësira detare. Kufiri detar. Port detar. Vija detare. Rrymat detare. Klimë…
Shfaq përkufizimin e plotë →DETÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Pjesëtar i ekuipazhit të një anijeje; ai që punon në anije; ai që merret me lundrime në det. Detar i vjetër (i regjur). Jeta e detarit. Zakonet e detarëv…
Shfaq përkufizimin e plotë →DETARÍ,~A f. Mjeshtëria e detarit; mjeshtëria e lundrimit nëpër det. Detaria ilire. Ligjet e detarisë. Dega e detarisë. Zhvillimi i detarisë. Historia e detarisë shqiptare.
Shfaq përkufizimin e plotë →DETÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur detoj; udhëtim në det, lundrim në det.
Shfaq përkufizimin e plotë →DET/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. Udhëtoj në det; lundroj në det.
Shfaq përkufizimin e plotë →DETÓR,~E mb. Detës. Borë detore.
Shfaq përkufizimin e plotë →DÉT/ËL,~LA f., meteor. Erë e fortë me shi që fryn nga deti. Nisi detla.
Shfaq përkufizimin e plotë →DÉTËS,~E mb., arb. I detit, që ka të bëjë me detin. Erë detëse.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë